Policia e Kosovës ka arrestuar një laborant të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK), pas informacioneve se i njëjti i ka mundësuar një personi tjetër që të testohet për COVID-19, pa pritur në rend, dhe në këmbim të marrjes së rezultatit, një ditë më vonë, i ka kërkuar para në vlerë 20 euro.
Vendimi për ndalim të të dyshuarit është marrë për kohëzgjatje prej 48 orësh, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
“Njësiti Rajonal për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, me datë 30.12.2020, pas pranimit të informacioneve relevante lidhur me dyshimet se është duke u kryer (apo ka për t’u kryer) vepra penale e korrupsionit, menjëherë kanë ndërmarr veprimet e nevojshme hetimore për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit/ve të përfshirë”, thuhet në njoftimin e policisë.