in

Akuza brenda LDK-së për manipulim të votave: “Skemë kriminale”

Kur po afronte fundi i numërimit të votave të diasporës në Kosovë, brenda LDK-së disa prej anëtarëve të Kryesisë insistonin se ishte orkestruar një “skemë e organizuar kriminale” brenda partisë që drejtohet nga Lumir Abdixhiku.

Portali Reporteri.net ka publikuar disa nga komunikimet e brendshme të anëtarëve të kryesisë qendrore të LDK-së. Ato janë bërë në 2 mars 2025 në grupin në “Viber” ku pjesë e tij është edhe kryetari Lumir Abdixhiku si dhe zyrtarët e tjerë të kësaj partie si Kujtim Shala, Arben Gashi, etj.

Ish-shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi këmbëngulte se ka pasur vjedhje të votave për kandidatët për deputetë nga brenda partisë dhe insistonte se skema, që sipas tij u orkestrua nga disa bashkëpartiakë, t’i vihet emri “skemë kriminale”.

“Faktet po ulërasin o Kujtim. Ti duhet me u pajtu me shqetësimin, për krimin qe ka ndodhë”, – shkruante Arben Gashi në grupin në “Viber” të kryesisë qendrore të LDK-së.

“Asnjë manipulim nuk është i tolerueshëm”, i përgjigjej Kujtim Shala. “Për të gjitha”, vazhdonte numri 2 i listës zgjedhore të LDK-së.

“Kujtim, qitja emrin, nuk është manipulim, është skemë e organizuar kriminale. Pa e identifiku sakt problemin nuk mundemi me e shpëtu partinë”, – insistonte Arben Gashi.

“Ok dajë, e identifikojmë dhe e adresojmë si duhet. Jemi ne, por kemi edhe institucione që merren me gjëra të tilla”, reagoi sërish Shala.

Me “Ok.” e mbyll diskutimin më të Arben Gashi.

“Skemë kriminale” e kishte quajtur më herët edhe anëtari tjetër i kryesisë Shkëmb Manaj. Në një mesazh të tij ai akuzonte partinë e tij për vjedhje të votave, të cilin Manaj e kishte dërguar në grupin e brendshëm të Kryesisë në “WhatsApp”.

Akuzat e Manajt në grupin në “WhatsApp” të kryesisë së LDK-së ranë edhe në duart e prokurorisë të cilat ia bashkuan hetimit për vjedhje votash.

“Nuk lejoj kurrë që mandatin të cilin ma kanë dhënë qytetarët, të më vjedhjet nga ata qe me skema të shitblerjes se votave dhe të mbushjes industriale të tyre në postat e vendeve evropiane nga grupe dhe individë që me logjikën e tyre të veprimit nuk kanë të bëjnë asgjë me LDK-në” – thuhej nder tjera në mesazhin e Manajt.

Pak javë pas akuzave për partinë e tij, Shkëmb Manaj u shpërblye me vendin e nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, komunë e cila qeveriset nga Përparim Rama i LDK-së. Njoftimin e dha vetë i pari i partisë, Lumir Abdixhiku.

Nga ana tjetër, në grupin në “Viber” të kryesisë së LDK-së, pos Kujtim Shalës e Arben Gashit, në diskutimin për “skeme të organizuar kriminale” të “vjedhjes së votave” u përfshi edhe deputeti i zgjedhur i LDK-së, Armend Zemaj.

“Edhe unë kam shumë çka për të folur për dyshimet me abuzim me vota, të cilat e të cilët e kanë dëmtuar LDK-në e jo që e kanë ndihmuar. Askujt nuk i duhet mandati me marrë në kurriz të punë dhe përkushtimit të devotshëm të strukturës dhe anëtarëve besnik të LDK-së në mërgatë. Mireutakofshim në kryesi”, shkruante Zemaj.

Një porosi për kolegët e kryesisë së LDK-së, pati edhe ish-kryeministri Avdullah Hoti.

“E çuditshme me votat e diasporës së LDK-së nga Komuna e Rahovecit!!! Nga disa kuti po rezulton se diaspora e Rahovecit po i voton kandidatët e Pejës, të Prishtinë e të disa komunave të tjera në masë të madhe jashtë shpërndarjes normale të votave!!! Ndoshta ky është vullneti i elektoratit të LDK-së në diasporë nga Komuna e Rahovecit!!! Por, të njëjtit kandidatë, në Degën e Rahovecit në Kosovë kanë marrë vota sipas një mesatareje të përgjithshme të shpërndarjes së votave në gjithë listën e LDK-së. Në tentoj t’i besoj kësaj shpërndarjeje më shumë, sepse besoj se përfaqëson vullnetin e elektoratit të LDK-së, në Degën e Rahovecit. Ndoshta Grupi i Kryesisë së LDK-së që ka punuar me diasporë na njofton se çfarë po ndodh. Ndoshta unë nuk i kam informatat”, – shkruante Avdullah Hoti, më 2 mars 2025, në grupin në “Viber” të kryesisë së LDK-së.

Disa ditë pas këtyre diskutimeve, Lumir Abdixhiku mblodhi më 10 mars 2025 kryesinë e partisë së tij, në një mbledhje të gjatë e të tensionuar.

Situata e krijuar në LDK, pas kësaj mbledhje dhe këtyre diskutimeve në “Viber” e “WhatsApp” u shpërfaq në publik nga Avdullah Hoti edhe me një reagim të tij më 18 mars 2025, në Facebook – me anë të të cilit ish-kryeministri kërkoi lidership të ri për LDK-në. Reporteri.net shkruan se ka provuar t’i kontaktojë Hotin, Shalën dhe Zemajn, por asnjëri prej tyre nuk janë përgjigjur, përveç Gashit i cili nuk pati koment. ©LAPSI.al

Shpërthim tek zyrat e Postës së Kosovës në Zveçan

Parashikimi i motit: Vranësira dhe reshje shiu