in

A e rithemeluan mirditorët Gjakovën?

 Shkruan: Gani Mehmetaj

Nga libri: “Qytetet e Ilirisë”

   Gjakovarët me rrethinë, në kohën e Perandorisë Osmane, pësuan fatin e hebrenjve nën sundimin romak: u strehuan shkrepave deri në Mirditë. Por qindra vjet më vonë, mu si hebrenjtë, u kthyen në tokën e të parëve, sepse u ngopën me jetën e rëndë të malësorit. Mbi gjysma e banorëve të qytetit janë me prejardhje nga Mirdita e Malësia. Mbiemrat e gjakovarëve këtë e dëshmojnë më së miri, krenaria karakteristike gjakovare e mbyllja brenda gëzhojave të fisit, flet qartë ku i ushqyen rrënjët, po ashtu sjelljet aristokratike vijnë si një jehonë e largët e një privilegji të dikurshëm, por që sot shpesh tingëllojnë vese mikroborgjeze të mbylljes në guacën e kasabasë orientale.   Në Gjakovë janë gjetur dy pitosë (drithnikë) antikë të një bukurie të veçantë. Gjakova mund të mburret edhe me dy skulptura gracioze të burrave, ndër herët e rralla, ku në mbishkrime të stelave identifikohen emrat ilirë. Gypa ujësjellësi, fragmente qeramike, pjesë të ngrohjes me avull të shtëpive, almise për amvisni e raritete arkeologjike, dëshmojnë qytetërimin e lashtë. As sot nuk ka ngrohje me avull nga muri, ndërsa atëbotë Gjakova e kishte.   Qindra objekte e stoli ari i rrëmbeu ushtria turke kur ia mbathi; rrëmbeu mizorisht edhe ushtria serbe e malazeze, kur e zëvendësoi pushtuesin e Anadollit; qindra thesare kombëtare i mori edhe ushtria austro-hungareze, kurse nuk mbeti pa gjë as ushtria gjermane e Hitlerit. Qyteti u zhvat, u plaçkit e u dogj si asnjë vend tjetër në Dardani.   Gjakova ka vazhdimësi jete e qytetërimi edhe në mesjetë, që fatkeqësisht nuk është hulumtuar. Regjistrat turko-sllavë nga të cilët pavarësisht deformimeve të emrave, shihet se popullata me shumicë absolute është arbërore. Ndërkaq, tri kështjellat në malet perëndimore: Kështjella e Lekës, Kështjella e Mbretit dhe Kështjella e Jerinës, krahas kështjellës në Sukën së Cermjanit, kanë mbrojtur qytetin antik e mesjetar të Gjakovës, mbase edhe ndonjë qytezë tjetër.   Dy lokalitete, njëri i epokës parahistorike dhe tjetri i antikës: Moglica, ku është hulumtuar dhe janë gjetur dëshmi materiale të ilirëve e Skifjani, ku pa u hulumtuar kanë dalë në sipërfaqe krahas rrënojave të një qyteze antike edhe pitosë e gjetje të tjera materiale interesante, dëshmojnë për një qytetërim të lakmueshëm, që nuk e kishim më vonë. Dy gjetjet: skulpturat e bukura të antikës dhe pitosët dolën në sipërfaqe gjatë rrënimeve të objekteve të vjetra.   Në qytetin e Gjakovës asnjëherë nuk janë bërë hulumtime arkeologjike, sikurse nuk janë bërë hulumtime në asnjë qytet të Kosovës, përjashtim bën Nuovo Berda, kështjellë e qytetit, e familjes arbërore Spani.   Me gjithë të kaluarën për lakmi, jo rrallë ka përpjekje të çoroditura të shtrembërohet historia kur thuhet se Gjakova a qytetet e tjera shqiptare me vazhdimësi qytetërimi nga antika, kinse qenkan themeluar pas ardhjes së turqve. Për Gjakovën, sipas një legjende të vonshme, thuhet se u themelua në tokat e Jakë Vulës, ndërsa Hadumi, një tregtar i paskrupullt e me të kaluar të errët, që t’i bënte lajka pushtetit turk, e rrënoi kishën katolike dhe mbi themelet e kishës ndërtoi xhami. Xhamia e Hadumit u quajt, kurse sipas kuptimit të asaj kohe, hadum d.m.th. “i leçitur”, “i  përbuzur” nga komuniteti. Hadumi, emri i vërtetë i të cilit nuk dihej, nuk arriti ta hiqte nofkën, por arriti t’ia shtonte gradën në “aga”. 

Sipas versionit të sheqerosur islamik, Hadumi, i ardhur nga Guska,  bindi Jakun e Vulës  ta dhuronte tokën për ndërtimin e xhamisë! Pse duhej të lëshonte tokat e veta, arbërori – katolik Jak Vula për xhaminë turke? Askush nuk e thotë çfarë pati nën Xhaminë e Hadumit dhe xhamitë e tjera, që u ndërtuan më vonë nga Perandoria Osmane: faltore ilire, banja publike ilire-romake, a shëtitore të shtruara më kalldrëm nga mesjeta? Hadumi me ndihmën e pushtetit turk ia mori tokën Jakut. Qyteti e mori emrin nga Jak Vula, por përmes mbaresës turke Jakova, që d.m.th. “toka e Jakut”. Por pse në shqip doli Gjakova? Prapë mjegulla e paqartësisë e fsheh prejardhjen. Ta ketë marrë emrin nga gjaku që rrodhi lumë në këtë qytet e rrethinë? Gjakova ishte arenë e sulmeve të përgjakshme avare-bullgare, sllave, turke e serbe.  Thuhet se bullgarët e serbët në mesjetën e hershme i dogjën shumicën e kishave paleokristiane të ilirëve, meqë serbët e bullgarët ishin paganë. Rrënojat e këtyre kishave ende janë dëshmitarë të luftërave e rrënimeve të pafundme. Ndërkaq, pushtuesi turk kishat i shndërroi në xhami e tyrbe.  

   Shndërrimi i kishave në xhami ishte tipikja e veprimit turk në Dardani e në Shqipëri. Xhamia e Hadumit është shembull i tillë. Ngjashëm me Gjakovën, në Pejë, kisha e vjetër katolike në qendër të qytetit u shndërrua në xhami (Xhamia e Çarshisë). Mbi shumicën e rrënojave të kishave katolike mesjetare janë ndërtuar xhamitë turke. Në Prishtinë mbi Katedralen katolike, ku u varros Pjetër Bogdani, u ndërtua Xhamia e Sulltan Mehmetit.    Çka na shtynë të konstatojmë se ka rrënoja të kishave katolike në qytet. Rrënojat e mbi pesëdhjetë kishave të antikës së vonë e të mesjetës në katundet e Gjakovës i ndeshëm në dhjetëra katunde shqiptare gjatë hulumtimeve të prillit. Pse të mos ketë rrënoja të këtilla në zemër të qytetit arbëror-shqiptar të Gjakovës? Po të rrëmohet Xhamia e Hadumit, apo themelet e Çarshisë së Vjetër çfarë do të dilte? Çarshia e kohës së Turqisë, sigurisht mbi themelet e një tregu më të hershëm, është ndërtuar, apo rindërtuar, ashtu sikurse në atë treg të vjetër ka ekzistuar një faltore ilire, më vonë një kishë, një objekt publik dhe kështjella. Gjakova e Peja kishin kështjella mesjetare që nuk i kanë më.

