Shkruan: Ali Aliu
Ali Podrimja është njëri nga poetët më të shquar të letërsisë shqipe. Ai ka lindur e është rritur në Gjakovë, studioi gjuhë dhe letërsi shqiptare në Universitetin e Prishtinës, ku dhe jeton aktualisht. Periudha vendimtare për formimin shpirtëror dhe intelektual të poetit janë vitet pesëdhjetë. Më 1957 botoi poezinë e parë në revistën “Jeta e Re”. Ishin vitet kur shqiptarët në Kosovë përjetonin njërin nga terroret më të egra të pushtuesit serb, në kohën e aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve më dramatike të përmasave tragjike për Kosovën dhe shqiptarët (rreth treqind mijë të shpërngulur dhunshëm në Turqi). Poeti rritej dhe piqej në këto kushte, në këtë atmosferë agonie, që e kishte mbërthyer Kosovën. Qyteti i Gjakovës, ku kishte lindur dhe shkollohej, qytet me traditë të pasur patriotike, ishte më i godituri nga kjo vërshimë policore e UDB-së serbe. Poeti i përfshirë në këtë përditshmëri ndjeu nevojë të rezistojë, të kundërvihet dhe ta stigmatizojë tërthorazi synimin e pushtuesit:
Qaj rrafshi im i dashur, qaj (fjala është për rrafshin e Dukagjinit, A.A.)
Diellin tënd verbuar e kanë tytat
E vatrat shkimbur deri më një…
Vargjet janë shkëputur nga poemthi lirik “Hija e tokës”, të cilin Ali Podrimja e shkruajti në vitin 1960, kur ishte gjimnazist.
Një vit më pas, më 1961, botoi përmbledhjen e parë më vargje elegjiake “Thirrje”. Më pas vijnë përmbledhjet “Shamijat e përshëndetjeve” (1963), “Dhimbë e bukur” (1967), Sampo (1969), Torzo (1971) etj., deri në veprën e tij mjeshtërore “Lum, lumi” (1982), që ishte datë e shënuar në poezinë bashkëkohorë kosovare. Në vitet ’80 e ‘90 ai do të vazhdojë të botojë libra poetik si “Zari”, “Buzëqeshje në kafaz” etj.
Me të drejtë mund të thuhet, se Ali Podrimja është ndër poetët më të shquar të: lirikës patriotike në poezinë aktuale shqiptare. Poemthi “Hija e tokës” është matricë e përbashkët frymëzimi poetik dhe e cikleve Guri, Kulla, Cungu, Poema e heshtjes, Kali i Trojës, Dëftore, Pylli, etj. Edhe tek vargjet intime, familjare të poetit, madje dhe tek vargjet e përfshira në vëllimin Lumi Lumi, që janë vargje të dhimbjes dhe pikëllimit për vdekjen e të birit (Lumit), shqetësimi krijues për Kosovën dhe etninë është në sfond, prapavijë e përhershme, atmosferë nisëse dhe përmbyllëse. Poetika e vargut të Ali Podrimjes, e çliruar nga konvencionet tradicionale, shquhet për gjuhë ekspresive e të pasur figurative, për shqiptim të dendur, dramatik dhe komunikativ. Është një poetikë në kërkim të pandërprerë për mundësi të reja e origjinale të artikulimit lë emocionit, të imagjinatës dhe filozofisë jetësore. Shtylla standarde të korpusit figurativ në këto poezi janë emërtimet: Guri, Kulla, Pylli, Cungu, Muri, Ura… Poezia e Ali Podrimjes është e dendur me dramacitet historik, origjinal, përmes të cilit arrihet unifikimi i plotë mes individit dhe kolektivit, mes vetëdijes individuale dhe asaj kolektive. Përmes simbolikës së tillë mitike dhe antike të fisit, Ali Podrimja arrin vlera universale të përgjithësimit artistik. Pikërisht në mbështetje të ngjyrimit emocional, shpirtëror të fisit të vet, vlera krijuese e kësaj gjuhe arrin të marrë vlerë gjithënjerëzore. Lë të marrim për ilustrim disa nga ciklet e tij poetikë.
