Bajram Sefaj
(Shumë takime e vizita të tjera)
Sado i shkurtër, i beftë dhe i rastit qoftë, qëndrimi i prishtinasit, përherë të përvëluar dhe të etur për ngjarje kulture e arti, në Tiranën tonë të madhe, që (për)çdo ditë e më shumë merr përmasat dhe pamjen shumëngjyrëshe të një metropoli të bukur, që, në sytë tanë (subjektivë), nuk ka qytet më të bukur në botë, duhet mbushur (atë qëndrim, pra) me sa më shumë ngjarje, vizita, takime… Ani, kur merr kohë me diell e qiell të thellë blu, siç bëri ato ditë messhtatori. (Ky vit!).
Të tëra këto sikur përnjëherësh të shfaqen dhe të dalin krahëhapur përpara sapo Tirana, si zakonisht, të dëshiron mirëseardhjen…
Premierë…
(E “Don Zhuanit” në skenën e TOB-it në Tiranë).
Nuk ishte e nevojshme që të marrësh rrugë të gjatë, e të shkosh në Tiranë, të mësosh se sonte (16 shtator 2015), në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit (shkurt: TOB), jepet premierë opera në dy akte, “Don Giovanni” (Don Zhuani) e Wolfang Amadeus Mozartit. Për këtë ngjarje të madhe kulturore, për këtë premierë, që do të hapë sezonin e sivjetmë të kësaj shtëpie (tonë operistike), kishin informuar gjerësisht, masmediat elektronike dhe shtypi i shkruar, të Tiranës dhe gjithandej…
Tash nuk ngelte tjetër, pos të presh biletën dhe të jesh i pranishëm, pikërisht në premierë, bash më gjashtëmbëdhjetë shtator 2015 dhe të ndjekësh dy aktet e operës Don Giovanni, nën thuprën e dirigjentit të njohur Paolo J. Carbone dhe me regji të Mariano Bauduin. (Që të dytë italianë). Për shkak të së vërtetës se në realizimin e këtij projekti të madh ishin angazhuar, sa artistë shqiptarë dhe po aq italianë (nga vendi, pra, tradicionalisht mik i Shqipërisë), me një epërsi të vogël të artistëve vendës, dikush (një kronist shakaxhi, sigurisht), premierën e operës “Don Giovanni”, e quajti – alla italiano!
Është për të ardhur keq pse premiera e kësaj opere të njohur e Mozartit, nuk ishte aq solemne, bile as afër asaj çfarë duhej të ishte dhe çfarë pritej të ishte. Në sallën e premierës, kishte madje edhe karrige të zbrazëta, bosh!
Sidoqoftë, ishte kënaqësi e madhe të jesh në atë sallë, qoftë edhe vetëm, e me pak shikues e dëgjues, siç ishte në fakt…
Ardian Isufi (piktor, skulptor)
Instalacioni “Antihomazh”, me maskën e Enver Hoxhës, i artistit relativisht të ri, Ardian Isufi, në ambientet e Muzeut Historik të Shqipërisë në Tiranë, që u shfaq pikërisht me 16 shator, ditën e lindjes së diktatorit (çfarë rastësie!), para publikut kryeqytetas. Ekspozita bëri bujë në opinion dhe pati jehonë të madhe. Të gjitha masmediat, elektronike dhe shtypi i shkruar, e regjistroi këtë “ekspozitë” me germa të mëdha. Ishte ekspozitë e veçantë e që rrallë të bie rasti të shohësh. Ekspozitë me një eksponat. Maska e Enver Hoxhës, që me allçi kopjon fytyrën e tij në sahat të vdekjes, saktësisht, pasi diktatori kishte ndërruar jetë. Kjo punë ishte bërë nën masa të rrepta sigurie! Si instalacion që ishte, ekspozita ishte “kompletuar” edhe me disa ndihmesa, me shumë pëlhurë të bardhë.
“Duhej një antihomazh, sepse në radhë të parë ne akoma jemi peng i asaj kohe”, i përgjigjet autori i këtij instilacioni, Ardian Isufi, pyetjes së intervistueses, gazetares Julia Vrapi.
