Ushtria izraelite tha të dielën se kishte zbuluar një tunel të gjatë prej 55 metrash, 10 metra nën kompleksin e spitalit Al-Shifa të Gazës. Izraeli thotë se tuneli ishte i pajisur me shkallë, një derë të blinduar dhe një të çarë që mund të përdoret nga snajperët për të bllokuar forcat izraelite që të hyjnë brenda. Forcat mbrojtëse të Izraelit thonë gjithashtu se boshti i tunelit ishte në një pjesë të kompleksit spitalor ku javën e kaluar u gjet një automjet i mbushur me armë.
Ushtria izraelite njofton se ishte ende duke hulumtuar se deri ku arrin tuneli. “Gjetjet vërtetojnë qartë se ndërtesa të shumta në kompleksin e spitalit përdoren nga Hamasi si mbulesë për infrastrukturën dhe aktivitetet terroriste”, thotë ushtria e Izraelit. Ushtria izraelite është nën trysni për të mbështetur pohimet e saj se spitali Al-Shifa është përdorur psi bunker e qendër komanduese e Hamasit, grupit militant palestinez që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur si organizatë terroriste. Hamasi dhe personeli i spitalit i kanë mohuar akuzat.
Ndërkohë nga spitali Al-Shifa të dielën u evakuan mbi 30 foshnje të sapolindura. Foshnjet e evakuara janë dërguar në një spital të drejtuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe në qytetin kufitar egjiptian, Rafah. Një zëdhënës i ushtrisë izraelite konfirmoi se atyre iu është kërkuar të krijojnë një korridor për të mundësuar evakuimet nga Al-Shifa.
“Ne kemi krijuar një korridor që ata të dalin nga spitali dhe më pas të shkojnë drejt pjesës jugore të Rripit të Gazës”, thotë Peter Lerner, zëdhënës i ushtrisë izraelite. Fati i të porsalindurve në Spitalin Al-Shifa kishte tërhequr vëmendjen globale pas publikimit të imazheve që tregonin mjekët që përpiqeshin t’i mbanin ata ngrohtë, pas një ndërprerjeje të energjisë elektrike që nxorri jashtë funksionit inkubatorë dhe pajisje të tjera mjekësore. Ushqimi, uji dhe furnizimet mjekësore mbaruan ndërsa forcat izraelite luftuan me militantët palestinezë afër spitalit.