Uran BUTKA
Krahasuar me lëvizjet e tjera të asaj periudhe lufte, Lëvizja “Kryeziu” ka disa përparësi dhe veçori të dallueshme.
Alternativa më e mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët gjatë Luftës II Botërore ishte platforma kombëtare e Mukjes ( 1-3 gusht 1943 ) , që i bashkoi rrymat kryesore politike dhe ushtarake të rezistencës shqiptare, Lëvizjen Nacionalçlirimtare, Ballin Kombëtar dhe zogistët, në luftë kundër pushtuesve nazifashistë përkrah Aleatëve të Medhenj Antifashistë, në luftë për një Shqipëri të pavarme, etnike, të lirë, demokratike e popullore. Komiteti për Shpëtimin e Shqipërisë ishte një zgjidhje e re politike, një forum pluralist që do të udhëhiqte luftën e përbashkët kundër okupatorëve për çlirim, deri në formimin e një qeverie demokratike dhe të përcaktimit të formës së regjimit me zgjedhje të lira e të përgjithshme. Por udhëheqja e PKSH, nën presionin e emisarëve të PKJ e prishi këtë marrëveshje dhe e goditi alternativën e Mukjes, për shkak të çështjes së Kosovës të cilën e shtroi për zgjidhje mbi parimin e vetvendosjes dhe për shkak të marrjes me dhunë të pushtetit nga komunistët, duke shkaktuar kështu luftën civile në Shqipëri.
Alternativa e Kryezinjve ishte, pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes, alternativa më e mundshme për çlirim dhe bashkim kombëtar. Rruga që zgjodhën Kryezinjtë, ishte ajo e luftës patriotike të shqiptarëve kundër okupatorëve, në bashkëpunim me të gjithë faktorët antifashistë, veçanërisht me aleatët perëndimorë. Prandaj ata u lidhën qysh në fillim dhe u reshtuan përkrah tyre, kryesisht britanikëve, që mbulonin Ballkanin e Shqipërinë. Ata bashkëpunuan me luftëtarë e krerë të Luftës antifashiste në Shqipëri dhe Kosovë, qofshin të djathtë , të majtë apo të paangazhuar në formacione politike, por që luftonin për Shqipërinë dhe çështjen kombëtare. Në këtë pikpamje, Lëvizja Kryeziu nuk është as një lëvizje partiake, as një lëvizje thjeshtë lokale, por një lëvizje çlirimtare pluraliste me karakter kombëtar, një nga lëvizjet e vetme të këtij lloji në hapësirën shqiptare. Pjesmarrja në të e Zai Fundos, bashkëpunimi me Mustafa Gjinishin, Abaz Kupin dhe Muharrem Bajraktarin, është tepër domethënës.
R.Hibert nënvizon se “Vëllezërit Kryeziu ishin të vetmit nacionalistë në Shqipërinë e kohës së luftës, që ishin kapur me gjithë zemër pas idesë për ta ndërtuar Shqipërinë e ardhme duke luftuar kundër gjermanëve. Ata bënë disa sulme çetash kundër njësive gjermane…Nga mesi i shtatorit forcat e Kryeziut ishin bërë aq të forta, sa të ndërmerrnin një sulm të gjerë kundër gjermanëve në Gjakovë..” [1]
Lëvizja Nacionalçlirimtare e drejtuar nga PKSH dhe e kontrolluar plotësisht nga PKJ nëpërmjet të dërguarve të saj Popoviç, Mugosha, Tempo, Jovanoviç, Stoiniç etj, fillimisht ishte një lëvizje e gjerë antifashiste, që luftoi më shumë se çdo formacion tjetër kundër pushtuesve italianë e gjermanë, por që pas Mukjes, u shndërua kryesisht në një luftë ideologjike, në një luftë për pushtet, në një revolucion komunist, duke shfaqur gjithnjë e më shumë karakterin ekstremist klasor e partiak dhe internacionalizmin stalinist.
Edhe Lëvizja NÇ e Kosmetit, e drejtuar dhe e varur plotësisht nga PKJ, ishte e njëjta gjë, dy anë të së njëjtës medalje me PKSH, formësuar të dyja sipas modelit jugosllav dhe në shërbim të tij.
Në fund të fundit, çdo gjë matet me rezultatin: Lëvizja NÇ është përgjegjëse për provokimin dhe pasojat e luftës civile në Shqipëri, për vendosjen për një gjysmë shekulli të regjimit komunist në Shqipëri e Kosovë, aneksimin apo ripushtimin e Kosovës nga Serbia, madje edhe vënien e Shqipërisë nën kontrollin jugosllav dhe përgatitjen për përfshirjen e Shqipërisë në Federatën Jugosllave nën maskën e Konfederatës Ballkanike apo të ashtuquajturës Republikë të shtatë jugosllave.
Levizja Legaliste, e formësuar dhe e drejtuar nga Abaz Kupi pas Mukjes, me gjithë përpjekjet e aleatëve britanikë, nuk u shëndrua dot në lëvizje të përgjithshme kryengritëse të krerëve të Veriut, nuk u angazhua dot në luftën kundër gjermanëve, mbeti inerte dhe i humbi shanset për të qenë një lëvizje bashkuese apo çlirimtare, për shkak edhe mësymjes mbi atë të forcave nacionalçlirimtare që e likujduan, siç bënë edhe me Ballin Kombëtar, lëvizjet e Muharrem Bajraktarit, Ramë Mujës dhe çdo lëvizje apo individi tjetër që funksiononte jashtë Frontit NÇ, edhe pse luftonin kundër okupatorëve.
