in

Lasgush Poradeci për Haki Tahën

Gani Mehmetaj

Haki Tahën njërin ndër heronjtë e rrallë urban, edhe pas 70 vjetësh disa grupe enveristo -titistësh përpiqen ta nxjerrin të dyshimtë. Miladin Popoviqin, emri i të cilit rëndon aq shumë mbi kurrizin e shqiptarëve më vrasje e komplote, prapë grupe komunistësh pro jugosllavë duan ta nxjerrin të mirë që u ndihmoi shqiptarëve! Më asgjë nuk e mbështesin mirësinë e Miladinit, as komunistët e Kosovës, as Enver Hoxha që e vajtoi grarishte, ndërsa e kalojnë në heshtje trimërinë e burrit nga Gjakova. Miku im nga rrjeti social, Ben Oroshi e kishte një ide të qëlluar për ngritjen e shtatores së Haki Tahës në Gjakovë.

Ne nuk e njihnim, Haki Tahen, nuk e dinim as cilit përcaktim politik i takonte, nuk merrnin vesh nga përcaktimet politike: njerëzit i ndanim ne ata që flisnin gjuhën tonë dhe ata që flisnin gjuhën e pushtuesit. Në mes ishin ata që bartnin fjalë, ndërsa na thoshin t’u ruhemi si atyre që kofshin tretë. Nuk dinim shumëçka për kohën e situatën, por dale ngadalë nga bisedat e shkëputura mbrëmjeve të vona të dimrit të ftohtë na vinin në vesh fjalë mahnitje e lavdërimi për trimërinë e tij…

Haki Taha, poet e intelektual i Normales së Elbasanit, i përcaktimit të djathtë, ishte ndër emrat më të përfolur dhe më të mistifikuar të historisë së re shqiptare. Për breza të tërë ai u bë sinonim i rezistencës kundër okupimit, guximit të pashoq, por edhe i kundërvënies dy shteteve komuniste: Jugosllavisë e Shqipërisë, që kishin dal në gjah kundër shqiptarëve. Bëri luftë të pavarur, apo fati e zgjodhi për të krijuar mitin e qëndresës. Doli në sipërfaqe papritmas si maja e ajsbergut e një rezistence të organizuar që u shua në mënyrë të përgjakshme, ku morën pjesë së bashku shërbimi sekret jugosllav dhe shërbimi sekret shqiptar. Ndërkaq, e paraqitën individualist të rastit, si shumë shqiptar të tjerë që luftonin dhe humbnin, sepse ishin të vetmuar, ndërsa herën tjetër si vrasës (propaganda e Enver Hoxhës), sepse shoi jetën e Miladin Popoviçit, një antishqiptari të tërbuar, themelues të Partisë Komuniste Shqiptare, që diktatori i Tiranës e kishte idhull frymëzimi për krime..

As sot e kësaj dite nuk e çmbështollën asnjëra palë lëmshin e kësaj enigme. Askush nga bashkë kohanikët e tij politikan, andej dhe këndej kufirit nuk thanë shumë për te, as në kohën, kur s’kishte fije dyshimi që s’guxonin të flisnin ndryshe nga versioni zyrtar, por as më vonë kur patën mundësi. Diç më shumë për personalitetin e tij na rrëfejnë miqtë: Prenk Gruda, përtej Atlantikut, tregon përcaktimin e tij politik e kombëtar, vendosmërinë e gjakimin. Dhe, me dashuri e pietet të veçantë për Haki Tahen rrëfen Lasgush Poradeci!

“Po ecnim rrugës të dy, me Lasgushin – shkruan Meri Lalaj, në librin: “Lasgushi me ka thënë” – dhe ai po më tregonte se si serbët i ndiqnin kosovarët në kohën e Zogut. Kështu, kishin ardhur në Shqipëri dy kosovarë: Bajram Gashi dhe Haki Taha, që ishin mësues – njëri në njërën shkollë të Shenavlashit, tjetri në tjetrën. Një ditë në Tiranë, – vazhdoi Lasgushi, – më takoi Haki Taha dhe më tregoi një libër, ja kaq të trashë, sa gishti. Ishte një përmbledhje me poezi për Kosovën. Aty ishte edhe poezia ime “Marshi Kosovar”.

– Të lutem – më tha Haki Taha, – të na bësh një parathënie.

– Unë nuk shkruaj në prozë, – i thashë – po për Kosovën do ta bëj.

Njëherë vajta në Shenavlash, – vijoi Lasgushi, – dhe më ftoi për drekë prifti i fshatit. Duke ecur rrugës përmes fshatit, takova Haki Tahën, i cili më tha: – Nëna dhe unë po të presim për drekë.

– Më ka ftuar për drekë prifti i fshatit, – thashë unë, – por do të vij te ti”.

