in

Jeta nën sundimin e talibanëve pakistanezë

Grupi ekstremist, The Tehrik-e Taliban Pakistan (TTP), ka rifituar terren në veriperëndim të Pakistanit, duke imponuar sundimin e tij brutal mbi qindra mijëra njerëz.

Ata që jetojnë nën sundimin e TTP-së thanë se grupi islamist i linjës së ashpër ka kufizuar liritë dhe të drejtat e tyre, përfshirë të drejtat e grave. Vrasjet, rrëmbimet, zhvatjet dhe ngacmimet dominojnë jetën e përditshme në disa zona, thanë ata.

TTP-ja u dëbua nga bazat e saj pas një ofensive të madhe ushtarake pakistaneze në vitin 2014. Por, në vitet e fundit grupi ka rivendosur kontrollin e tij në disa pjesë në provincës veriperëndimore pakistaneze të Kiber Paktunkva, ku aktualisht është aktiv në 10 nga 34 qarqet e provincës.

TTP-ja shpesh sundon gjatë natës. Pasi të bjerë terri, forcat qeveritare tërhiqen në postet dhe bazat e tyre dhe shumë civilë refuzojnë të dalin jashtë nga frika e militantëve.

Rikthimi i TTP-së në rajon ka nxitur largimin nga rajoni të mijëra profesionistëve, biznesmenëve dhe pronarëve të mëdhenj të tokave.

“Askush nuk është i sigurt, asnjë vend nuk është imun nga prania e tyre”, tha Humayun Mehsud, i cili së fundi është larguar nga një qark i Vazistanit Jugor. “Ata janë kthyer me forcë”.

Mehsud tha se ai u largua nga fshati i tij pasi TTP-ja, që njihet edhe si talibanët pakistanezë, rrëmbyen dhe vranë vëllain e tij, një punëtor qeveritar.

Mehsud, që tani jeton në kryeqytetin pakistanez, Islamabad, tha se TTP-ja ka themeluar qeverinë e saj në Vaziristanin Jugor, që është shtëpi e afër 900.000 njerëzve. Militantët, tha ai, kontrollojnë ekonominë lokale dhe kanë krijuar gjykatat e tyre për të zgjidhur mosmarrëveshjet mes banorëve lokalë.

“Atmosferë e frikës”

TTP-ja ka imponuar versionin e saj ekstremist të islamit në zonat që kontrollon, sipas banorëve lokalë.

Dëgjimi apo luajtja e muzikës është e ndaluar. Berberëve u ndalohet që të rruajnë apo shkurtojnë mjekrat e burrave. Disa shkolla të vajzave janë mbyllur apo shkatërruar dhe në disa zona, grave u është kufizuar dalja nga shtëpitë e tyre.

“Ata duan të na e kufizojnë jetën tonë këtu njësojë sikurse talibanët afganë kanë bërë në shtetin e tyre”, tha Saleem, një banor i qarkut Laki Marvat.

TTP-ja dhe talibanët afganë kanë lidhje të ngushta ideologjike dhe organizative. Pakistani i ka akuzuar talibanët afganë, që morën pushtetin më 2021, për strehim të militantëve pakistanezë.

Saleem, emri i të cilit është ndryshuar për shkaqe sigurie, tha se TTP-ja ka zëvendësuar autoritetet lokale në Laki Marvat, që është shtëpi e afër 1 milion personave.

Policia, tha ai, kanë braktisur postet e tyre pasi kanë qenë nën sulme të vazhdueshme të TTP-së dhe mijëra banorë po largohen nga zona.

Mohsin Tabeer Khan, aktivist politik dhe ish-ligjërues universitar, është në mesin e atyre që kanë qëndruar në Laki Marvat. Një kritik i TTP-së, ai ka marrë kërcënime nga grupi militant.

“Atmosfera e frikës është përhapur”, tha Khan. “Të gjithë mbyllen [në shtëpitë e tyre] pas perëndimit të diellit”.

Khan tha se TTP-ja ka shënjestruar punëtorët e Qeverisë lokale dhe personelin e sigurisë në këtë qark.

“Nëse të zënë që ke kartë identifikimi të Qeverisë, duhet të shqetësohesh për jetën tënde”, tha ai.

Abubakar Kurmiwal tha se TTP-ja së fundi ka avancuar në qarkun e Kuramit.

Ai tha se TTP-ja më 14 gusht rrëmbeu një kushëri të tij, i cili ishte akuzuar se ishte spiun i Qeverisë. Katër ditë më vonë, trupi i tij u gjet përgjatë një rruge, tha ai.

“Gratë nuk mund të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të këtyre militantëve”, tha ai. “Militantët shpesh i detyrojnë banorët lokalë që t’u japin ushqime”.

Muajin e kaluar, e vetmja shkollë në fshatin e tij u mbyll pasi të gjithë mësuesit u larguan, tha ai. 

REL

Piktori pas kritikave për heshtjen e tij mbi Kosovën

Virgjil Muçi: Shqiptarët kanë evoluar, serbët jetojnë me mitologji