in

Ali Bej Kryeziu(1880-1912) që u vra nga serbët rrugës për në Vlorë

Zanfir Kryeziu në Sheshin “Vëllezërit Kryeziu”

Kush ishte Ali bej Kryeziu

Shkruar nga avokati Zanfir Kryeziu

Ali bej Kryeziu lindi në Gjakovë me 1880 në një familje fisnike me tradita atdhetare.

U vra nga serbet me 1912 tek Ura e Vezirit, rrugës për në Vlorë për të marr pjesë në Shpalljen e Pavarësisë. Patrulla e ushtrisë serbe, që mbikëqyrte këtë pikëkalim të rëndësishëm, nga majat mbi urë, e plagosën për vdekje Ali beg Kryeziun. Në pamundësi që ta vazhdoj rrugëtimin për shkak të plagëve të marra dhe duke mos dashur ta rrezikojë bashkëluftëtarin, përcjellësin e tij, kërkon nga ai që trupin e tij të plagosur për vdekje ta lëshoj në Drinin e Bardh me qëllim që lumi, trupin e tij pajetë ta bartë për t’u prehur në Shqipëri.

Ali beg Kryeziu ka studiuar në Stamboll. Ishte deputet i Gjakovës në Parlamentin e Perandorisë Osmane. Për sa kohë që ishte në Stamboll, bashkëpunoj me grupet politike për themelimin e Shtetit Shqiptar. Më vonë mori pjesë në të gjitha lëvizjet politike dhe kryengritjet e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi përkrahë babait të tij Riza begut.

Për këtë figurë historike, thuhet në librin ARSIMI SHQIP NË GJAKOVË, botim i një grupi autorësh është e nevojshme të bëjmë një paraqitje më të hollësishme, për të thënë diçka më shumë për jetën dhe veprimtarinë e tij, pasi që siç thuhet në libër, për Sulejman Vokshin, Bajram Currin, Bajram Daklanin dhe pjesëtarët tjerë të vegjëlisë, nxënësit shqiptarë kanë mësuar dhe mësojnë në orën e historisë dhe nga shumë libra dhe artikuj tjerë me përmbajtje historike.

Me kapjen e hapësirave shqiptare nga regjimet komuniste u retushua e gjithë historia kombëtare dhe shumë personalitete minore ”lufta e klasave” i ngriti lart e më lartë për

tu harruar prijatarët e njëmendët, ata që natyrshëm edhe historikisht ishin leva kryesor

që i lëviznin përpara proceset e shtet ndërtimit. Fatin e harresës së dhunshme nga politikat antikombëtare e përjetoi edhe djali i parë i Riza beg Kryeziut, Ali begu, luftëtari i paepur, sa në fushëbeteja ushtarake, po aq edhe në sallonet ndërkombëtare të politikës së lartë, ku shestoheshin dhe ravijëzoheshin ardhmëritë e shteteve të reja që po lindnin nga thyerjet e mëdha nga Luftat Ballkanike dhe Lufta e Parë Botërore.

Historiografia moniste e ndikuar nga ideologjia e luftës së klasave apriori kishte mohuar, neglizhuar, gjykuar apo dënuar personalitetet e shquara kombëtare të oxhaqeve të mëdha shqiptare siç janë Mahmutbegollajtë e Pejës, Kryezinjët e Gjakovës, Rrotlajtë e Prizrenit dhe Gjinollajtë e Prishtinës. Me ngarkesa të tilla ideologjike e politike të deformuara dhe me pikëpamje të shtrembëruara të historiografisë marksiste ishte bërë një padrejtësi ndaj trajtimit historik të këtyre familjeve e më ketë edhe të vetë historisë shqiptare. Në atë kohë qasja shkencore ndaj këtyre problemeve luftohej me mjete revolucionare që rezultonte me burgosje apo internime të intelektualëve në Shqipëri. Ndërkaq në Viset e okupuara shqiptare në kuadër të Jugosllavisë si në Kosovë e gjetiu mundohej të lartësohej ideja e patriotizmit jugosllav duke anashkaluar temat kombëtare. Në këto kushte veprimtaria e personaliteteve nga familjet aristokrate shqiptare u interpretuan në mënyrë qëllim keqe ku paraprakisht personalitetet visheshin me epitete denigruese si psh. kullak, tradhtar pastaj interpretoheshin ”argumentet” e konstruktuara më parë pa pasur asnjë mbështetje historike.

Përgjithësisht shikuar nga këndvështrimi historik familjet e mëdha aristokrate shqiptare në periudhën e pushtimit Osman por edhe më herët ishin bartës të të gjitha proceseve politike shoqërore e ekonomike sepse atë ia lejonte dhe ia impononte vetë përkatësia e

tyre klasore prandaj ata janë pjesë e pandarë e rrugëtimit historik të popullit shqiptar. Periudha e pushtimit Osman imponon procesin e islamizimit të shumicës së klasës së lartë shqiptare por jo edhe osmanizimin e tyre dhe zhdukjen e ndjenjës kombëtare, andaj mbështetur në këto parime themi lirisht se gati nuk kaloi asnjë ngjarje me rëndësi historike kombëtare pa pjesëmarrjen e Mahmut Begollajëve të Pejës dhe Kryezive të Gjakovës, qoftë drejtëpërsëdrejti ose tërthorazi, që nga formimi i Sanxhakut të Shkodrës, Dukagjinit, Prizrenit, Kuvendit të Arbërit,  Lidhjes së Prizrenit, Lidhjes Besa-Besë të Pejës, Shpalljes së Pavarësisë, Formimit të Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, Marrëdhënieve diplomatike me Britaninë e Madhe dhe aleancën me shtetet të tjera Antifashiste gjatë luftës së dytë Botërore e kështu me radhë thekson prof. dr. Muhamet Mala-Shef i Departamentit të Historisë së Universitetit të Prishtinës në letrën e tij të Nëntorit 2012 dërguar Qeverisë Shqiptare përkitazi me nismën e tyre të mirëpritur nga popullata që për nderë të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë të dekorohen personalitetet të shquara që kontribuan  për pavarësinë e shtetit shqiptar në mesin e të cilëve edhe  të Kryezinjëve të Gjakovës, të anatemuar padrejtësisht nga regjimet antipopullore.

Në mesin e dhjetë deputetëve shqiptarë në Parlamentin Osman që ishin kundër futjes së alfabetit arab në shkrimin e gjuhës shqipe thuhet në librin Arsimi Shqip në Gjakovë ishte edhe “I biri i Riza beut” nga Gjakova. Me siguri bëhet fjalë për Ali beg Kryeziun, emrin e të cilit e mbante shkolla e tretë fillore e Gjakovës gjatë viteve të çlirimit 1942-1944  por edhe një shkollë tjetër elitare në Tiranë në kohën e Mbretit Zog.

Lidhur me veprimtarin e Ali bej Kryeziut, prof.dr.Shefqet Canhasi në librin e tij Flakadani i Lirisë-Bajram Daklani, botim i revistës Drita në Treleborg të Suedisë, në shtator 2017 shkruan:” Xhonturqit organizuan nëpër qytete shumë mitingje kundër kërkesave të krye- ngritësve shqiptar, shtruar në përkujtesën (Memorandumin) e Gerçës, por ato dështuan, falë përpjekjeve edhe të Ali bej Kryeziut, Bajram Daklanit, Selim Mulës etj.Mitingu nuk u mbajt në sheshin e qytetit, por u strukën në Xhaminë e Hadumagës. Fjalën e kundërshtimit  të Memorandumit të kryengritësve drejtuar Portës së Lartë e paraqiti Hasan Hysni Shllaku të cilit me guxim iu kundërvu Ali beg Kryeziu, djali i Riza begut. Qendrimin e tij prej atdhetari të flaktë, Ali beg Kryeziu e dëftoj edhe gjatë bisedimeve të udhëheqësit të kryengritjes së përgjithshme shqiptare të gushtit 1912, Hasan Prishtinës, me përfaqësuesin e Perandorisë Osmane, Ibrahim Pashën, por këtë kundërvënie e pagoi me kokën e tij, sepse po atë vit, rrugës për në Vlorë, për të marr pjesë në shpalljen e pavarësisë u vra nga serbët.

Studiusi turk Sylejman Kylçe, duke shkruar për veprimtarinë e deputetëve shqiptarë të Parlamentit Turk, në faqen 179 të Historisë së tij “Shqipëria në Historinë Osmane” përmend Ali Beg Kryeziun si deputwt shqiptarë të Gjakovës, dhe thotë: Deputetet e Shqipërisë së Veriut i dhanë Kryesisë së Parlamentit Osman mocionin për interpelancë me 31 korrik 1909 (të nënshkruar nga Aliu, deputeti i Gjakovës, Hasani, deputeti i Prishtinës, Hasani, deputeti i Sjenicës, Hysejn Fuadi, deputeti i Prishtinës, Saidi, deputeti i Shkupit. Çështja ishte rreth veprimeve të Xhavid Pashës në Gjakovë e Pejë.

Ali beg Kryeziu ishte djali i parë i Riza beg Gjakovës-Kryeziu, prijësit të parisë së Rra- fshit të Dukagjinit siç thotë historiani i mirënjohur Gjakovarë prof.dr. Zekeria Cana në librin e tij Kryengritja shqiptare e vitit 1912 në Dokumentet Serbe, botuar në Prishtinë nga Instituti Albanologjik në vitin 2008.

Djemtë e tjerë të tij ishin Murad(Raad-a)begu,Hysen(Cena)begu, Hasan begu,Gani begu dhe Said begu. Secili prej tyre, kush më shumë e kush më pak,shquheshin për aktivitete patriotike që kishin për qëllim ruajtjen dhe forcimin e trungut kombëtar dhe shtetit shqiptar.

Prof.dr. Masar Rizvanolli shkruan se Gjakova ka një traditë të pasur të arsimit dhe të kulturës, traditë, e cila filloj qysh me fillimin e jetës qytetare në te, qysh kur Sulejman Hadim aga ndërtoi dhe vakëfoi në vitin 1595-5, pos hanit, hamamit dhe disa dyqaneve, një xhami, një shkollë(mejtep), një bibliotekë dhe një muvakit-hane, një”Objekt për matjen e kohës dhe për caktimin e kalendarit me ndihmën e kuadranteve astrolabike”.

Më vonë zhvillimin e arsimit dhe të kulturës në Gjakovë e ndihmuan pjeswtarët e familjes Kurtpasha (Kryeziu), disa nga të cilët ndërtuan xhami, mejtepe dhe medrese. Një rol të rëndësishëm në pasurimin e traditës arsimore në trevën e Gjakovës dhe me gjerë pati hapja e shkollave fetare, në fillim e mejtepeve dhe, më vonë, e medreseve. Medreseja e Madhe, një qendër e rëndësishme arsimimi dhe edukimi në frymën fetare dhe kombë tare, në të cilën vijuan mësimet me mijëra të rinj nga të gjitha trevat e Rrafshit të Duka gjinit, të Malësisë, të Hasit etj. u themelua qysh me 1707 nga Alimi dhe bëmirësi i madh Murat beu, i biri i Adem pashës (kryeziu) i cili kishte shërbye si mytesarrif në sanxhaqet e Ohrit, të Elbasanit dhe të Shkodrës. Kjo shkollë punonte sipas programit të Fakultetit Teologjik ”Fatih” të Stambollit. Kishte një konvikt të madh dhe një bibliotekë të pasur. Nxënësit e kësaj medreseje i vazhdonin shkollat e larta në Stamboll dhe në Aleksandri.

