Shkruan: Ymer Jaka
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Beograd në telegramin dërguar Forin Ofisit shkruan: «Unë mendoj se ne duhet të përpiqemi ta sigurojmë lirimin e Kryeziut. Nëse ju nuk keni ndonjë kundërshtim, unë do të ngre këtë çështje personalisht te Titoja pas kthimit të tij nga Moska.
Forin Ofisit, pas kërkesës së tij, iu dërgua informata për Gani Kryeziun, në të cilën, ndër të tjera, shënohet:
«Kemi njoftime se Gani Bej Kryeziu tani është duke u mbajtur në burg nga forcat jugosllave në Prishtinë dhe jeta e tij mund të jetë në rrezik. […] Kryeziu ishte njëri ndër bashkëpunëtorët tanë të parë aktivë në Shqipëri […] Ai është njeri i mirë, i edukuar, ka udhëtuar shumë dhe ka qenë i respektuar nga të gjithë oficerët ndërlidhës britanikë të cilët kanë pasur kontakte me të. Gjatë rrethanave të vështira ai u tregua ithtar i sinqertë i Britanisë dhe në vendin e tij është figurë kombëtare. […] Obligimi ynë ndaj Kryeziut është i padiskutueshëm, posaçërisht në situatën e tanishme. […] Për shkak të së kaluarës së tij, shpresojmë se do të jetë e mundshme ta nxjerrim Kryeziun nga pozita e tij e palakmueshme».6
Lidhur me propozimin e brigadierit Hoxhson7 që ambasadori i Britanisë së Madhe në Beograd të ndërhyjë për mbrojtjen e Gani Kryeziut, ky i fundit në telegramin e tij dërguar Forin Ofisit shkruan: «Unë mendoj se ne duhet të përpiqemi ta sigurojmë lirimin e Kryeziut. Nëse ju nuk keni ndonjë kundërshtim, unë do të ngre këtë çështje personalisht te Titoja pas kthimit të tij nga Moska. Mendoj se qeveria jugosllave është e gatshme ta lirojë Kryeziun, por nuk dëshiron që ai të qëndrojë në Jugosllavi, prandaj pa dyshim ne kemi detyrim t’i japim atij azil diku tjetër. A pajtoheni ju?»8
Forin Ofisi i përgjigjet ambasadorit në Beograd se pajtohet që Gani Kryeziut t’i sigurohet azili, me arsyetimin se «raportet janë të njëzëshme që Kryeziu ka bërë shërbime të çmueshme në të kaluarën» duke shtuar se «kjo pyetje nuk duhet të shtrohet deri sa ta kuptojmë reagimin e Titos».9
Gjashtë ditë më vonë ambasadori Stivenson (Stevenson) e lajmëron Forin Ofisin: «Unë e ngrita çështjen e burgosjes së Kryeziut me mareshalin Tito sot në mëngjes duke ia lënë atij memorandumin me kërkesën për arsyet e burgosjes së Kryeziut dhe duke theksuar faktin se ne jemi të interesuar për fatin e tij. Mareshali Tito u shpreh se nuk kishte kurrfarë dijenije për këtë çështje. Ai premtoi se menjëherë do të bënte hetime, rezultatet e të cilave do të m’i komunikojë mua».10 Në telegramin vijues dërguar Forin Ofisit ambasadori Stivenson njofton se nga Titoja kishte marrë përgjigje që ai ishte njoftuar se «Gani Kryeziu ishte i akuzuar për bashkëpunim me gjermanët».11
Nga një letër dërguar Forin Ofisit nga Zyra Qendrore e Rezident Ministrit në Kazerta e datës 30 maj 1945 del se në këtë kohë Gani Kryeziu gjendej në burg në Beograd.12
Pas një telegrami të Forin Ofisit në të cilin për Gani Kryeziun shtrohet pyetja: «A është bërë ndonjë përparim tjetër»,13 ambasadori Stivenson përgjigjet: «Unë i kam dërguar tri njoftime Qeverisë Jugosllave për këtë çështje. Zëvendës sekretari i shtetit të Punëve të Jashtme pohoi se Kryeziu gjendet në burg dhe shtoi se ai si kosovar teknikisht është shtetas jugosllav».14
Nga një telegram i mëvonshëm i ambasadorit bitanik mësojmë se ai për çështjen e Gani Kryeziut kishte biseduar edhe me Dr. Ivan Shubashiqin, ministër i Punëve të Jashtme, i cili kishte deklaruar se «Qeveria jugosllave e shikon këtë çështje si plotësisht të brendshme. Gani Kryeziu është shtetas jugosllav dhe në këto rrethana është vështirë për Qeverinë jugosllave të lejojë që një qeveri e jashtme të ketë ndonjë të drejtë të ndërhyjë».15
6 Ref. Fo371/48110, 19.VI.1945.
7 Shih letrën e datës 16.IV.1945, të cituar më sipër.
8 Ref. Fo371/48110, 18.IV.1945.
9 Ref. Fo371/48110, 20.IV.1945.
10 Ref. Fo371/72110, 26.IV.1945.
11 Ref. Fo371/72110, 6.V.1945.
12 Ref. Fo371/48110, 30.V.1945.
13 Ref. Fo371/48110, 2.VI.1945.
14 Ref. Fo371/48110, 3.VI.1945.
15 Ref. Fo371/48110, 23.VII.1945.