Edhe Lidhja e Dytë e Prizrenit, organizatë e rëndësishme nacionaliste politiko-uahtarake në Kosovë, por e lidhur me humbësit e Luftës Dytë Botërore dhe e ndërthurrur në aktivitet me qeverinë e administratën shqiptare bashkëpunuese me pushtuesin, ndonëse me synime kombëtare për të ruajtur njësinë etnike shqiptare të arritur gjatë luftës dhe për të mbrojtur integritetin e kufijtë e saj nga pushtuesit serbo- malazes- maqedonas e bullgar, historikisht ishte kundër rrymës dhe e destinuar të humbiste.
Lëvizja irredentiste e drejtuar nga Selman Riza dhe Ejup Binaku, si një nga komponentët e Ballit Kombëtar në Kosovë, mbeti më tepër si një lëvizje intelektuale dhe u shndrua pas luftës në frymë e veprimtari luftarake në Organizatën Nacional-Demokratike Shqiptare, e cila u themelua në Gjakovë qysh në fillim të vitit 1945 dhe u shtri në gjithë tokat irredente.
E vetmja lëvizje luftarake që ishte dhe mbeti si një shans për çlirim dhe bashkim kombëtar, qe Lëvizja “Kryeziu”.
Kryezinjtë bashkëpunuan në luftën e tyre për çlirim me nacionalistët: Muharrem Bajraktarin, Ramë Mujën, Nik Sokolin, Pater Lek Lulin, Selman Rizën, Ejup Binakun etj
Kryezinjtë bashkëpunuan gjithashtu me forcat nacionalçlirimtare të Krasniqes të komanduar nga Sali Mani, me forcat nç të komanduara nga Shabab Haxhia dhe me forcat partizane të Kosmetit të komanduara nga Fadil Hoxha, që vepronin kryesisht në rajonet e Tropojës, me qendër në Valbonë.[2] Dokumentet dëshmojnë se Kryezinjë mbizotërronin në Malësinë e Gjakovës e më gjerë, ku gëzonin mbështetje të plotë, ndërkohë që toleronin, ndihmonin dhe bashkëpunonin edhe forcat e tjera luftarake, qoftë nacionaliste, qoftë nacionalçlirimtare. “ Ganiu ishte në kontakt të përhershëm me partizanët e Kosovës dhe u ndihmoi shpesh herë në kohë shumë të vështra për ta. Influenca e tij bëri që partizanët të fshihen nëpër vende të sigurta pas operacioneve gjermane në mars të vitit 1944, kur brigada partizane e Kosovës ishte shpartalluar dhe ishte shpërbërë”- konstaton Simkoks.[3] 13[] R.Hibbert, Fitorja e Hidhur, Tiranë 199414 AQSH F154 D 152 v.1944[15] Dokumente britanike, FO 371/48110, Raport i Simkoksit për Gani Kryeziun.
Bashkëveprimi i Kryezinjve me forcat nacionalçlirimtare në luftë kundër italianëve dhe gjermanëve ishte i sinqertë dhe në vazhdën e luftës patriotike për liri të shqiptarëve pa dallime ideje e krahine, si edhe të politikave të aleatëve. “Bashkëpunimi me komunistët këtu e tre muaj më parë ka qenë i plotë, i sinqertë dhe i pakondicionuar”- thotë Fundo para pushkatimit.[1]
Pra, Lëvizja “Kryeziu” ishte në korelacion me gjithë faktorët e rëndësishëm që luftonin për çlirim në shqipëri e Kosovë, por edhe vetë kjo lëvizje ishte aktive dhe në ballë të luftës kundër pushtuesve gjermanë. Kjo lëvizje ishte në korelacion edhe me Aleatët antifashistë. . “ Qysh në bashkëpunimn tonë të parë në vitin 1940 e kam konsideruar veten ushtar të Aleatëve.” .[2] – u tha Ganiu britanikëve Maklin, Emer, , Smajl, Herr, Nil etj kur ata shkuan në Bytyç në fillim të qershorit 1943. Maklin atashoi nënkolonelin Simkoks pranë shtabit të Kryezinjve që luftoi bashkë me ta për kauzën e përbashkët.. Ndërkohë, Ganiu u dha me vete britanikëve për disa muaj me radhë Saidin, për të ndihmuar në bisedimet dhe bashkëpunimin që ata do të ndërmernin me Abaz Kupin. “Le të jetë ky një peng i vullnetit tim të mirë”- u tha ai briranikëve, ndërsa prijave dhe luftëtarëve të tij që asistuan në bisedimet me britanikët iu drejtua me fjalët: “Unë i jap besën Britanisë së madhe, por përpjekjet e mia nuk mund të jenë të mjaftueshme pa ju. Në qoftë se doni që Shqipëria të shpëtohet, atëhere secili prej jush duhet të plotësojë detyrën e vet.” [3]