Ky muaj shënoi një rritje të ndjeshme të numrit të ushtarëve rusë që po humbin jetën në Ukrainë në krahësim me nisjen e pushtimit. Sipas të dhënave të ushtrisë ukrainase thuhet se 824 ushtarë rusë kanë vdekur çdo ditë gjatë muajit shkurt.
Shifrat u dhanë nga Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar. Shifrat nuk mund të verifikohen nga burime të pavarura, por Britania e Madhe thotë se tendencat janë “me gjasë të sakta”. Rritja vjen pasi zyrtarët ukrainas thonë se Rusia ka nisur një “ofensivë të madhe”. Megjithatë, sekretari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës, Oleksiy Danilov tha se Rusia po përballet me “probleme të mëdha” gjatë kësaj ofensive.
“Trupat tona po e zmbrapsin [ofensivën] shumë fuqishëm. Ofensiva që ata planifikuan tashmë po ndodh, gradualisht, por nuk është ofensiva që ata imagjinuan” – tha Danilov. Javën e kaluar, ministri në largim i mbrojtjes i Ukrainës, Oleksiy Reznikov tha se po prisnin një ofensivë të re ruse rreth 24 shkurtit, përvjetorin e pushtimit në shkallë të plotë. Luftimet më të ashpra kanë qenë rreth qytetit të Bakhmutit në lindje të vendit.
Të dielën, kreu i forcave mercenare ruse Wagner tha se grupi kishte pushtuar një vendbanim pranë qytetit të shkatërruar. Yevgeny Prigozhin shkroi në Telegram: “Sot, vendbanimi i Krasna Hora u mor nga detashmentet e sulmit të PMC Wagner”.Prigozhin i dha meritat grupit të tij për ofensivën ndaj Bakhmutit, duke minimizuar rolin e ushtrisë ruse. Deklarata lë të kuptohet për tensione të larta mes ushtrisë ruse dhe grupimit Wagner.
Kur qyteti ukrainas i Soledar u pushtua në janar, Prigozhin pretendoi se luftëtarët e tij kishin kontrollin e plotë atje dhe mburrej se vetëm trupat e tij morën pjesë në sulm, një pretendim që ministria ruse e mbrojtjes e vuri në dyshim.
Rëndësia strategjike e Bakhmutit është vënë në pikëpyetje, por luftimet e zgjatura e kanë kthyer atë në një moment simbolik. Sipas të dhënave të Ukrainës, të mbështetura edhe nga Britania e Madhe, 824 humbje jete në radhët e rusëve në ditë është 4 herë më shumë se shkalla e raportuar në qershor dhe korrik, kur rreth 172 ushtarë rusë vdisnin çdo ditë.
Ushtria ukrainase pretendon për 137 780 vdekje të ushtarëve rusë që nga fillimi i pushtimit. Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar vuri në dukje se rritja e fundit mund të jetë për shkak të “një sërë faktorësh, duke përfshirë mungesën e personelit të trajnuar, koordinimin dhe burimet në të gjithë frontin”.
Forcat ruse kanë bërë pak përparim në Ukrainë që nga tërheqja e tyre nga qyteti i madh jugor Kherson nëntorin e kaluar. Muajin e kaluar ata pushtuan qytetin Soledar në veri të Bakhmutit pas një beteje intensive. Kapja e Bakhmutit mund t’u mundësojë forcave ruse të avancojnë drejt qyteteve më të mëdha si Kramatorsk dhe Slovyansk.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u ka bërë thirrje vendeve perëndimore që të shpejtojnë dërgimin e armatimit të rëndë në Ukrainë për të ndihmuar Kievin të zmbrapsë ofensivën e Rusisë. SHBA ranë dakord javën e kaluar për të dërguar raketa me rreze të gjatë veprimi që do t’i mundësonin Ukrainës të dyfishonte rrezen e sulmit. Por presidenti Zelensky dëshiron që Perëndimi të dërgojë edhe avionë luftarakë në ndihmë të forcave ukrainase, por perëndimi heziton për një gjë të tillë.