Abbott ka thënë se Britania e Madhe e ka përkrahur intervenimin e NATO-s në Kosovë gjatë luftës, për t’’ua mundësuar kosovarëve të jetojnë të lirë nga shtypja.
Në ditët kur ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po dalin para Gjykatës Speciale pas konfirmimit të aktakuzave ndaj tyre për krime lufte, ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, ka nderuar të rënët e familjes Jashari në Prekaz.
Abbott ka thënë se Britania e Madhe do të qëndrojë prapa intervenimit të NATO-s në Kosovë gjatë luftës, si një veprim i drejtë për të parandaluar katastrofën humanitare në Kosovë dhe për t’’ua mundësuar kosovarëve të jetojnë të lirë nga shtypja, shkruan kallxo.com.
“Këtë mëngjes bëra nderimet e mia në memorialin e familjes Jashari në Prekaz në përkujtim të ngjarjeve të tmerrshme atje mbi njëzet vjet më parë. Sot Kosova ka guximin të përballet me të kaluarën përmes sundimit të ligjit dhe në ndjekjen e drejtësisë për viktimat”, ka shkruar ambasadori në Facebook.
Abott ka cituar edhe ish-kryeministrin e Britanisë së Madhe Tony Blair.
“Mbretëria e Bashkuar gjithmonë do të qëndrojë pranë ndërhyrjes së saj si një çështje e drejtë, për të parandaluar një katastrofë humanitare dhe për të lejuar kosovarët të jetojnë të lirë nga shtypja. Siç tha Toni Blair më 23 mars 1999: ‘Ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër përveç të veprojmë dhe ashtu do të bëjmë’”, thuhet në publikimin e ambasadorit.