Shkruan: Blerim Latifi
Ja një dëshmi tjetër të cilën e sjell historiani më i mirë i Ballkanit, Noel Malcolm, në librin e tij të fundit “Rebels, Believers, Survivors: Studies in the History of the Albanians” :
“Misioni bashkëkohor françeskan në veri të Shqipërisë filloi në vitet 1630, dhe në vitin 1637 një nga anëtarët e tij, Fra Cherubino, shkoi në Kosovë. Në një shtëpi, në një fshat jashtë Gjakovës, ai dhe shoqëruesi i tij u pritën me fjalët: “Ejani etër në shtëpinë tonë, ne kemi katolicizëm, islam dhe ortodoksi”. I tronditur, Fra Cherubino-ja, u raportoi eprorëve të tij: “Dukej se ata lavdëroheshin me këtë larmi fesh, sikur të ishin më të mençur se njerëzit e tjerë të kësaj bote.
” Në sistemin fisnor të shqiptarëve të veriut, besnikëria ndaj familjes, vëllazëria (grupi i familjeve) ose fisi ishin gjithnjë më të fuqishme se pretendimet e fesë”.
Ja formula që i ka mbajtur gjallë dhe të bashkuar shqiptarët gjatë historisë : Etnia para dhe mbi Fenë. Është e qartë se kush e sulmon këtë formulë do ta gjej veten duke bërë punën e armiqve të kombit shqiptar.