in ,

Argjentinasit vajtojnë Maradonën, një ‘Zot endacak, i ndyer dhe mëkatar, por më njerëzori prej tyre’

Tri ditë zie kombëtare u shpallën për nder të yllit të futbollit, një ikonë kombëtare që ishte i pllakosur nga lufta me drogë që e përcolli gjatë gjithë karrierës së tij

Lajmi ishte shumë i papritur. Djali më i dashur i vendit kishte vdekur, dhe argjentinasit s’kishte se kush tí ngushëllonte. Të stepur nga habia, ata shumë shpejt u zhytën në një hidhërim të thellë, se heroi i tyre, talenti me aftësi pothuajse mbinjerëzore kishte vdekur. Ai që tashmë thuhet se ishte “më njerëzori nga gjithë Perënditë” nuk ishte më. 

Lajmi ra si një goditje çekiçi për një komb të rrahur nga krizat ekonomike të muajve të fundit e nga pandemia e koronavirusit. Argjentina njihet si vend ku futbolli shihet si një ilaç për të gjitha sëmundjet.

Në orën dhjetë të mbrëmjes ‘festimet’ vajtuese filluan, pasi që një postim viral në media bënte thirrje për “një duartrokitje të fundit”. I gjithë qyteti eksplodi në brohoritje, sirena, fishekzjarre, duartrokitje e instrumente muzikore, të gjitha për njeriun që mbante numrin 10. Homazhet kumbuan në lagjet e kryeqytetit Buenos Aires gjatë gjithë natës, thanë korrespondentë të AFP-së.

Në stadiumin Diego Maradona, shtëpia e klubit ‘Argentinos Juniors’, ku Maradona luajti si fëmijë dhe bëri debutimin e tij si një lojtar profesionist, u hapën fishekzjarre ndërsa një turmë e madhe vërshoi fushën duke thirrur “Maradooo, Maradooo”.

“Nuk mund ta besoj. E pabesueshme. Mendon se mund të kalosh çdo stuhi, por jo, të gjithë në fund janë të vdekshëm. Aty përfundojmë. Kam ndjenjën se e gjitha është vetëm një ëndërr e keqe. Një shaka e pakripë” tha Francisco Salaverry, 28 vjeç, për AFP.

“Sot është një ditë e keqe. Një ditë shumë e trishtuar për të gjithë Argjentinasit ”, përmblodhi Presidenti Alberto Fernandez në një intervistë për kanalin sportiv TyC, pasi deklaroi tre ditë zie kombëtare.

Zia tashmë kishte filluar në të gjithë qytetin. Tifozët qëndronin me fytyra të ngrysura, të mjerë e të braktisur para përkujtimoreve që ishing për numrin 10, duke treguar Maradonën në kohën e tij të artë. Shumë nga përkujtimoret thjesht thonin D10S, një lojë me fjalën spanjolle “dios” për “Zot” që përfshin numrin e fanellës së Maradonës.

Zoti endacak, i ndytë dhe mëkatar

Nëse futbolli është një fe në Argjentinë, atëherë Maradona ishte me të vërtetë Zoti i saj – veçanërisht për themeluesit e Kishës Maradonase, një grup kryesisht i bazuar në internet që përdor gjuhë fetare për të nderuar lojtarin.

Rreth 1.000 vetë iu përgjigjën thirrjes së kësaj “Kishe” që tifozët të mblidheshin për nder të tij para Obeliskut të Buenos Aires në orën 6 pasdite, pikë kjo tradicionale për tubime në rastet e festave të futbollit.”Pak herë në jetën time kam ndjerë dhimbjen që më pushton sot,” shkroi Maurico Passadore në mediat sociale, duke rikujtuar ndeshjen e famshme të Kupës së Botës kundër Anglisë në Meksikë në qershor të vitit 1986, kur Maradona shënoi golin famëkeq “Dora e Zotit”. “Pak herë kam ndier aq gëzim sa ai 29 qershor, kur prekëm qiellin me duar, i njëjti qiell që tani është i errët dhe që na mbush me lot.”

“Jam plotësisht i tronditur, i pikëlluar”, tha Gabriel Oturi, 68-vjeçar. “Ta them sinqerisht se gjithmonë kam menduar se Maradona ishte një djalë i shkëlqyer por që nuk kishte njerëz shumë të mirë rreth vetes, dhe të cilët e shfrytëzuan atë”

Lufta e Maradonës me drogën që e përcolli gjatë gjithë karrierës ishte njëra ndër arsyet kryesore se pse Argjentinasit e ruajnë me kaq dashamirësi heroin e tyre.

Një postim anonim në media sociale që u bë viral, kishte një mesazh me të cilin duket se pajtohen të gjithë argjentinasit zemërthyer. “Maradona ishte një zot endacak, i ndyrë dhe mëkatar. Më njerëzori nga të gjithë Perënditë”. The Times of Israel

Lini një Përgjigje

Fshikullimi publik sipas Sheriatit

Vetëvendosja nesër nuk do ta lejojë Driton Selmanajn të hyjë në Parlament