Gjykata e Apelit ia ka zbutur dënimin e shqiptuar, të akuzuarit për vrasje të rëndë, Trimor Lalinovci, i cili nga shkalla e parë ishte dënuar me burgim të përjetshëm, Apeli i ka shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 30 vite.
“Gjykata e Apelit e Kosovës, e ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të pandehurit T.L. Aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Ferizaj, i datës 09.11.2020, është ndryshuar vetëm sa i përket vendimit mbi dënim. Të akuzuarit për shkak të veprës penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 dhe 1.6 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, dënimin më burgim të përjetshëm i është zëvendësuar më atë prej 30 vjet burgim”, thuhet në komunikatën e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas Apelit, pasi janë vlerësuar rrethanat lehtësuese dhe renduese të cilat i ka pasur parasysh gjykata e shkallës së parë, sipas shkallës së dytë, dënimi më burgim të përjetshëm, është dënim i ashpër, duke pasur parasysh rrethanat posaçërisht lehtësuese, si pranimi i fajësisë, mosha e re e të akuzuarit si dhe keqardhja e shprehur nga ana e tij.
“Nisur nga këto Gjykata vlerësoi se edhe më këtë sanksion penal, mund të arrihet qëllimi i dënimit, i përcaktuar me ligj” – thuhet në komunikatë.
Gjykata Themelore në Ferizaj, më 26 tetor 2020, e kishte shpallur fajtor për veprat penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje, Trimor Lalinovcin. Të njëjtit, gjykata i kishte shqiptuar dënim me burgim të përjetshëm për vrasje të rëndë kurse për armëmbajtje pa leje dënim me burgim në kohëzgjatje prej një viti. Si dënim unik, Lalinovci i ishte shqiptuar dënimi me burgim të përjetshëm.
Aktgjykimi ndaj Lalinovcit ishte shpallur pasi në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 23 tetor 2020, ai e kishte pranuar fajësinë për dy veprat penale që i vihen në barrë.
I akuzuar në këtë rast është edhe vëllai i tij, Dashmir Lalinovci, por ndaj tij është veçuar procedura në shqyrtimin fillestar, pasi i njëjti ishte deklaruar i pafajshëm për ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.
E pakënaqur me dënimin e shqiptuar ndaj Lalinovcit, avokati i këtij të fundit ishte ankuar në Apel.
Sipas ankesës së avokatit Vllanzimë Aliaj, dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë është i padrejtë, tepër i lartë dhe i paargumentuar.
Sipas mbrojtjes, në këtë rast ka rrethana lehtësuese për të akuzuarin të cilat nuk janë marrë për bazë fare nga shkalla e parë.
Gjithashtu, sipas avokatit Aliaj, i mbrojturi i tij nuk ka pasur mbrojtjen e duhur në fillim të procesit pasi siç tha, avokati i mëparshëm i tij nuk ka pas përvojën e duhur për të mbrojtur të akuzuarin për vepra penale siç akuzohet Lalinovci.
Kjo mbrojtje, sipas avokatit, ka bërë që i mbrojturi i tij të krijoj idenë e gabuar se me pranimin e fajësisë qysh në fillim do t’i gëzoj benefitet që garanton ligji për pranim të fajësisë, por në anën tjetër, e ka privuar të njëjtit që të propozoj një ekzaminim psikiatrik që të heqin dyshimet nëse i njëjti ka vepruar apo jo në aftësi të zvogëluar mendore në momentin e kryerjes së veprës penale.
“Për ketë shkak ne jemi për një kthim në rigjykim, që t’i bëhet një ekzaminim psikiatrik që të humbin të gjitha dyshimet në shqiptimin e dënimit”, kishte thënë në fjalën e tij avokati Aliaj.
Po ashtu, mbrojtja kishte kontestuar edhe konfiskimin e një veture të llojit “Porsche Panamera” e cila është përdorur për kryerjen e veprës penale. Kjo pasi sipas avokatit, vetura nuk ka qenë pronë e të akuzuarit por e personave të tretë të cilët nuk kanë pasi njohuri se vetura do të përdorej për kryerje të veprës penale.
Tutje, në ankesën e avokatit që ishte referua nga gjyqtari Driton Muharremi, thuhej se paragjykimi i shprehjes së keqardhjes dhe pendimit të të akuzuarit nga shkalla e parë dhe ndikimi nga fushata mediale, kanë bërë që Gjykata në Ferizaj të merr një vendim të padrejtë në këtë rast.
Sipas ankesës, qëllimi i dënimit nuk mund të arrihet kur kemi të bëjmë me një person të moshës 23 vjeçare.
“E mbështes avokatin, në çdo fazë si në Polici si çdo kun kom dhan deklaratën dhe në mënyrën ma të sinqertë kom kërku falje dhe jom pendu”, kishte thënë i akuzuari Lalinovci në fjalën e tij.
Ndërsa, bashkëshortja e të ndjerit, Gzime Abazi-Bytqyi dhe babai i të ndjerit, Skënder Bytyqi, kishin kundërshtuar ankesën e mbrojtjes duke kërkuar që e njëjta të mos aprovohet.
