Marjan Dodaj
Kisha e Shën Ndout në Prishtinë, e cila tash 66 vjet nuk ekziston më u ngrit në vitin 1927. Ishte e njohur si Kisha e Stakajve. Familja Staka e besimit katolik është ndër familjet e vjetra në kryeqytetin e Kosovës.Kisha u ndërtua aty ku sot është monumenti i heroit kombëtar, Zahir Pajaziti. U ngrit nga Stak Mirdita i njohur në Prishtinë si Stak Marku.
Kur Stak Mirdita nisi të ndërtonte kishën, Shyqri Beg Ramadani dhe disa fisnikë tjerë të besimit islam e ndihmuan financiarisht ndërtimin e saj.
Në vitin 1957, regjimi komunist me pretekst të rregullimit të planit urbanistik vendosi të rrënonte Kishën e Shën Ndout. Ditën kur u rrënua kisha, ndodhi diçka e pazakontë. Punonjësit shqiptarë të besimit islam refuzuan ta rrënonin kishën. Regjimi u detyrua të angazhonte punëtorë të besimeve dhe komuniteteve të tjera nacionale për rrënimin e saj.
Nga viti 1346 deri në vitin 1387, në Prishtinë ekzistonte kisha katolike e Shën Mërisë. Vizitori apostolik Pjetër Mazreku, në një shënim të tij për Prishtinën e shekullit shtatëmbëdhjetë shkruante: “Në Prishtinë jetojnë 20 familje të krishtera me afro 100 frymë. Ka disa vjet që kanë ndërtuar një kishëz. Pasi janë pak dhe janë skamnorë, ata nuk mund ta mbajnë priftin”!