Tërmet në Ballkan! Harta e Evropës mund të ndryshojë rrënjësisht në rajon, duke ndjekur synimet e dy shteteve, të cilat mund të bashkohen.
Kreu i qeverisë së njërit prej vendeve ka njoftuar tashmë qartë se do të votojë pro bashkimit në një referendum të ardhshëm. Kështu nis shkrimin mediumi rumun, Capital, duke shkruar se Kosova mund të Bashkohet me Shqipërinë.
Harta e Evropës mund të ndryshojë rrënjësisht! Gjithçka mund të ndodhë afër Rumanisë. Bëhet fjalë për Shqipërinë dhe Kosovën, të cilat mund të bashkohen në të ardhmen. Edi Rama, kryeministri i Shqipërisë, thotë se në rast referendumi për bashkimin e dy shteteve, do të votonte për.
Kryeministri Edi Rama thotë se nuk e përjashton mbajtjen e një referendumi të tillë për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Nëse do të bëhej, kreu i qeverisë së Tiranës thotë se do të votonte pro bashkimit. Deklaratat e Edi Ramës janë bërë në mbledhjen e Qeverisë së Shqipërisë dhe të Kosovës, e cila u zhvillua në qytetin shqiptar të Elbasanit, shkruan mediumi rumun.
Nga ana tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se nuk e kundërshton mbajtjen e një referendumi të tillë, por thotë se një akt i tillë është pjesë e një procesi që nuk është nën kontrollin e Ekzekutivit që ai drejton. Në mbledhjen ndërqeveritare në Elbasan, Edi Rama dhe Albin Kurti vendosën heqjen de facto të kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Gjithashtu, janë nënshkruar marrëveshje të tjera të cilat parashikojnë lehtësimin e kontrolleve për mallrat, heqjen e kontrollit kufitar për automjetet dhe zbatimin e lejeve pesëvjeçare të qëndrimit dhe punës për qytetarët që dëshirojnë të lëvizin.
Sa i përket bashkimit të dy shteteve, edhe populli shqiptar duket se është pro një ideje të tillë. Një sondazh i fundit nga Euronews Albania tregon se 80% e shqiptarëve janë për bashkim me Kosovën. Ndaj deklaratave ka reaguar menjëherë Serbia, shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq denoncoi menjëherë synimet e Shqipërisë dhe Kosovës, duke thënë se të dy shtetet “po vendosin një gur të ri në minimin e themeleve të stabilitetit dhe sigurisë rajonale”.