/rtsh.al/
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Bajram Begaj do të votohet sot në Kuvend si president i Shqipërisë për 5 vitet e ardhshme, detyrë të cilën do e marrë pas 24 korrikut që i përfundon mandati i presidentit aktual Ilir Meta.
Raundi i katërt i votimit të tij mbahet në orën 18.00, ku Gjeneral Bajram Begaj do të bëhet presidenti i tetë i Republikës së Shqipërisë.
Begaj ishte propozim i Partisë Socialiste dhe do të ketë mbështetjen e tyre në Kuvend gjatë votimit, ndërsa opozita ashtu siç ka paralajmëruar më herët nuk do e votojë këtë kandidaturë pasi e cilësojnë si “kandidat i përcaktuar nga mafia e pronave shtetërore”.
Për votimin e Bajram Begajt opozita u shfaq serish e ndarë, ku kryetari i grupit parlamentar të PD, Enkelejd Alibeaj tha se nuk do të marrin pjesë në seancë, ndërsa Sali Berisha, kreu i zgjedhur i PD nga procesi i zhvilluar nga Rithemelimi, tha se deputetë do të jenë në sallë por do votojnë kundër.
Në raundin e katërt të votimit Presidenti zgjidhet me një shumicë të thjeshtë votash, pra 71 vota dhe PS i disponon votat për zgjedhur e vetme Presidentin e ri.