in

Analizë nga këshilltari i Navalny : Putin luan në kartën e tij të fundit

Presidenti rus Vladimir Putin po kërkon zgjidhje në agresionin ndaj Ukrainës. Por si do të duket kjo? Leonid Volkov – këshilltar i liderit të opozitës Alexey Navalny – beson se Putini tani dëshiron një armëpushim. Dhe se Perëndimi duhet t’i rezistojë tundimit.

Leonid Volkov është këshilltari më i afërt i figurës së opozitës ruse

burgosur, Alexei Navalny. Volkov ka përshkruar tani në mesazhe të shkurtra në Twitter, se cili ka të ngjarë të jetë hapi i ardhshëm i Putinit në luftën e Ukrainës. Konkluzioni i tij: Putini tani po synon të hedh granatën e tij të fundit dhe Perëndimi duhet të rezistojë me çdo kusht.

Volkov e përshkruan situatën aktuale si më poshtë: Rusia aktualisht po ndjek “taktikën e tokës së djegur”. Trupat e Putinit po bëjnë përparime të ngadalta duke përdorur zjarr masiv artilerie, siç bënë së fundmi në rajonin e Luhanskut. Megjithatë, kjo taktikë ka arritur kufijtë e saj me përdorimin e raketave Himar nga Ukraina.

Volkov: Putini dëshiron një armëpushim për të siguruar status quo-në

Kjo është arsyeja pse Putini tani po kalon në atutin tjetër – dhe të fundit. Volkov beson se despoti rus tani dëshiron një armëpushim. Me këtë, Putini dëshiron të sigurojë status quo-në. Ai do të parandalonte kështu Ukrainën që të rimarrë zona të tjera në jug të vendit. Por më e rëndësishmja, ai do të çimentonte “sukseset” me të.

“Një armëpushim do të siguronte që linja aktuale e demarkacionit të bëhej realitet politik”, shkruan Volkov. Sapo lufta të ndalet, zërat në Perëndim që preferojnë një “paqe të keqe” sesa një “luftë të mirë” do të fitojnë.

Llogaritja e Putinit: Politikanët perëndimorë atëherë mund të thonë se e ndaluan luftën. Çmimet do të bien përsëri. Një perspektivë joshëse për shumë në Perëndim. Një ripushtim i territoreve nga Ukraina mund të mos jetë më aq i dëshiruar për Perëndimin, sa është në këtë moment.

Ukraina është kundër një armëpushimi – ndaj Putinit i duhet shantazhi

Por si ka ndërmend Putini të arrijë armëpushimin? Në fund të fundit, Ukraina nuk do të pajtohet kurrë me këto kushte aktuale. Përgjigja e Volkovit: shantazh. Putin tashmë ishte përpjekur të shantazhonte Perëndimin në qershor. Ndaloni dërgesat e armëve. Atëherë do të ndërprej bllokadat e dërgesave të grurit. Ky ishte mesazhi i Putinit. Perëndimi thjesht nuk iu përgjigj kërkesave të tij.

“Por Putini ka dy aleatë,” tha Volkov. “Uria e Përgjithshme dështoi. Por tani kërcënimi me furnizimin me gaz, po dërgohet si sinjal në front.” Volkov mendon se Putini tani do ta shtyjë kartën e gazit në maksimum. “Ai do të trembë evropianët. Derisa të mendojnë se do të duhet të ngrijnë për vdekje në apartamentet e tyre këtë dimër .” Ai do të përdorë gjithë propagandën që ka në Perëndim për këtë. Ai dëshiron të arrijë një humor të zi në të cilin njerëzit thonë: “Ne duhet të bëjmë atë që kërkon Putini, përndryshe Evropa do të ngrijë deri në vdekje”.

Tre masa për të siguruar që shantazhi i Putinit për gazin të dështojë

Volkov sugjeron tre mënyra se si Perëndimi duhet t’i përgjigjet “Operacionit Special të Gazit”:

1. “Mos u mashtroni. Evropa mund të përballet me një dimër të vështirë. Por kjo është ajo që duhet pas tetë vitesh indiferencë dhe mosveprim. Ne duhet ta kalojmë këtë tani. Nëse dorëzohemi tani dhe pajtohemi me kushtet e Putinit, atëherë pas gjashtë deri në tetë vjet do të kemi dimër bërthamor”.

Fjalinë e fundit Volkov e arsyeton me faktin se nuk beson në një armëpushim të përhershëm. Përkundrazi, Presidenti rus do të përdorë pushimin për të përgatitur një tjetër sulm ndaj Ukrainës.

2. Ukraina ka nevojë për mbështetje për të arritur fitore të shpejta. Dritarja kohore për rimarrjen e zonave përreth Cherson nuk është e gjatë, dimri po vjen së shpejti. Dhe sa më afër afrohet dimri, aq më i fortë do të bëhet shantazhi me gaz i Putinit. Sipas Volkov, vetëm sukseset e shpejta të ukrainasve mund të parandalojnë që opinioni publik të lëkundet. “Njerëzit duhet të besojnë se Ukraina mund të fitojë.”

3. “Duhet të kujtojmë se shantazhi i Putinit është një akt dëshpërimi. Plani i tij i luftës dështoi. Ai pritet ta humbë shumë mbështetjen. Dhe ai e di se nuk i ka mbetur shumë kohë, për të arritur një armëpushim.” Volkov përmend dy deri në tre muaj si horizont kohor. “Duhet të durojmë dy deri në tre muaj. Atëherë Putini do të ketë humbur. Ai tashmë është i humbur, natyrisht, por ne duhet ta shtypim atë. Ai nuk mund të largohet. Dhe për këtë ne duhet të përballojmë goditjen e tij përfundimtare.”

Nga Gjermanishtja Sherif Ramabaja

Lini një Përgjigje

Ministri Sveçla reagon për sulmin ndaj policëve në veri

Neve që qeshëm me turistët kosovarë, tani na erdhi radha të jemi viktima