in

Alternativa Kryeziu gjatë Luftës së Dytë Botërore (1)

 

Uran  BUTKA

 

  Veprimtaria kryesore e Kryezinjve gjatë viteve 1941-1942 u përqëndrua në propagandën antiitaliane, në regjistrimin e luftëtarëve vullnetarë në çetat e tyre dhe në aksionet luftarake kundër pushtuesve italianë, në mbështetje të Aleatëve nëpërmjet kolonelit britanik Hill. “Prijësit kryezinj mblodhën shumë shpejt më tepër se 1000 luftëtarë dhe bashkë me ta përparuan në perëndim përmes maleve në trevat e Nikaj –Merturit. Sulmuan dy herë italianët, mundën dy pararoja italiane të fuqishme dhe me forca që shtoheshin vazhdimisht, menduan të mësynin Shkodrën.”[1] 

 Kjo lëvizje mori dimensione më të mëdha, kur u kthyen nga internimi: në verën e vitit 1943 Hasan Kryeziu që përgatiti shtratin e lëvizjes dhe në ditët e para të janarit të vitit 1944 Gani e Said Kryeziu, tok me intelektualin Llazar Fundo, i cili u inkuadrua në forcat e Kryezinjve si këshilltar politik. 

Lëvizja “Kryeziu” doli si  faktor  i luftës për çlirim në fillim të vitit 1944,  kur Kryezinjtë  me 200-300 luftëtarë  kaluan më 23-26 janar 1944 nga Gjakova në Tropojë, në fshatrat Degë e Gegë-Hysen dhe  Berishë e Tplan, ku u organizuan dhe u mbështetën gjerësisht nga malësorët liridashës “ duke i thënë popullit të mos marrin pjesë në asnjë parti, por të mbesin neutralë, me qi ashtu e kërkon interesa e vendit tonë”[2], siç mbeti edhe vetë Lëvizja “Kryeziu 

 

Qendra e lëvizjes “Kryeziu” ishte  Bytyçi, ku bënë organizimin dhe plotësimin me luftëtarë nga Gjakova, Bytyçi, Gashi, Krasniqja, Valbona, Nikaj-Mërturi, Hasi, Luma etj dhe që arritën në 2000-3000 vetë, siç e përmendin  edhe britanikët Emer dhe Kemp.  Natyrisht, ata manevronin dhe operonin në terren me me më pak forca, por në kohën e duhur ishin të gatshëm të ngrinin gjithë kontigjentet e luftëtarëve, siç ndodhi në betejën për çlirimin e Gjakovës, ku ata angazhuan rreth 4000 luftëtërë, sipas majorit britanik Simkoks, që mori pjesë vetë  në këtë betejë.

 Janë të dokumentuara luftrat e Kryezinjve   tek Proni i Itisit  kundër një detashmenti gjerman më 13.05.1944, ku u plagosën dy luftëtarë të çetës: Faslli Meta nga Bytyçi dhe Sali Pergjoni nga Zherka.[3] Kjo goditje bëri që ushtria gjermane më 17.06 1944 të organizojë një operacion  kundër forcave të Kryezinjve në Bjeshkën e Bytyçit, ku sipas njoftimit të postkomandës së Krumës, u vranë katër ushtarë gjermanë dhe nëntë të tjerë u zunë robër.[4] Këtë na e dëshmon dhe letra e Gani Kryeziut dërguar menjëherë pas luftës Fadil Hoxhës më 18,06.1944: “ Natën e kalova në Luzhë dhe të nesërmen, kur arrita në bazë, më njoftuan se 20 gjermanë kishin arritur në bregun e Pacit dhe kishin filluar të burgosnin njerëz. Dhashë urdhër të sulmohen, gjë që e bëri Hasani im më shokët e tij. Sapo u dëgjuan krismat e pushkëve, shkova edhe unë, ku pas një lufte të ashpër, e cila zgjati rreth tri orë, fillimisht u vra një oficer gjerman dhe pastaj edhe tre të tjerë. Të gjithë të tjerët kapëm pozicione të mira pranë mureve përgjatë përroit dhe pas një rrethimi të suksesshëm, kapën nëntë prej tyre, tre prej të cilëve janë gjermanë ( rusë ).”[5]

 

Sipas njoftimeve të Komandës së Gjindërmarisë së prefekturës së Kukësit, 10.07. 1944, çetat e Kryezinjve bënin dita-ditës aksione kundër patrullave gjermane. 