Isufi, mbase ka folur e ka shpjeguar deri në imtësi edhe gjëra të tjera, por ngel e pasqaruar (për mua) pse ajo anti para fjalës homazh, kur fjala ishte për një homazh të mirëfilltë, kryekreje.
Nejse!
Dhimitra Misrasi
(E bukur, duke finalizuar një fizionomi të një femre, po aq të bukur, në mos qoftë një autoportret…).
Pothuajse paralelisht me instilacionin e Ardianit, po ashtu, në ambiente e Muzeut Historik, u hap ekspozita (në njëfarë mënyre), reprezentative e piktores Dhimitra Misrasi “Lusha”, e cila, tani e sa vjet, jeton dhe krijon në Greqinë fqinje.
“Enigma”, ishte titulli i përbashkët i atyre shumë e shumë punëve që artistja kishte mbaruar në Greqi. Aty (midis pikturash), nuk dallohej asnjë enigmë, asnjë mister. Ngeli paksa e paqartë pse, as Kujtim Buza, as Ali Oseku dhe as ambasadori grek në Tiranë, jo vetëm që nuk folën mbi punët e ekspozuara dhe autoren e tyre, por as u panë fare, në ekspozitë. Ndoshta kjo, më së miri e shpjegon titullin e ekspozitës…
Në atelie…
(të Mikel Temos, të Skënder Kamberit, të Zaim Elezit – Zaya, në atelienë kolektive…, të Artan Peqinit…).
Mikel Temo
(piktor, me të birin, Roni)
Takimi dhe njohja me Mikel Temon, piktor i shquar, ndër më të shquarit të gjeneratës së tij, që Shqipëria ka në këtë çast, daton që nga viti, tash i largët, 1991. Është histori e gjatë miqësie e respekti të ndërsjellë, që vazhdon edhe sot e gjithë ditën. Keli, bashkë me mikun dhe kolegun e tij, Ali Osekun, jo vetëm artist, por pothuajse është qytetari i parë i Tiranës, që kam takuar, me të arritur, për herë të parë, në këtë qytet të ëndërruar dhe të admiruar përjetë të jetëve!
Në librin tim “Plot Shqipëri”, SHB “Rozafa”, Prishtinë – 2008, kam shënuar “Te Mikeli, si në shtëpinë time” (shih faqen 84/85 e bindu!). Edhe pse jeta na katandisi nëpër botë të huaj (mua në Paris të Francës, atë njëherë në Paris e pastaj në Vancouver të Kanadasë), kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se u ndamë dhe u harruam. Jo, vazhduam të takoheshim, sa herë që na jepej rasti, kryesisht në Tiranë e në Prishtinë, siç ndodhi edhe këtë verë: u takuam dy herë, së pari në Prishtinë dhe së dyti në Tiranë. Nga takimi dhe qëndrimi i paharrueshëm, si mysafir i tij (historia përsëritet e miqësia përtërihet dhe forcohet, e shihni!), i këtyre ditëve me Kelin në Tiranë nuk do e them asnjë fjalë, pos që nga atelieja e tij dal me një portret timin, që ai e hodhi në pëlhurë.
(E pse ai në foto është bashkë me të birin, Edmondin, përgjigjen më të mirë e gjeni në ekspozitën me njëqind pamje (fotografi) të të birit. Asgjë më shumë, asgjë më pak!).
(Ashtu si më zuri në çast, syri i piktorit të njohur tiranas, me prejardhje korçare, Mikel Temo, në muajin shtator 2015)
Në vend të qesëndisë: Nga të gjitha anët e botës, lirisht mund të thuhet, mora urime të ngrohta, natyrisht, duke e përgëzuar edhe piktorin Mikel – “që ia kishte qëlluar aq shumë”. Një mik imi dhe koleg, i entuziazmuar (M. Mjeku, nga Nju-Jorku), më shkruan e me këshillon që, atë portet timin, duhet ta gdhend në gur! Në rrasë epitafi, do ta mbjell, ia dredha unë atij!
Në parantezë (Piktura me portretin tim, /dimensionet nuk ia di!/ është në pronësinë e autorit, Mikelit, pra. Imja, hëpërhë, është vetëm një kopje e dimensionit A/4, që e kam riprodhuar nga interneti dhe që, ndërkohë, ka marrë rrugën e madhe drejt botës së paanë!).