Guri
Rëndom themi së tiparet e personifikuara të gurit janë lashtësia, përjetësia, durimi, qëndresa, fuqia… Përmes kësaj natyre të personifikuar të gurit poeti kërkon, hulumton veten dhe identitetin historik e shpirtëror kombëtar. Kështu guri – vetja lexohet si metaforë për lashtësinë, për durimin, për urtinë e dëshminë…
Fjala është për një luftë të pandërprerë që në momente të caktuara duket si përpjekje sizifiane, e megjithatë ajo është burim frymëzimi dhe përjetësie…
Pjesa e fundit e poemthit “Guri” ka vetëm një poezi “E guri im rrokulliset”. Në vargjet e saj shquhet në fillim trazimi dhe dhembja ë subjektit e që në fakt përcillet nga shqetësimi dhe dhimbja e gurit mbi të cilin vë vesh dhe dëgjon poeti: a do ta pranojë fisi im sot gjakun, natyrën time dhe a do të veprojë si dikur apo do të më braktisë e do të më lërë gur të zakonshëm rreth të cilit rriten bari dhe kërpudhat? Natyrisht që nuk e pranon këtë fat: ai prore rrokulliset nëpër kohën dhe truallin, nëpër hapësirën e vet. Po fisi i tij, a do të jetë vallë përjetë mburojë e hapësirës? Janë këto shqetësimet kolektive të subjektit poetik të së djeshmes dhe të së sotmes. Ka raste kur guri, herë në rolin e metaforës e herë në atë të simbolit, nxit përsiatje nga më të ndryshmet, që mund të reflektohen në formulime të tilla si “Gurin shpesh ma luajnë”, ose shpresa e besimit se “Guri im” nuk do të jetë përherë vetëm si mjet për ngritjen e kullave dhe urave të huaja, as edhe vetëm sakrificë e flijuar kot, për ura e kulla që ngrihen ditën e rrënohen natën etj.
Kulla
Cikli “Kulla”, në plan të përgjithshëm të poezisë së Ali Podrimjes, është një nyje tjetër e rëndësishme në sajimin e poemës, e cila për frymëzim tematik ka lashtësinë dhe përjetësinë e identitetit të pandërprerë të fisit. Kulla në jetën e subjektit poetik është simbol ekzistence dhe i pranisë së përhershme, shenjë e mënyrës së jetesës dhe e përjetësisë, është tempull i vazhdimësisë së asaj jete, i botës së njeriut dhe strehim i familjes, vend qëndrese dhe sfidë ndaj armikut, mburojë, pra, kështjellë e përditshme e fisit që nxit frymëzimin poetik dhe provokon atë në situata të shumta. Kështu, në poezinë e Podrimjes, kjo ngrehinë hijerëndë, shndërrohet në thesar të pashtershëm krijues dhe fillon të shpalosë rrëfimin e vet shekullor, të përcjellë mesazhe të rëndësishme për të sotmen dhe për të nesërmen e fisit. E rrahur prore nga erërat, kulla qëndron stoike dhe e madhërishme, edhe atëhere kur i rrëzohen copa apo pjesë të tëra muresh dhe strehësh. Edhe kur mureve të saj bredhin lugetërit, një frymë e padukshme ia mbron përherë identitetin e pamposhtur. Është kjo frymë ë gjallë që e ruan kullën e poetit nga të ligat, prandaj në të nuk hyhet e as dilet jashtë synimit poetik…
Cungu
Po t’i shohim krahasimisht ciklet e emërtuara si metafora: guri, kulla, ura, cungu etj., hetohen lehtë anët e përbashkëta dhe tiparet e tyre dalluese që, secila në mënyrën e vet, inkuadrohet dhe ka funksion të caktuar në historinë dhe jetën tonë të përditshme. Cungu, njësoj si Guri, Kulla, Ura, ka shtrirje të gjera dhe traditë të pasur emërtimi në popull. Kështu, guri peshon në truallin e vet, ndërsa më urtinë dhe durimin e vet është dëshmitar i gjallë i historisë kombëtare, kulla – shtëpi jetike dhe beden i pakalueshëm për armikun, ura e ëndërruar dhe rropatjet e përjetshme drejt ndërtimit përfundimtar të saj etj., ndërsa cungu në poezinë e Ali Podrimjes heq shpirt, përjetohet si një trup, pjesë trupi e shkoqur dhunshëm, e vetmuar. Gjallimi i rrënjëve duket si i pakuptimtë në mungesën e fryteve…