Pastaj Lasgushi rrëfen për aktin burrnor të Haki Tahës: “ Një ditë, Haki Taha vajti në komitet dhe i tha rojës me pushkë që ruante te dera: “Lajmëroje Miladin Popoviçin se e kërkoj unë”. Pas pak, roja e lejoi të hynte brenda në komitet dhe atje, në zyrën e Miladinit, ai nxori koburen dhe ia numëroi të dhjetat mu në ballë. Hakiun e fshehën kosovarët me javë të tëra, se e ndiqnin serbët. Më së fundi, kur e rrethuan dhe donin ta kapnin, Haki Taha vrau veten, se vetëm trimat vrasin veten”, shkruan në kujtimet e tij Lasgushi.

Ndërkaq, miku i Haki Tahes, Prenk Gruda:pas 53 vjetesh në “Albania Gazette of Boston”, Florida, me 8 Janar 1998, shkruan: “ Për kryetrimin Haki Taha mund te flasësh e shkruash një libër të tërë, por unë po marr përsipër veç një kujtim të shkurtër nga njohja e miqësia në rininë time shkollore e më pas.

Ishte prej Gjakove, qe ka qenë gjithmonë një çerdhe e shqiptarizmit. Hakiun e njoha për herë të parë në konviktin “Malet Tona” në Shkodër, mandej na ra për disa vjet me kalue së bashku në Normale te Elbasanit e Shkollën Teknike në Tiranë, gjatë pushimeve shkollore.

Hakiu ishte i gjatë e i hollë me një trup të hijshëm burrnor. Ishte i dashtun e shumë i njerëzishëm por i padurueshem me ata që anonin nga e majta, duke mendue se kështu i shërbenin Kosovës e Shqipërisë Etnike. Bile një herë u ngatrrue keq me Asim Vokshin e gjithnjë i kritikonte Emin Durakun e Xheladin Hanen, tue ju thanë se Rusët kanë ndryshue kryeqytetin e taktiken, por kanë gjithmonë të njëjtën strategji pansllave, përpimjen e shqiptareve për dalje në ujrat e ngrohta të Mesdheut e tjerë.

Fjalët e Hakiut ishin bindëse sepse ai thoshte të vërtetën pa zbukurime si dhe pa frike…

Ka qene shkrimtar i mprehtë e prozator e poet. “Përshëndetja e Kosovës nga Qafa e Prushit” 1938, në “Hylli i Dritës” është shumë mallëngjyese, një hymn i djelmenisë Shqiptare për Nanën Kosovë. Ma vonë shumë shkrime të tjera të botueme, apo dorëshkrime provojnë aftësitë e Hakiut si shkrimtar. Ai ndiqte gjurmët e Apostujve te Rilindjes. Fishta e Naimi ishin për te Ungjilli e Kurani, admironte Mjedën e Asdrenin, Prenushin e Çajupin. Interesant ishte për mue kur vinte Padër Anton Harapi e Fratel Gjoni me u takue me Haki Tahën në Normalen e Elbasanit e ne Shkollën Teknike në Tiranë. Me 28 shkurt 1937, Hakiu formoi një celule te fshehtë, në formë organizate, vetë i pestë: Haki Taha, kryetar, Minush Lipoveci, Zeki Shehi (te tre gjakovarë), Murat Llabunishti nga Struga e Prenk Gruda prej Malësisë së Madhe të Shkodrës. Ne ishim te gjithë të betuem për çdo gjë me e mbajt sekretin, me qenë të gatshëm po të jetë nevoja, me e dhanë jetën për kauzën e shejtë të Kosovës.

Haki Taha i qëndron besnik betimit dhe me 14 mars 1945, i hyn në zyrë në Prishtinë Miladin Popoviçit tue i thanë se mjaft ma i ke mashtrue e tradhetue shqiptarët dhe e vret. Hakiu nuk ja duel me u arratis prej Prishtine, prandaj vret vehten. Minush Lipoveci e Zeki Shehu kanë vdek ndër tortura në Goli Otok, ndërsa Murat Llabunishtin, Sigurimi i Shqipnisë e ka arrestue në Elbasan e dorëzue UDB-së jugosllave në Shkup, ku e kanë mbyt me tortura, ndërsa Prenk Gruda ka mbet dëshmitar i shokëve të tij dhe i shumë çështjeve tragjike shqiptare”. Ky ishte rrëfimi i Prenk Grudës.

Imazhi për Haki Tahën sa herë e kujtoj me duket më i mistifikuar se herën e parë kur e dëgjova në fëmijëri. Përpjekjet e mëvonshme për të ndriçuar këtë personazh tragjik me dalin edhe më të mjegullta, më të largëta, me rrëshqasin dhe më bëheshin edhe më misterioze, sidomos kur dëgjoja rrëfimet gojore. Sa mendoja që e kapja imazhin e fëmijërisë, kur me dilte ndonjë rrëfimtar tjetër, i cili me shpinte rrugëve të përbaltura, apo dhiarëve gati të pashkelura më pak romantike e më shumë tragjike, më pak epike e më shumë konfuze.

