Shkruan: Mevi Rafuna
Ti mund të jesh shumë i ditur në atdheun tënd- kjo nuk ka rëndësi, ashtu siç nuk kanë rëndësi vargjet e derdhura në letër apo tani në tastierë kur shtypet shpirti përmes shkronjave.
Nuk ka rëndësi qëllimi yt, nuk ka rëndësi misioni që ti e ndien sepse tashmë qëllimet dhe misionet nuk i përkasin njerëzisë.
Tani në atdheun tonë ka rëndësi vetëm një gjë- kush pasurohet brenda natës, kush rrenë dhe duartrokitet, kush bënë më shumë skandale, kush ulërin nëpër studio televizive dhe pretendon se e di të vërtetën universale.
Të gjithë ata njerëz të urtë që dikur kishe dëshirë t’i dëgjoje nuk janë askund dhe e gjithë ajo filozofi e tyre e modestisë, e jetës së thjeshtë, e dashurisë pa matës për atdheun nuk janë askund…
Sikur epoka e tyre u shua dhe sikur u izoluan diku të harruar nga vetja dhe shoqëria.
Dhe çfarë bëri ky sistem mafioz- me ferexhe islamike?!
E varfëroi të diturin, atdhetarin që punoi pa hile, e la me një qosh që as edhe familja e vet, mos ta merrte seriozisht.
Fjala e urtë u shua dhe bashkë me të u shua mendësia e një krijimi të një shoqërie demokratike.
Tani intelektuali i përbuzur nuk është model është më shumë përqeshje.
Kjo shoqëri dhe ky sistem politik mbahet nga llaskucët dhe servilët.
Janë këta llaskucë dhe servilë që nuk menduan kurrë asnjëherë, çfarë ndodhë me një student që nuk mund të punësohet në vendin e tij.
Nuk menduan dhe nuk u mërzitën për sakrificën e dikujt që u mundua t’i rris dhe t’i shkolloj fëmijët në Kosovën e lirë.
Janë këta llaskucë dhe servilë që tani ulërasin nëpër televizione pse u bë liberalizimi.
Sepse këta e deshtën njeriun të izoluar dhe të shtypur, sepse këta ndihen dikushi mes popullit që i ka mijëra e mijëra plagë të pashëruara.
Intelektuali shqiptar sot nuk ka atdhe. Dikujt mund t’i duket absurde ajo që shkruaj por kjo është e vërteta.
Intelektualit shqiptar më nuk i peshon fjala, fjala I peshon hajnit, rrencit, mashtruesit të cilët gjetën pozita nëpër institucionet shtetërore.
Prandaj jemi nëpër këtë katrahurë morale, kulturore dhe shpirtërore.
Kaloi gjysmë dekade që nga koha e luftës, do kaloj edhe një gjysmë tjetër pa u vërejtur… dhe kështu tranzicioni pa vlera do ta mbys edhe intelektualin e fundit…