in

Aristidh Rruci – firmëtar i Pavarësisë që nuk i dihet varri

Nga YLLI M. DILO

Jeta dhe aktiviteti i tij.

Aristidh Rruci, u lind më 11.3. 1875 në Sheper të Zagorisë.

Prindërit e tij quheshin Nikolla dhe Evanthia.

Kishte vëlla Leonidhen dhe motra Aspasine, Elisaveten (Saven), Athinane dhe Sorkën.

Mësimet e para i mori në fshatin e lindjes dhe më vonë në Manastirin e Nivanit. Bashkëlagjës me A. Z. Çajupin dhe bashkëkohës me I. D. Sheperin. Pas mbarimit të studimeve të mesme në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, punoi në Stamboll në një magazinë që tregtonte lëndë ndërtimi (1896-1898) dhe në tregun e drithit në JANINË (1899-1904).

Në këto qytete u njoh me atdhetarët Naim Frashëri, Shahin Kolonja, Kadri Gjata, Osman Haxhi,etj.

Në vitin 1906 u vendos në Vlorë ku qëndroi deri në fund të jetës së tij.

U bë një nga tregtarët më të njohur te qytetit.

A. Rruci bashkëpunoi me I.D.Sheperin, burrin e motrës se tij Elisaveta(Sava) Rruci dhe zhvilloi një veprimtari të gjerë kombëtare.

Dy intelektualët patriotë sheperjotë në bashkëpunim dhe me Jani Mingen,Ibrahim Shytin,Kristo Karbunaren,etj. dhanë një kontribut të çmuar në përhapjen e gjuhës shqipe, shpërndarjen e librave dhe gazetave në gjuhën shqipe ne fshatrat dhe qytetin e Vlorës.

Në Lubonjë hapën një kurs të fshehtë për mësimin e gjuhës shqipe.

Në Shtator të vitit 1908 takohet në VLORË me Ismail Qemalin. Një muaj më vonë në bashkëpunim me Bektash Cakranin, Faslli Patozin, Mustafa Gorishovën, etj. krijuan klubin “Labëria”; nismëtar dhe financues i klubit ishte vetë Aristidhi.

Ishte një nga organizatorët e “Kuvendit të Drashovicës” (31/7/1911) dhe mori pjesë në “Kuvendin e Sinjës”(Gusht 1911).

Në fillim të Gushtit 1912 krerët e VLORËS, MALLAKASTRËS, BERATIT, SKRAPARIT dhe KORÇËS thirrën në FIER një kuvend ku morën pjesë dhe Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Aristidh Rruci. Kuvendi i FIERIT zgjodhi Hasan Prishtinën përfaqësues të kryengritësve të Jugut. Gjithë shpenzimet për armatimin,veshjen dhe ushqimin e kryengritësve u përballuan nga A.Rruci.

Mbante korrespondencë të rregullt me A. Z. Çajupin, I. D. Sheperin, Jani Vruhon, Sotir Kolenë etj.

Në Nëntor 1912 ishte delegat i TEPELENËS në Kuvendin e VLORËS për shpalljen e Pavarësisë Kombëtare dhe firmosi Aktin e Pavarësisë me siglën “A.Ruci”.

Për atë kohë, Lef Nosi, një personalitet i madh, në kujtimet e tij shkruan: “…. Menjëherë mbas shpalljes së pamvarësisë, Ismail Qemali me shokë dhe me popullin mbrapa, shkuan në Xhami dhe Kishën kryesore të qytetit të dëgjonin lutjet fetare të rastit , udhëhequr nga klerikët shqiptarë. Edhe në Xhami e Kishë u dukën të ngrihen dhe të valojnë dy Flamurë të Shqipërisë.

Këta dy flamurë u gjendën në shtëpitë e Z. Aristidh Ruci dhe Eqerem Vlora.

Zonjat e këtyre të dyve shkonin te Marigoja për të qepur e qëndisur rroba. –Në shembull të Flamurit te Marigosë, edhe Ato kishin qindisur nga një Flamur”.

(L. NOSI,DOKUMENTA HISTORIKE).

Aristidh Rruci mbrojti punimet e Kuvendit të VLORËS me ushtrinë që vetë e financoi. Në qeveri nuk mori vota të mjaftueshme (vetëm 14) së bashku me Jani Mingën (20).

Nga zyrat e A.Rrucit , me alfabetin “Mors” u bë e njohur në qeveritë e asaj kohe shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë.

Megjithëse nuk u zgjodh në Qeverinë e VLORËS, ai zhvilloi një veprimtari të gjere për zgjidhjen e problemeve ekonomike e financiare të Qeverisë duke shpenzuar nga pasuria e tij.

Ndihmoi për ngritjen e administratës së saj në Vlorë, Fier, Tepelenë, Gjirokastër, Delvinë e Sarandë.

Gjatë viteve 1918-1920,në bashkëpunim me atdhetarët vlonjatë u përfshi në një veprimtari të dendur antiitaliane; ishte një nga organizatorët e demonstratës së 28/11/1919. U dallua ne krijimin e “Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare” për organizimin e luftës së VLORËS.

Së bashku me Jani Mingën,Shezair dhe Vesel Comon mori pjesë në hartimin e statusit të shoqërisë ”Përlindja Kombëtare” 1920.

Në vitet 1920-1924 u përfshi në lëvizjen “Atdheu” dhe shoqërinë “Bashkimi”. Bashkëpunoi me Avni Rustemin, Fan S. Nolin, Halim Xhelon, Jani Mingën për rimëkëmbjen e VLORËS; ndihmoi shkolla të fshatrave dhe të qytetit me bazë materiale, libra, fletore dhe orendi.