“Në 7:30 e kom thirr, më ka qu mesazha përmes telefonit të djalit, ka ardh në shtëpi te unë dhe e shoqja dhe ka thon llogarit në mu se ko me ta gjet djalin a ky veçse e kish kry veprën, pra ky me gjak tina ka ardh në shpi te na”, kishte thënë në fjalën e tij, babai i të ndjerit.
Ndryshe, sipas aktakuzës, Timor Lalinovci akuzohet se më 8 dhjetor 2019, rreth orës 18:00, në fshatin Surqinë të Komunës së Ferizaj, me dashje, në mënyrë dinake dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, ka privuar nga jeta tani të ndjerin Shkodran Bytyqi, në atë mënyrë që duke e shfrytëzuar besimin dhe sinqeritetin e tij, meqë të njëjtit ishin njohur më parë, me rastin e shitblerjes së një parcele në shumë prej 157,000 euro të cilën e kishte blerë i pandehuri nga tani i ndjeri dhe mënyra e pagesës kishte qenë me rata, por meqë nuk kishte arritur t’ia siguronte ratën prej 14,000 euro, që kishte për ta paguar ditën kritike, fillimisht vihet në kontakt me të ndjerin përmes telefonit duke caktuar takimin se kinse ia kishte siguruar të hollat, pastaj me tu takuar me të ndjerin në afërsi të kafiterisë “Pianino“, me veturën e tij të markës “Porsche Panamera“ nisen në drejtim të fshatit Prelez, për të vazhduar rrugën deri në afërsi të shkollës së fshatit Surqinë.
Sipas aktit akuzues, pas një bisede i pandehuri e ndal veturën dhe gjersa tani i ndjeri del nga vetura duke përdorur telefonin e tij, i njëjti e shfrytëzon momentin kur i ndjeri ishte me kokë të kthyer mbrapa, e qëllon njëherë në pjesën e pasme të kokës me revolen e tij të markës “ZORAKI-M 906-B“, duke i shkaktuar plagë vdekjeprurëse siç është konstatuar në raportin e autopsisë të 13 dhjetorit 2019, ndërsa pas aktit të kryer e thërret të pandehurin – vëllain e tij Dashmir Lalinovcin, në mënyrë që ta ndihmojë dhe së bashku shkojnë tek vendi i ngjarjes, marrin trupin e të ndjerit dhe e fusin në bagazh të veturës duke e dërguar në fshatin Kishnapole të Komunës së Gjilanit, ku e hudhin në një përrockë me qëllim që t’i fshehin provat e veprës penale.
Tutje, në aktin akuzues thuhet se i pandehuri Trimor pas kësaj i vetëm shkon tek pompa e derivateve “PATRONI“, merr një sasi të benzinës në vlerë prej pesë (5) euro dhe kthehet përsëri në vendin ku paraprakisht e kishin hudhur trupin e të ndjerit, me ç’rast e spërkatë me benzinë dhe ia vë flakën, e më pas përdor telefonin e të ndjerit dhe dërgon sms babait dhe bashkëshortes së të ndjerit, duke iu shkruar në sms se i ka marrë të hollat dhe është nisur për në Gjilan për të takuar një person.
Me këto veprime Trimor Lalinovci akuzohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, nën paragrafi 1.4 dhe 1.6 të KPRK-së.
Gjithnjë sipas aktakuzës, në kohë pa përcaktuar e deri më 12 dhjetor 2019, rreth orës 18:00, në fshatin Prelez, Komuna e Ferizajt, i pandehuri pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët në Kosovë, ka poseduar armën e markës “ZORAKI-M 906-B“, me një karikatorë me tre fishekë si dhe 12 fishekë të tjerë, me të cilën armë kishte kryer veprën penale të përshkruar si në dispozitivin e parë të kësaj aktakuze, ku me rastin e kontrollit në shtëpinë e të pandehurit nga ana e Policisë së Kosovës, të njëjtat i gjenden dhe i sekuestrohen.
Me këtë ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve“ nga neni 366, paragrafi 1 të KPRK-së.
Kurse, Dashmir Lalinovci akuzohet se më 8 dhjetor 2019, në ora 18:30, në fshatin Surqinë të Komunës së Ferizajt, me qëllim të fshehjes së provave të kryerjes së veprës penale të vrasjes së rëndë, ka ndihmuar të pandehurin e parë – vëllain e tij, në atë mënyrë që me të kuptuar se vëllai i tij kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Shkodran Bytyqi, nga banesa e tij në Ferizaj shkon në fshatin Prelez, takohet me vëllain e tij dhe së bashku shkojnë në fshatin Surqinë dhe e ndihmon që ta fusin të ndjerin në bagazh të veturës së markës “Porsche Panamera“ dhe ta dërgojnë në fshatin Kishnapole, me ç’rast e hudhin në një përrockë, në mënyrë që të fshehin të gjitha provat e kryerjes së veprës penale të përshkruara si në dispozitiv i të kësaj aktakuze, pastaj largohet nga vendi i ngjarjes.
Me këto veprime, Dashmir Lalinovci akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1, nën paragrafi 1.4 dhe 1.6 lidhur me nenin 33 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi


