Rrëfimi tronditës nga perspektiva e një të sëmuri jashtë spitalit
Shqiptarët e sëmurë shëtisin nga spitali në spital, nga mjeku në mjek, të lodhur, të frustruar e dëshpëruar, e më thoni që po na vret ky dreq virusi?
Tiranë, 10 nëntor 2020
Së fundmi, i gjithë globi është përfshirë nga ethet e pandemisë Covid- 19. Përhapja e menjëhershme, paaftësia jonë për ta ndalur gjithë këta muaj, mungesa e dijeve mbi mënyrën e trajtimit, ankthi i shkaktuar nga informacioni i vazhduar aspak pozitiv, duket se kanë vënë në alert çdo individ të thuajse çdo shteti të botës.
Por duket se si përherë të qenit shqiptar, nuk t’i bën gjërat më të lehta, në të kundërt, të ngarkon në kurriz një barrë shtesë, përveç asaj të sëmundjes. Shqiptarët nuk po vuajnë vetëm nga Covid-19, po vuajnë edhe më shumë, atë që pakkush po guxon ta thotë me zë të lartë, keqmenaxhimin!
Nuk jemi në pikën më kritike, këtë po na e ngulisni në kokë çdo ditë kur përpiqeni të na fusni tmerrin për t’u kujdesur, por shohim që ambulancat grumbullohen përpara spitaleve, e kjo nuk është e lehtë për t’u kapërdirë nga ai që qëndron në shtëpi i sëmurë, me tmerrin se mos i vete puna të jetë një nga ata personazhet që sheh në televizor.
A duhet të rrinë urtë shqiptarët e të dëgjojnë kur ministrja e shëndetësisë deklaron që “Të jesh në autoambulancë, është njësoj si të jesh në spital”. Mbase ajo nuk e di ende, sepse nuk është staf spitalor, por autoambulanca është ndërtuar për të transportuar të sëmurë, jo për të zëvendësuar spitalin.
Pagesa nën-dorë për Spitalin Ushtarak është 10,000 Lekë të reja
E dini se në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” ofrohen CT-scan me 7,000 Lekë të reja? Jo, me siguri. Vetëm kë ka zënë halli e di.Nëse shkon me planifikim nga specialisti në Tiranë, të duhen pafund javë për ta kryer, e nëse shkon në një spital privat të duhen më shume se dy-fishi i parave. Nëse u çuditët nga ky fakt, pagesa nën-dorë për Spitalin Ushtarak në momentin që unë po shkruaj është 10,000 Lekë të reja. Më vjen keq që shkruaj këto, sepse kam vlerësimin dhe respektin maksimal për mjekët e gjithë stafin mjekësor, për ata me etikë e respekt për punën e tyre, por dështimi i sistemit bën të ngrenë kokën degët e kalbura.
E nisa me skaner-in kur në fakt duhet ta kisha nisur me tamponin, po sepse në këtë rast kot të shkruaj. E dimë këtë, tamponi arrihet të realizohet diku 8-10 ditë pasi je regjistruar në sistem, kur ose ke marrë mjekim apriori duke e supozuar që ajo që po kalon është Covid, ose kanë filluar komplikacionet, e sigurisht e merr përgjigjen mesatarisht pas 10 ditësh pasi të ka kaluar sëmundja (në versionin e mirë të fakteve).
Por, ka dhe një habi të re kohët e fundit, kur mjekët (nisur prej simptomave dhe analizat laboratorike e imazherike) të konfirmojnë sëmundjen por tamponi të del negativ… E ky është një problem që duket se po bëhet gjithnjë e më i shprehur këto ditë.Nuk di nëse ka të bëjë me vonesën në marrjen e testit, me aftësinë e personave që e administrojnë, saktësinë e testeve që përdorim, ngarkesën në punë të personelit të laboratorit apo mos e dashtë Zoti tendencën për të kontrolluar numrat e rasteve pozitive. Nuk dua të aludoj… e në fund të fundit ç’po të duhet pozitiviteti i testit kur dergjesh në shtrat, simptomat janë të qarta e mjeku ta ka konfirmuar…Epo këtu ka një problem tjetër, se pa i hyrë faktit që duhet të izolohesh, të kujdesesh, te ruash familjarët e personat e tjerë të përditshmërisë tënde, të duhet edhe të marrësh leje nga puna. Sepse jeta vazhdon edhe pas Covid-it, apo jo?Vetëm se, sipas rregullores, mjeku i familjes nuk të jep dot më shumë se dy javë raport (qoftë edhe me rekomandimin e mjekut specialist), nëse ti nuk e ke të konfirmuar diagnozën me CT apo tampon pozitiv.E ne e dimë që në një pjesë të madhe të rasteve kjo sëmundje nuk zgjat dy javë…E shqiptarët e sëmurë shëtisin nga spitali në spital, nga mjeku në mjek, të lodhur, të frustruar e dëshpëruar, e më thoni që po na vret ky dreq virus?
Nuk dua të bëj rolin e gojëkeqit, por po lodhemi!Nuk na erdhi papritur, supozohet të kemi muaj që përgatitemi dhe durimi e rezistenca që kërkohet prej nesh nga politikëbërësit nuk mjaftojnë. Arroganca juaj nuk na zgjidh punë.Kopjoni nga kush di të bëjë, nëse nuk dini, por mos na trajtoni si budallenj, shqiptarët mallkimi më i madh që kanë është që rrinë urtë kur duhet të bërtasin, por ka një kufi!