Lumi
Në fillim të viteve ‘80, me botimin e veprës “Lum Lumi”, Ali Podrimja shënon fazë të re krijuese, si në rrafsh të shqetësimeve, ashtu edhe në atë të gjuhës poetike. Shqetësimi i deritanishëm, që do të vazhdojë të jetë frymë konstante e poezisë së tij, u pasua nga të goditje e papritur e natyrës së tragjedisë intime, familjare, nga sëmundja e pashërueshme e të birit, Lumit. Meqë dhembja e kësaj drame qëllon në kontekstin kohor të ngjarjeve dramatike kolektive, që të dy këta krahë gërshetohen dhe njehsohen në një dhembje të madhe për poetin. Kjo shkrirje e dy reflekseve është e natyrshme dhe vaji i brendshëm shpërthen me të madhe. Po të mos ishte poet i madh, Ali Podrimja mbase dhe mund të mposhtej nga kjo goditje tragjikë. Përkundrazi, dhembja personale dhe ajo kolektive sikur e ushqejnë njëra-tjetrën në inkurajim dhe qëndresë, ia shpalojnë plagët e gjalla njëra-tjetrës jo për t’u dorëzuar përfundimisht, por për ta burrëruar njëra-tjetrën, gjë që është vlerë e fuqishme e kësaj poezie… Do të provojmë të interpretojmë poezinë “Nuk kam bërë kurrgjë për Lumin”: Nuk kam bërë asgjë për ty Lumi, nuk bëra asgjë për fëmijën tim, për atë që e solla në jetë, e ndaj të cilit, ndaj të nesërmes së tij kam përgjegjësi. Kjo jehonë degëzohet me nuanca të shumta: nuk bëra asgjë për të nesërmen më të mirë të Lumit, thotë poeti, pa u arsyetuar nëse ka mundur të bëjë diç më shumë apo jo. Kjo sikur s’është me rëndësi; me rëndësi është së ai e qorton veten, që mund të merret edhe si një përgjegjësi e pakryer e folësit lirik…
Shtrohet kështu si e natyrshme pyetja lidhur me moskënaqësinë e përhershme të prindit, që mbase është dilema jonë e fuqishme sot. Prandaj këtë poezi, në fokus të këtij çasti karakteristik, e përjetojmë dhe nga aspekti social, i përgjegjësisë sonë para brezit të ardhshëm. Prandaj poeti nxit, aktualizon plot dilema, qortime dhe vetqortime që në raste kufizohen edhe me akuzë dhe anatemë. Folësi lirik në këtë poezi pranon së nuk ka bërë asgjë për shpëtimin ë fëmijës dhe për këtë nuk kërkon mirëkuptim. Vetëm është tmerrësisht i pikëlluar për pamundësinë e vet si kreu i familjes, si prind i “gjithëmundshëm”. Me të janë të zemëruar edhe fëmijët e tjerë: nuk duan të besojnë në pamundësinë e tij, prandaj ia kthejnë shpinën, ia përplasin derën. Degëzohet kështu mosmarrëveshja në mes prindit dhe fëmijës, thellohet deri në tendosje dramatike, përherë me ndërlidhjen njohëse të çastit dhe të hapësirës sonë të afërt e të përditshme. Fëmijët e kërkojnë të plotë botën e vet dhe këtë e kërkojnë nga prindërit e tyre. Dhe si një përgjigje për këtë dilemë mund të merren vargjet e një poezie tjetër të poetit po nga ky cikël tematik: Kërkon atë që nuk mund e gjej, apo Ti kërkon diçka që moti e kam humbur, ose Pse gjithnjë kërkon atë që nuk mund e gjej klith plot dhimbje dramatike, i pafuqishëm folësi lirik në këto poezi. Prandaj ne mund ta zëmë këtë jehonë porosie të poezisë dhe ta lexojmë atë si një dialog dramatik brezash para historisë, para horizontit mjaft të paqartë. Brezi që vjen mos kërkon vallë të pamundshmen, por më të drejtë duhet të kërkojë të natyrshmen?
