in

AGK: Të ndriçohen rastet e gazetarëve të vrarë dhe të pagjetur

 

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), kërkon ndriçimin e rasteve të gazetarëve të vrarë dhe të pagjetur në Kosovë.

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Mosndëshkimit për Krimet ndaj Gazetarëve, AGK-ja bën thirrje që autorët e krimeve ndaj gazetarëve të dalin para drejtësisë dhe ta marrin dënimin e merituar.

“Mosndëshkimi i krimeve të kryera ndaj gazetarëve është sinjal i keq për sundimin e rendit dhe të ligjit në Kosovë dhe barrë që rëndon në vazhdimësi mbi familjet e viktimave dhe komunitetin e gazetarëve që prej vitesh kërkojnë drejtësi. Kjo klimë e pandëshkueshmërisë ndikon në lirinë e raportimit dhe inkurajon që në të ardhmen të ndodhin sulme e kërcënime të tjera”, thuhet në një reagim të AGK-së.

 Kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli Pustina, fton organizatat ndërkombëtare që të ndihmojnë për krijimin e një fondi të veçantë për hulumtimet e gazetarëve për hetimin dhe ndriçimin e rasteve të kolegëve tanë të vrarë dhe të pagjetur.

 “Për mua jo vetëm si Kryetare e AGK-së, jo vetëm si gazetare, por pikë së pari si njeri, është mëse e rëndësishme që jo vetëm kryrësit, por edhe urdhërdhënësit e këtyre krimeve të dalin para drejtësisë. Edhe më herët e kam thënë se mua si përfaqësuese e gazetarëve nuk më intereson as edhe një moment se çfarë etnie ka vrasësi, çfarë religjioni mund të ketë, çfarë funksioni mund të kenë urdhërdhënësit e vrasjeve, për mua e rëndësishme është t’i shoh aty ku e kanë vendin, bashkë me kriminelët e tjerë. Këtë e presim të gjithë, sikurse familjarët ashtu edhe ne gazetarët dhe të gjithë ata që po punojnë çdo ditë, për një shtet të së drejtës ku mbizotëron rendi dhe ligji”, u shpreh Begolli Pustina.

AGK-ja rikujton se 12 gazetarë janë vrarë gjatë dhe pas luftës në Kosovë dhe 4 gazetarë raportohen si të pagjetur.

 “Hetimi i këtyre rasteve ka qenë përgjegjësi e UNMIK-ut (Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë) e më pas EULEX-it (Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Rendit dhe të Ligjit) ndërsa që nga marsi i vitit 2017, Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumnezi, ka caktuar një prokuror-koordinator për rastet e kanosjeve apo veprave të tjera penale në drejtim të gazetarëve. Në vitin 2018, Federata Evropiane e Gazetarëve, në takimin vjetor në Lisbonë, ka miratuar një rezolutë përmes së cilës kërkohet hetimi i vrasjeve dhe zhdukjeve të gazetarëve në periudhën 1998-2005 dhe kompensimi i familjeve të viktimave. Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka shpallur 2 Nëntorin, Ditën Ndërkombëtare për Përfundimin e Mosndëshkimit të Krimeve ndaj Gazetarëve, duke iu bërë thirrje shteteve anëtare që të zbatojnë masa që të luftojnë kulturën aktuale të mosndëshkimit”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Në këtë ditë bëhet fushatë globale përmes së cilës kërkohet nga institucionet shtetërore që të parandalojnë dhunën në drejtim të gazetarëve./Gazetablic/                       

Lini një Përgjigje

Kamberi nuk bën kompromis me qeverinë serbe

Betejë e ashpër për vota Trump-Biden në prag të zgjedhjeve