Ndërkaq prof.dr. Nehat Krasniqi thekson se zhvillimi i arsimit dhe kulturës në Gjakovë gjatë periudhës osmane nuk mund të merret me mend pa kontributin e familjes fisnike Kryeziu (Kurtpasha).Pinjollët e kësaj familjeje kanë ndërtuar pothuaj të gjitha objektete kultit dhe të kulturës islame në Gjakovë. I pari pashë i kësaj dere fisnike ka qenë Kurt Pasha, muhafiz i Ujvarit në vitin 1663.I biri i tij, Hasan Pasha,ka qenë pjesëmarrës aktiv në luftërat austro-turke. Në vitin 1694, Hasan Pasha ka qenë mytesarrif i Shkodrës.Mbi njëzet pasardhës të Kurt Pashës, kanë arritur gradën pasha. Disa prej tyre u dalluan si mbështetës të zhvillimeve kulturore e arsimore në Gjakovë. Mahmud Pasha,i biri i Hasan Pashës, ka ndërtuar xhaminë dhe mektebin në qendër të Gjakovës që mban emrin e tij. Murad Pasha, i biri i Adem Pashës, (vd. rreth vitit 1748), ka ndërtuar dhe ka dhuruar Medresenë e Madhe dhe Teqenë e Madhe të saadinjve në Gjakovë(19).Këto dy objekte kanë qenë institucionet më të rëndësishme kulturore edukative të Gjakovës. Myderriz i parë në Medresenë e Madhe të Murad Pashës në Gjakovë, ka qenë Yvejs efendiu nga Shkodra. Ndërsa shehi i parë i Teqesë së Madhe të saadinjve ka qenë Sylejman Axhiza Baba, po nga Shkodra(20)I ati i Murad Pashës, Adem Pasha, në ato vite, ka qenë mytesarrif në disa sanxhaqe shqiptare. Në vitin 1694 ka qenë mytesarrif i Ohrit, në vitin 1696 mytesarrif i Elbasanit, në vitin 1697 përsëri mytesarrif i Ohrit, ndërsa në vitin 1699, kur Axhiza Baba vjen në Gjakovë, Adem Pasha ishte mytesarrif i Shkodrës(21). Shejh Sylejman Axhiza Babanë Gjakovë ka ardhur në vitin 1699 dhe ka filluar aktivitetin për ngritjen shpirtërore të masave dhe për përhapjen e tarikatit Saadi, tarikat ky, deri atëherë i papranishëm në trojet shqiptare. Objektet që Murad Pasha ndërtoi, kanë rëndësi të veçantë kulturo-arsimore dhe fetare.Teqenë e Madhe, Murad Pasha e ka ndërtuar në vitin 1714, siç konfirmon Axhiza Baba me një tarih (kronogram) në Divanin e tij(22). Ndërsa vakufimi i saj dhe i objekteve tjera që ka ndërtuar Murad Pasha, është bërë në vitin 1732. Axhiza Baba, në Divanin e tij  i ka kushtuar një poezi lavdëruese Mehmet Pashës së Gjakovës, nga e cila kuptojmë se ai, në vitin 1717, përkrah Mehmet Pashës (Kryeziu) të Gjakovës ka marrë pjesë në luftën kundër Venedikasve që është zhvilluar në Ulqin(23). Axhiza Baba ka vdekur në Prizren në vitin 1747 -48.Murad Pasha ka qenë mecen i vërtetë i dijetarëve dhe intelektualëve të kohës. Ai edhe vetë ka qenë njeri i ditur dhe i penës,gjë që vërtetojnë dorëshkrimet të cilat ruhen nëpër disa koleksione në Prishtinë, Gjakovë dhe Sarajevë. Nga dera fisnike e Kryezive (Kurt- pashëve) dolën dijetarë dhe poetë, si: Sejfedin Pasha, i biri i Ali Pashë Gegës (vd.1790); Ahmed Kurd Pasha ( vd. 1827) dhe Mustafa Pasha (i biri i Sejfedin Pashës). Sejfedin pasha i parë ka ndërtuar një xhami e cila quhej Xhamia e Sefës,ndërkaq Mustafa Pasha (Kryeziu) gjyshi i Riza bej Gjakovës në fillim të shekullit 19 ka ndërtuar në Gjakovë,në trojet e veta, Kullën e Sahatit.Edhe zonjat Sofa dhe Hanka, të cilat kanë qenë nga kjo derë fisnike, kanë ndërtuar nga një xhami në Gjakovë.

.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Loading…

0

Gjon Muharremaj, këngëtari shqiptar që arriti sukses të madh në Eurovision

“Flokët e gruas janë bishti i djallit”