Blerim Latifi, profesor universitar i ka reaguar kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtirit, i cili lavdërohet se ka gjetur donatorë për ndërtimin e dyzetë shtëpive në katundin Frashër. Latifi ia kujton në Facebook Bahtirit se “Qatar Charity”, me të cilën ka bërë marrëveshje komuna e Mitrovicës dyshohet për financimin e organizatave terroriste në botë.
Reagimi i Blerim Latifit:
“Agim Bahtiri, kryetari i Mitrovicës, paska bërë marrëveshje me Qatar Charity për ndërtimin e 40 shtëpive në fshatin Frashër. Në kompleks qenka paraparë që të vendoset edhe një qendër për nevojat e kësaj organizate. A i ka tregu dikush Bahtirit se kjo organizatë akuzohet se e shfrytëzon rrjetin e saj ndërkombëtar të bamirësisë për të transferuar financa për grupet që nxisin dhe organizojnë aktivitete terroriste nëpër botë?A e di ky Agim Bahtiri se interesi kombëtar është më i rëndësishëm se 40 shtëpi për njerëzit e varfër, të cilët i kanë zhytur në mjerim qeverisjet katastrofale të shumë bahtirëve në Kosovë, e tash janë të detyruar të pranojnë lëmoshën e kushtëzuar të organizatave të dyshimta të Lindjes së Mesme?A ka ky vend mekanizma që e mbrojnë interesin kombëtar të tij, apo duhet të presim që të fundosemi krejtësisht në humnerë, e pastaj të kërkojmë që ata të cilët dje na shpëtuan nga gjenocidi serb, të ndërhyjnë përsëri për ta na shpëtuar, kësaj radhe nga budallakitë tona vetëvrasëse?