Mbajti korrespondencë të rregullt me Justin Godardin, që u njoh pas ardhjes se tij në SHQIPËRI dhe Shtjefën Gjeçovin.

Aristidh Rruci kishte autoritet, vlerësohej, nderohej dhe respektohej.

Ka qenë anëtar i Këshillit Administrativ të Bashkisë së Vlorës, sipërmarrës në fabrikën e duhanit në DURRES, posedues i 40% te aksioneve të shoqërisë me aktivitet ne ITALI.

Ne vitin 1937 ka qenë anëtar i kryesisë së Bankës Kombëtare Shqiptare dhe nismëtar për krijimin e degës së Kryqit të Kuq Shqiptar për Vlorën.

Dha një kontribut financiar me rëndësi për arsimimin ne Universitete të fëmijëve të motrës se tij Elisaveta (Sava) Rruci Dilo. Gjatë viteve të luftës ANÇ u arrestua nga pushtuesit italianë dhe u internua në ITALI. Ndihmoi ekonomikisht pa rezerva luftën ANÇ,por nuk u pajtua me regjimin gjakatar që u vendos pas lufte.

Për këtë arsye u arrestua si kundërshtar politik i regjimit diktatorial dhe hoqi kavalarin e tmerrshëm në burgjet shqiptare. Pas daljes nga burgu në vitin 1950 shpalli greve urie dhe vdiq. U përcoll në banesën e fundit nga familjarët e tij. Trupi i tij u vendos pranë varrit të birit të tij Nikollaq, student universitar vdekur në moshën 25 vjeçare.

Një perlë e krijimtarisë letrare shqiptare, janë vargjet që Aristidhi shkroi mbi varrin e të birit:

Nikollaq

Shpresat dhe ëndrrat m’i more me vete

Në varrin e ftohtë ku shkon djalërinë

Si lulet e verës u vyshke, u trete

Dhe le pas neve mjerimin e zinë.

Së bashku me neve ju lut Perëndisë

Atje ku je Ti dhe neve të vijmë

I thuaj s’rrohet më në strehën e zisë

As mundim më tepër farmakun ta pimë. 

A ka varr Aristidh Rruci ku të prehen eshtrat e tij? Jo!

Arsyeja qe nuk ka varr është kjo: në vitin 1962 , me rastin e festimeve të 50- vjetorit të Pavarësisë, qeveria shqiptare dha urdhër që të zhvendoseshin varrezat publike të qytetit të VLORËS dhe të vendoseshin atje ku ndodhen sot.

Ndërmarrja komunale e qytetit që zbatoi këtë vendim nuk lajmëroi të afërmit e tij që jetonin ne SHEPER të ZAGORIES, nipërit dhe mbesat e tij Dilo. Kjo për arsyen e thjeshtë se gjithë VLORA e asaj kohe dinte që ne varrin e blinduar që Aristidhi bëri për të birin, vendosi pjesë të pasurisë së tij, brilante dhe ar. Vjedhësit e kësaj pasurie nuk u interesuan për vendosjen e eshtrave të Aristidhit dhe të birit te tij Nikollaq në varrezat e reja të VLORES.

Sa për qeverinë, ajo vazhdonte ta konsideronte akoma armik.

Në vitin 1958 me sistemimin e vllehëve nëpër fshatra, nga jeta nomade që bënin deri atëherë, shtëpia në SHEPER dhe pronat e “armikut” A Rruci iu dhanë njërës nga këto familje. Ne vitin 1992 “me triumfin e demokracisë” shtëpia e Tij në VLORË kaloi në pronësi te familjeve që rrinin me qira aty, shtëpia dhe pronat në fshat iu dhuruan familjes që banonte ne ‘të. Ato pak relikte personale të Aristidhit që ruheshin tek nipërit e tij humbën pa nam e nishan nga sekuestrimet që u bënë në vitet e diktaturës dhe bastisjeve në vitet e transicionit.

Shiritat e transmetimit ne alfabetin ” Mors” të shpalljes së Pavarësisë si dhe korrespondenca me patriotët që përmendëm më lart, ruheshin në arkivin e nipit të tij Margarit Dilo në SHEPER. U sekuestruan nga zyra e përmbarimit të GJIROKASTRËS në gusht të vitit 1970 pas dhënies së vendimit me burgim dhe sekuestrim të pasurisë të nipit te tij Koço Dilo. Për këtë krim kombëtar Margarit dhe Qirjako Dilo vunë në dijeni me shkrim E. Hoxhën dhe Kom. Qendror. Por nuk morën asnjë përgjigje. Qirjako Dilo zhvilloi dhe një gjyq në GJIROKASTËR ku akuzoi zyrën e përmbarimit për marrjen e pasurisë dhe të arkivit familjar, por nuk e fitoi. Në qoftë se shteti ka ruajtur librat dhe korrespondencën familjare të Dilove të SHEPERIT, brenda në to gjenden dhe shiritat dhe korrespondenca e Aristidhit. Për thesarët e tjera kombëtare që ndodheshin në këtë arkiv, do të flasim here tjeter. Me rastin e festimit te 100-vjetorit te Pavaresise , Presidenti i Republikës së Shqipërisë dekoroi me titullin “Nderi i Kombit” Aristidh Rrucin .

Shkrimtari dhe studiuesi i shquar Piro Loli në veprën dedikuar këtij kolosi “Aristidh Rruci dhe koha e burrave”, hedh dritë mbi këtë “aisberg” të patriotizmit shqiptar. (iliriapress)

Lini një Përgjigje

Moti me re të shpërndara, në mëngjes me ngrica

Vjosa Osmani: Do të shfuqizojë dekretet e ish-presidentit, Hashim Thaçi që janë në kundërshtim me praktikat diplomatike