Në Tropojë, qytetarë dhe politikanë po ngrenë zërin për vuajtjen që përjeton ky qytet në fund të Shqipërisë dhe pranë Kosovës dhe vlerësojnë se zgjidhja më e mirë është bashkimi me trojet përtej kufirit.
Deputeti demokrat i zonës së Tropojës, Isuf Çelaj, ka ngritur nga foltorja e Kuvendit alarmin për largimin e investimeve dhe shërbimeve nga Tropoja.
“E lënë në harresë, e mjeruar, pa përkujdesje dhe pa investime, Tropoja nuk ka rrugë tjetër vetëm se të mendojë seriozisht të kërkojë referendum për bashkimin me Kosovën.
Të paktën atje qytetarët e kësaj bashkie marrin shërbimet kryesore,” e tha në fjalën e tij deputeti në seancën e sotme plenare.
“Si deputet i lidhur ngushtë me Tropojën, kam detyrimin të ngre zërin për gjendjen në të cilën ndodhen këto zona, banorët fisnikë të malësisë, si pasojë e harresës së shtetit. Në fakt përkufizimi i duhur do të ishte: mungesës totale të shtetit.
Kanë kaluar 8 vite nga qeverisja juaj e Rilindjes dhe në Tropojë nuk është parë më asnjë metër asfalt në rrugët rurale, pra ato që lidhin fshatrat me qytetin dhe mes tyre dhe investimi i fundit në këtë infrastrukturë është në qeverisjen e Partisë Demokratike para vitit 2013”, tha Çelaj.
timenews24hr.com/