E parë në këndvështrimin intim, familjar, ndjenja e fajit të poetit zbutet kur mendon se sa i pafuqishëm është njeriu ndaj fatit apo natyrës dhe poeti baba mund të ngushëllohet se bëri krejt ç’ishte në mundësinë e tij…
Poeti në harkun kohor dyzetvjeçar
Po të përqendrohemi në rrugën dhe ecurinë krijuese për këto dyzet vjet, mund të themi me plot bindje se Ali Podrimja e filloi rrugën e vet poetike nën ndikimin dhe frymëzimin gati magjepsës nga e kaluara e kombit dhe e Kosovës. Në këtë hark kohor poetik, nën fuqinë e brishtë dhe të virgjër të lirikut, poeti ka arritur të njëjëzojë zërin e unit folës, me atë të unit kolektiv. Më pas, sidomos me vëllimin poetik “Torzo”, që me të drejtë vlerësohet si një nga kulmet artistike të Ali Podrimjes, deri më sot uni lirik gradualisht tërhiqet, intimizohet, zhvishet nga ngjyrimi i unit kolektiv, personalizohet. Në këtë fazë të rrugës krijuese (rrethi tematik është gjithnjë në valët e lirikës patriotike), uni përthyhet përmes filozofisë dhe botëkuptimit të poetit, tanimë të pjekur dhe të formuar apo gërshetohet me reflekset e përjetimeve intime nga përditshmëria e poetit. Në fazën e tretë, poetika e Ali Podrimjes ka prirje për t’u zhveshur nga mbështjellja e theksuar figurative në artikulimin e poezisë. Është faza kur poeti, jo domosdoshmërisht dhe jo përherë, botën e vet e shqipton përmes një sistemi figurativ të konsoliduar gjatë katër dhjetëvjeçarëve. Tani vërehet prirja e poetit për një shqiptim të prerë, të drejtpërdrejt, që kryesisht artikulohet përmes shkallëzimit të ironisë dhe, në çaste të rralla arrin në sarkazëm dhe anatemë.
Kur për një poet themi se nuk është konvencional, pra është modern, këtë duhet ta kuptojmë kështu: Ali Podrimja e çliron poezinë shqipe nga disa rregulla metrike, siç është: vargu i thurur, apo nga përmbajtjet si fryma apologjike, brohoritëse e poezisë së pasluftës etj. Por, ai vendos parime të tjera krijuese, siç është vargu i lirë, shqiptimi metaforik, gjuha e ironisë, shprehja efikase për tu futur në zonat më të errëta apo më të fshehta të natyrës së njeriut. Synimi i poetit për t’u fshehur përmes reflekseve ezopike dhe për t’i përcjellë ato, duke shmangur ndalesat e jashtme, e nxjerrin në plan të parë mesazhin dhe në plan të dytë atë pjesë të vlerës artistike që arrihet përmes ritmit dhe eufonisë. Me rëndësi është të kuptohet, nëse këto parime poetike të Ali Podrimjes, janë parime të një brezi dhe të një kohe dhe duhet të njihen si përvojë.
Pa to nuk mund të kuptohet dhe të zbulohet arti poetik nëpër kohë, sidomos për krijuesit e rinj, poetët e mëdhenj janë shkollë, nga e cila ata mund të mësojnë; janë përvojat, nga të cilat ata do të nisin të krijojnë parimet e tyre poetike. Poezia e Ali Podrimjes, e përkthyer në shumë gjuhë të huaja, është pranuar e vlerësuar pikërisht për arsye se në thesarin universal të vlerave, hyn bindshëm përmes koloritit të veçantë, përmes botës shpirtërore me individualitetin e vet të formuar, të ndryshëm nga të tjerët.