Kreshnik Podvorica, vëllai i xhihadistit kosovar që më 2017 kishte vdekur në një sulm kamikaz në Siri, është arrestuar sot në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Kreshnik Podvorica u arrestua të mërkurën nën dyshimin për veprat penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste” dhe “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste në vazhdim”.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, është ndaluar një (1) person me inicialet K.P., për veprat penale ‘’Shtytja për kryerjen e veprave terroriste’’ nga neni 134 të KPRK-së, përkatësisht ‘’Shtytja për kryerjen e veprave terroriste në vazhdim’’ nga neni 134 lidhur me nenin 77 të KPRK-së”, thuhet në njoftim.
I arrestuari është vëllai i Blerim Podvoricës, xhihadistit kosovar që kishte ndërruar jetë në një sulm kamikaz kundër ushtrisë së Bashar Al Assadit në Siri, më 2017.
Vdekjen e Blerim Podvoricës e kishte konfirmuar vëllai i tij, i arrestuari i sotëm, Kreshnik Podvorica, përmes Facebook-ut.
“E për ata që u mbytën në rrugën e All-llahut mos thoni janë të vdekur jo ata janë të gjallë por ju nuk kuptoni”, citonte një ajet të Kur’anit, vëllai i të vrarit, derisa jepte njoftimin për vdekjen e tij.