Maestro Skënder Kamberi (Artist i Merituar)
Ishte një krijues i mirë, nga ata më të mirët, të moçmit. Asht i fortë. Një maestro i vërtetë. Artist (piktor) i merituar, me meritë. Një kavalier simpatik e, njëherazi, fotogjenik si i erës belle époque, të ishte! Është komshi i parë atelieje me Mikel Temon. Atelietë i kanë ngjitur njëri-tjetrit. Një vlonjate (kurveleshas), nga ata fisnikët dhe bujarët. Midis punëve të mbaruara, afër përfundimit dhe teksa të nisura, më priti mirë, përzemërsisht dhe aty, në atelienë e tij, në atë ambient plot aromë ngjyrash e arti të mirëfilltë, me nga një gotë raki të fortë të vreshtave të Kurveleshit, shoqëruar me thelpinj të njomë arre, u shtruam në muhabet, sikur njiheshim qe një mijë vjet! Biseduam për shumëçka. Maestron më se shumti e interesonin të rejat nga arti figurativ aktual në Kosovë. E interesonte rrita dhe afirmimi i tij në dynja të bardhë…
Ali Oseku, është me prejardhje nga Gjakova jonë, që s’e di (e di)
pse dikur i thoshin Gjakova e kuqe. Është piktor artist (piktor) i persekutuar nga regjimi komunist në Shqipëri. Është miku im i moçëm i Shqipërisë sime të parë (1991). Si ngaherë u takuam, pimë nga një filxhan kafe (bashkë me Kelin). Llafosëm dhe u çmallën, vëllazërisht. Vizitën ateliejesë së tij dhe një intervistë me të, e shtymë për njëherë tjetër. Me rastin e parë të përgatitjes, a të hapjes, së ndonjë ekspozite të tij të madhe. Retrospektive, a kështu disi, ndoshta!
Tek Zaim Elezi – Zaya
(piktor, peizazhist, portretist)
Me piktorin e “natyralizuar”, që, në Tiranë, vjen nga Peshkopia, sa herë që ndodhem në qytetin e vendbanimit të tij të ri, në Tiranë, takohemi, “obligatoirement”, sikurse thonë francezët, në atelienë e tij (dikur shitës, breg Lanës). Është një piktor i mirë. Sidomos, i shquar si mjeshtër i visores (peizazhit) dhe portretit.
Me maestron Zaya, njihemi që nga ditët (tash të largëta), kur në qytetin fotogjenik të Gjenevës, me liqenin Lémon dhe gejzerin (jet d’aux) artificial në gji, pati një ekspozitë të suksesshme. Kujtimin nga ajo ekspozitë, bashkërisht ia kemi besuar (një shkrim modest) faqeve të gazetave shqiptare. (Një pamje karakteristike (tipike) e Tiranës, motiv me kullë të Sahatit dhe minare të xhamisë se moçme, tani e sa vjet më parë, fisnikëron ambientim e dhomës sime të miqve).
Tek Artan Peqini (skulptor në mungesë!)
Ketë skulptor të çmuar nuk kam pasur rastin, as fatin, ta njoh personalisht. Por, Keli më ka folur shumë fjalë të mira për të dhe për punën e tij artistike si skulptor i veprave monumentale. Në atelienë, prej së cilës dalin veprat e realizuar në skulpturë, pata rastin dhe fatin të shihja bustin e dimensioneve të mëdha, të revolucionarit dhe shkrimtarit të njohur Pjetër Bogdani, mbi veprën madhore të të cilit ka marrë gradën doktorit të shkencave filologjike, Ibrahim Rugova. Busti i Pjetër Bogdanit, kur të jetë gati dhe të ketë dalë nga kjo atelie, do të vendoset diku në krahinën e Hasit.
(Në atë atelie të madhe kolektive, pata rastin të shihja edhe portretet e shumë personaliteteve të historisë, të re e të vjetër, shqiptare, midis të cilave vërejta edhe bustin e Kristaç Ramës, që, sikurse mësova, nuk e kishte larg nga aty, atelienë ku kishte punuar e kishte krijuar, si skulptor!).
vijon