 Në një letër të kapitenit Simkoks drejtuar Arif Manit dhe që mban datën 25.07.1944, ai thekson: “Gani Kryeziu lufton për Shqipërinë e lirë, gjithashtu ai ushtron aktivitet që u shkon në ndihmë Aleatëve. Ai nuk është komunist, gjithashtu nuk është simpatizues i i kësaj partie politike. Ai është një patriot, trim shqiptar, i cili ka vërëjtur se politika e njerëzve si ju e çon vendin në shkatërrim…”[6]

  Një përpjekje kundër gjermanëve është zhvilluar më 13 08.1944 në krahinën e Bytyçit, në fshatin Çoraj, ku mbeti një luftëtar i vrarë dhe katër të plagosur.[7] Gjithashtu, Kryezinjtë kanë shkatërruar urën mbi lumin Erenik.[8]

 

Komanda gjermane organizoi një operacion tjetër ndëshkimor kundër forcave  të Kryezinjve, meqenëse ato ishin bërë rrezik kryesor, sidomos në rajonin e pasur me miniera kromi, që ata i shfrytëzonin intensivisht. Gani Kryeziu më datën 19.08. 1944 dha kushtrimin në popull për të luftuar kundër gjermanëve. Luftimet kryesore u zhvilluan në Kam dhe Kepenek në datat 19 gusht dhe në Zogaj më datën 20.08.1944[9] 

 

Luftime kundër gjermanëve Kryezinjtë zhvilluan në Vlad, Zherkë, Pac,Vagone, Devë, Qerret, Junik e deri në Pejë. Është e pamohueshme dhe e dokumentuar lufta e forcave të Kryezinjve për çlirimin e Bytyçit dhe të Malësisë së Gjakovës si edhe dëshmorët e rënë në këtë luftë çlirimtare. Por beteja më e madhe dhe e përgjakshme e Kryezinjve kundër forcave gjermane për çlirimin e qytetit të Gjakovës është zhvilluar nga data 10 deri 16 shtator 1944. Komandant Ganiu i ndau forcat e tij në dy pjesë, për të zënë pozicionet e fortifikuara të gjermanëve në qafat e Zogajt dhe të Prushit, pika të forta mbrojtëse të Gjakovës. Më datën 11 shtator 1944 Ganiu sulmoi në drejtim të fshatit Zogaj dhe i zmbrapsi gjermanët nga pozicionet e tyre, ndërsa Hasan Kryeziu, me forcat e tjera zuri fortifikatat e Prushit, duke i thyer gjermanët që u tërhoqën për në qytet. Të dy pjesët e luftëtarëve u bashkuan në fushë në agimin e 12 shtatorit dhe vazhduan mësymjen drejt Gjakovës. Britaniku Simkoks, që luftonte trimërisht bashkë me shqiptarët, u plagos.

 

 “ Në fakt kjo qe një betejë e madhe, – shkruan Xh.Emeri. [10] Në këtë luftë, sipas njoftimeve të Komandës së Gjindarmërisë Shqiptare, mbetën të vrarë 170 luftëtarë nga çetat e Gani Kryeziut.[11] Ndërsa,sipas dokumenteve jugosllave, u vranë mbi 200 njerës  me rastin e sulmit mbi Gjakovë.[12]

 

   [1]X h.Emeri, Bijtë e Shqipes, Tiranë 2002, f64   [2] AQSH , F.152/2 v.1944, D.186 dhe F.154 d.207 [3] AQSH, F.152/2 D. 186 dhë 177/2 Njoftim i Prefekturës së Kosovës. 

[4] AQSH F.152/2  v.1944 D. 186

[5] IUH Përmbledhje dokumentesh nga Lufta NÇ të popujve të Jugosllavisë, beograd 1969. f 581.

[6] Dokumente britanike, Copi Apendix B. Sekret-H.Q.

[7] AQSH, F.342 D.386 fl.8

 [8] Dokumente britanike, FO, SËI, nota: Gani Beg Kryeziu, v.1945.

[9] AQSH F.152/2  v.1944 D.177

[10] J Emery, Sons of the eagle, London 1949

 [11] AQSH, F.152/2 d.794 v.1944

 [12] AIH, Përmbledhje dokumentash nga LNÇ të popujve të Jugosllavisë, Beograd 1969.

 

Lini një Përgjigje

Mediet gjermane: Albin Kurti, në pragun e pushtetit?

Nata e Buzmit apo Diellndalimi (solstika )