   Struktura e popullatës edhe sipas regjistrave të vjetër, shqiptare ishte. Por historikisht një pjesë të tyre i dëboi Perandoria Osmane, për shkak të kryengritjeve të vazhdueshme, një pjesë i tërhoqi zvarrë deri në Anadoll për ndëshkim, prej nga kurrë nuk u kthyen.   Gjakovarët me rrethinë, në kohën e Perandorisë Osmane pësuan fatin e hebrenjve nën sundimin romak: u strehuan shkrepave deri në Mirditë. Por qindra vjet më vonë, mu si hebrenjtë, u kthyen në tokën e të parëve, sepse u ngopën me jetën e rëndë të malësorit. Ktheheshin valë-valë, kur dobësohej Perandoria Osmane. Mbi gjysma e banorëve të qytetit janë me prejardhje nga Mirdita e Malësia. Mbiemrat e gjakovarëve këtë e dëshmojnë më së miri, krenaria karakteristike gjakovare e mbyllja brenda gëzhojave të fisit, flet qartë ku i ushqyen rrënjët, po ashtu sjelljet aristokratike vijnë jehonë e largët e një privilegji të dikurshëm, por që sot shpesh tingëllojnë vese mikroborgjeze të mbylljes në guacën e kasabasë orientale. Gjakovarët e mbajnë në mend kur erdhën nga Mirdita, por fare pak e dinë kur shkuan në Mirditë, ndërsa ka mirditorë që e dinë kur erdhën nga Gjakova.      A janë mirditorët themelues të GjakovësGjakova i kishte themelet e vjetra, ishte qytet antik me godina publike, me kisha e kazerma ushtarake, shtëpitë e aristokratëve kishin  ngrohje qendrore me gypa që ngrohnin nga muret e jo nga dyshemeja. Gypat e ujësjellësit e sillnin ujin nga mali i afërt. Dëshmitë e gjetura tregojnë për një të kaluar dymijëvjeçare, pra shumë para përrallës për Jak Vulën e Hadumin, apo kronikat e Evlia Çelebiut.  Mirditorët e malësorë e tjerë e rithemeluan, e ripërtërinë, e freskuan me gjak të ri Gjakovën e katundet nga Hasi deri në kufi me Deçanin, meqë lufta turko-arbërore, pastaj lufta turko-austriake, murtaja e sëmundjet e ndryshme e përgjysmuan krahinën. Natyrisht vendësit e kthyer më herët nga ekzili nuk i pritën mirë të kthyerit e rinj. Fërkimet shpreheshin në mes të mirditorëve të vjetër, tashmë të islamizuar dhe mirditorëve të rinj katolikë, që me kohë nisën të shkrihen në qytetin e ri të Jakut, shumica prej tyre vetëm mbiemrat shqiptarë katolikë ruajtën. Por të tjerët ndryshuan emër e mbiemër: pinjojtë e Gjon Markagjonit u bënë familja e Hajdar Osmanhajdarit, bie fjala.   Kush është më i parë dhe kush më i dytë? Kush hoqi dorë nga rrënjët e kush e mbajti fenë e të parëve, vazhdon të përtypet në dyqind vjetët e fundit herë me intensitet, herë bie intensiteti.Gjakova në këtë ripërtëritje të qytetit me mirditorë shquhet nga të gjitha qytetet e tjera. Prandaj, në qytet kurrë nuk është folur turqisht, prandaj i pranuan me rezerva xhamitë turke, më parë pranuan teqe iraniane e kurde, si një surrogat islamo-paleokristian, ku vera e rakia nuk është ndalesë.   Në qytetari, katundi Skifjan rivalizon me Gjakovën. Në antikë e në mesjetë thuhet se kishte shkallë të lartë të qytetërimit. Sipas gojëdhënës, që është vështirë të vërtetohet, kur ndërtohej Skifjani, lëndët e drurit i nxirrte në Gjakovë, që ishte pyll(!), ndërsa macja ecte me kilometra sipër mureve.   Por ashtu si në Skifjan, edhe në shumicën e katundeve të Gjakovës, janë të sigurt se dokumentacioni për të kaluarën e tyre të lavdishme është në Vatikan. Kishat katolike një herë i dogji hordhia serbe, pastaj ajo osmane, priftërinjtë arbërorë ishin përndjekur nga të dy pushtuesit, kështu që vetëm nga relacionet e priftërinjve, apo nga dokumentacioni që kanë arritur ta bartin në Romë, mund të ndriçohet historia e Gjakovës dhe e katundeve.   Në Vatikan mund të gjendën shënime për Skifjanin, ishte i sigurt edhe Osman Nezaj, banor vendës. Skifjani ka gjetje të mrekullueshme arkeologjike: gypa të ujit, tulla që e bartin ngrohjen qendrore nën dysheme e në mure, qeramikë në disa qindra hektarë etj. Është lokaliteti më i madh e më interesant për arkeologë në Komunën e Gjakovës. Ka vazhdimësi jetese mbi dymijëvjeçare.Ndërkaq, sot të vjen plasja, kur shfleton katalogë të ndryshëm për Gjakovën, sepse gjen shënime të vëna në kursivë vetëm nga kronisti Evlia Çelebiu e këndej. Vetëm pas kësaj kohe paraqiten begatitë, lulëzimi i qytetit e numri i banorëve!   Pse? Ku është e kaluara dymijëvjeçare e Gjakovës. Kujt i shkon për shtat të mbulohet e kaluara e njërit nga qytetet më të vjetra e më të njohura shqiptare.

Po qyteti Rudina, ku është?  

Lini një Përgjigje

Kroacia po ndihmon Kosovën për forcimin e ushtrisë

Kongresi Panshqiptar Amerikan (KPA) takon udhëheqësin e BDI-së, Ali Ahmetin