Sa më shumë që kalojnë vjetet aq më shumë më errësohet pamja e tij dhe bëmat që i kishim dëgjuar. Miti për te me duket po aq interesant sikurse në fëmijëri, kur e përmendnin aq shpesh, duke shikuar më frikë se mos hynte dikush që ka përgjuar prapa derës. Haki Taha u bë yll ndriçues, fanar për brezin tonë, që e gjakonte lirinë,

Të rinjtë mbase nuk e kanë idenë kush është Haki Taha, atë kohë për neve i barabartë me Oso Kuken. Brezi ynë dhe ai para nesh, pra brezi i baballarëve tanë e ngriti në mit, simbol të guximit, fanar të luftës për rezistencë kundër pushtuesit, njeriu që nuk lejoi ta torturonin e të shkelnin mbi dinjitetin e tij, patriot që para se të vriste vetën, u mbështoll me flamurin kuq e zi dhe thirri Shqipërinë etnike. Ashtu e tregojnë të gjitha versionet e rrëfimeve për trimërinë dhe fundin tragjik. Ashtu dëgjonim ne të strukur prapa stufave të ngrohta në netët e ftohta të dimrit, ndërsa imagjinonim se si bëri përpjekje të ikte në Shqipëri, por i dolën në kufi.

Aq na duhej neve. Por rrëfimi vazhdonte në gradacione. Në duar të armikut, nuk donte të binte. Ne dëgjonim me bebëza të zmadhuara, mrekulloheshim me guximin e tij dhe qanim për fundin tragjik. Sepse, heroi nuk duhej të vdiste. Megjithatë ai vdiq. Secili nga ne, netëve të gjata të dimrit të ftohtë, para se ta zinte gjumi fantazonte të bënte trimëri të ngjashme. Dhe të këndohej në këngë, sepse edhe për te ishte një këngë që këndohej fshehtë.

Sipas rrëfimit, Haki Taha, vrau Miladin Popoviçin, njeriun i cili kishte bërë krime në Shqipëri kundër shqiptarëve, i ndihmuar nga komunistët e Enver Hoxhës, sepse diktatori shqiptar e pati mentor e urdhërdhënës. Ai, pra Miladini i cyti komunistët shqiptar të vrisnin njerëzit më të zotë, duke e shkaktuar luftën civile ndër shqiptarë. I vrari pastaj ishte edhe shkaktar i shumë krimeve të tjera në Kosovën e copëtuar të Haki Tahës, prandaj e mbushi kupën. Dhe derisa e dëgjonim aktin e vrasjes rrëqetheshim, fërgëllonim jo nga tmerri i vrasjes sa nga guximi i shkrepjes së atyre plumbave. Kosova e kohës së Haki Tahës ishte e okupuar dhe e rrethuar nga serbët e malazezët: ushtarë, milicë e spiun gëlonin gjithandej. Ishte gjendje e jashtëzakonshme.

Asnjëherë nuk kërkova më shumë sqarime nga të mëdhenjtë. Babai apo miqtë e tij të pasdarkeve shqiptare, rrëfenin njëri një detaj, tjetri e plotësonte me detajin tjetër, duke krijuar mozaikun e këtij heroi të pashembullt. Trimi i rrugicave urbane të qyteteve tona.

Përderisa Oso Kuka më dukej disi ndryshe, sepse ai i priste armiqtë në grykë të pushkës, ai s’priste besë nga ta, Haki Taha, në psikologjinë e fëmijës shtatë vjeçar, mbronte besën e shkelur, premtimin e dhënë. Thjeshtëzimi i dialogut në mes të Tahës dhe të vrarit, shkaut Miladin dukej aq i kapshëm dhe aq fluror njëkohësisht: “Ku i ke fjalët për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë?” (Ku e ke besën që na e dhe, do të këndonte rapsodi popullor më vonë fshehurazi), – e pyet me mllef Haki Taha, Miladinin e Komitetit Krahinor të Kosovë-Metohisë që kishte ngrënë në një çanak me Enver Hoxhën gjatë luftës.

Miladini i buzëqesh dhe i kënaqur me atë që ishte dhe me atë që kishte arritur, ia kthen shqip: “Ato ishin fjalë mali, po eja të pimë nga një raki të fortë kumbulle”.

Haki Taha, sipas rrëfimeve të fëmijërisë, ngjashëm me këngët e rapsodit plotë mllef dhe i zhgënjyer me fjalët e tij, ia kthen: “kështu e mbanë fjalën ti?

Miladini i pamësuar me këtë gjuhë, përpiqet ta shndërroj në humor: “Leje Shqipërinë ti, jam marr vesh me Enver Hoxhën unë, po eja ta shtrojmë me raki”.

Taha në kulm të hidhërimit i drejtohet me mllef: “shka i pabesë”, dhe ia shkrep shtatë plumba. Roja të dera, duke menduar se i ka kapur nostalgjia e shkrepjeve, sepse krisma revolesh në zyre kishte çdo ditë, nuk shqetësohet, vazhdon të bëjë gjumë në karrigen para dyerve të hyrjes.

Nesër:  Cilët gjakovarë, pos Xhavit Nimanit ishin të zhlyer në ndjekjen dhe torturimin e familjes Taha? 

Lini një Përgjigje

Vrasja e Haki Tahës dhe heshtja që nuk kuptohet

Rilexime nostalgjike (2): Edhe një kreacion i ri…