in

Kurti konsultohet me “të instrumentalizuarit e Serbisë”

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti së bashku me numrin 2 në listën e Vetëvendosjes në zgjedhjet e 14 shkurtit, Vjosa Osmani kanë mbajtur një takim konsultativ me përfaqësuesit e Listës Serbe për formimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Qëndrimet e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti karshi Listës Serbe janë të njohura. Kurti ka kritikuar ndër vite përfaqësuesit politikë në Kosovë për përfshirjen në qeveri dhe bashkëpunimin e tyre me Listën Serbe, shkruan lajmi.net.

Në takimin e Kurtit dhe Osmanit me Goran Rakiq dhe Slavko Simiq është diskutuar për formimin e institucioneve të reja dhe sigurimin e votave për qeverinë e re të udhëhequr nga vetë Kurti dhe për Osmanin si presidente të Kosovës.

Por, Kurti ka pasur gjuhë dhe diskurs të ashpër ndaj Listës Serbe në të kaluarën.

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, në fushatën para-elektorale të zgjedhjeve të 6 tetorit në një emision televiziv kishte deklaruar se Lista Serbe nuk është parti, por është shteti i Serbisë dhe së këndejmi nuk do të bëjë koalicion me ta.

“Lista Serbe nuk është parti, është shtet i Serbisë”, kishte deklaruar Kurti në RTV 21.

Kurti, përveç kësaj, në vitin 2018, kishte deklaruar se Lista Serbe nuk është parti, por është ambasada e Serbisë në Kosovë që funksionon sipas dirigjencave të Beogradit.

Përveç kësaj, Kurti për Report TV kishte deklaruar gjatë vitit të kaluar se qeveria e tij nuk do të varet nga Lista Serbe, por në qeverinë e tij Lista Serbe kishe marrë edhe poste ministrore.

“Ne nuk do të na varet qeveria nga Lista Serbe, por obligim kushtetues do ta gjejmë”, kishte deklaruar Kurti.

Pothuajse të njëjtën deklaratë, Kurti e kishte dhënë edhe për Radio Evropa e Lirë në vitin 2013 kur ishte pyetur për Listën Serbe, ai kishte thënë se qeveria me Listën Serbe brenda do t’i kishte dy kryeqytete, Prishtinën dhe Beogradin.

Kurti, e kishte ashpërsuar gjuhën ndaj kësaj partie edhe më tepër kur i kishte quajtur çetnikë.

“Deputetët dhe analistët e regjimit merreshin aq shumë atëbotë me ne, e tash ja ku i kemi çetnikët në pushtet në nëntë komuna të Kosovës. Kur ne thoshim se po sajohet Republika Serbe në Kosovë, na shanin e na fyenin e zgërdhiheshin; tash të gjithë po thonë se Republika Serbe është rrezik fort i mundshëm, por kjo është tepër pak, tepër vonë dhe aspak e sinqertë”, kishte thënë Kurti.

Pasi i mori në qeverinë Kurti 1, duket se Kurti e Osmani do të bashkëpunojnë përsëri me Listën Serbe për t’i siguruar votat e duhura për votimin e qeverisë dhe të Osmanit si presidente.

Në zgjedhjet e 14 shkurtit Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 50.28 për qind të votave duke e bërë kështu parti fituese me dallim të madh me partitë e tjera politike.

Në Kuvendin e Kosovës, LVV do të përfaqësohet me 58 deputetë dhe kështu për të votuar qeverinë i duhen edhe 3 vota, 2 prej të cilave i ka siguruar nga deputetja e komunitetit boshnjakë në Kosovë Duda Balje dhe deputeti nga komuniteti romë Erxhan Galushi.

Pra, për ta votuar qeverinë Kurti ka nevojë edhe për një votë, por që të votohet Osmani si presidente e vendit, LVV-së do t’i duhet së paku prezenca e edhe 20 deputetëve të tjerë në sallë.

Lini një Përgjigje

QIKA: Shteti po dështon të mbrojë të drejtat e grave

Shala: Mund të ketë arrestime nga Specialja edhe ditëve në vijim