in

24 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyçi në Serbi

Kanë kaluar 24 vjet nga vrasja e tre shqiptaro-amerikanëve në Serbi i njohur më shumë si rasti i vëllezërve Bytyçi. Trupat e Agron, Yll dhe Mehmet Bytyçit u gjetën në një varrezë masive me mbi 70 viktima të tjerë nga lufta në Kosovë në Petrovo Selo të Serbisë, pas hapjes së varrezave masive në Serbi.

Departamenti amerikan i shtetit dhe zyrtarë të tjerë amerikan i kanë bërë sërish thirrje Serbisë që të hetojë dhe të dënojë personat përgjegjës.

Kolegu Artan Haraqija, bisedoi me vëllain e viktimave, Fatos Bytyçi dhe aktivisten serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiç për të kuptuar pse rasti vazhdon të jetë i hapur dhe kush janë të dyshuarit kryesorë që ata besojnë se dhanë urdhër për rrëmbimin dhe ekzekutimin e tyre.

Menjëherë pas përfundimit të luftës në Kosovë, Yll, Agron dhe Mehmet Bytyçi nisen drejt Merdares, atëkohë pikë administrative mes Kosovës dhe Serbisë. Ata kishin shkuar në Kosovë nga Shtetet e Bashkuara si pjesëtarë të grupit ‘Atlantiku’, me 400 vullnetarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Një familje rome, fqinj të familjes Bytyçi në Prizren, për arsye sigurie u kërkoi vëllezërve shqiptaro amerikan që t’i ndihmojë të udhëtojnë drejt Serbisë.

“Rasti i vëllezërve Bytyçi është me rëndësi të madhe pasi është rast i tre vëllezërve, që donin të ndihmonin të tjerët, në një kohë shumë të rrezikshme”, thotë aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiç.

Në mungesë të tabelave për të kuptuar se ku ndahen të dy vendet që ishin në luftë deri para pak ditësh, grupi kalon gabimisht në Serbi dhe ndalohen në një pikë kontrolli të policisë serbe. Tre vëllezërit arrestohen dhe më pas dërgohen në Kurshumli, ku një gjykatës i dënon për kundërvajtje, me 15 ditë burg, për hyrje ilegale në ish Jugosllavi. Shtetasit amerikanë në atë kohë duhej të kishin vizë për të hyrë në atë që kishte mbetur nga Federata Jugosllave.

Tre shqiptaro amerikanët dërgohen në burgun e Prokuples.

Pak ditë para se të përfundonin dënimin, merret vendim për t’i liruar. Por, të njejtën ditë, një grup i policisë speciale serbe i merr nga Prokupla dhe i dërgon në Petrovo Selo, kampin e trajnimit të policisë së Serbisë.

“Pasi i kanë marrë në Prokuple, i kanë dërguar në Petrovo Selo. I kanë torturuar për disa ditë”, thotë vëllai i ish ushtarëve të UÇK-së, i cili për mbi dy dekada bën përpjekje që të zbulojë se kush janë fajtorët për vrasjen e tyre.

Vrasja e tyre u bë në një kohë kur pushteti i Slobodan Millosheviçit në mënyrë aktive bënte përpjekje për të fshehur krimet e kryera në Kosovë, kryesisht duke hapur varreza masive nëpër Serbi. E vërteta, jo vetëm për tre vëllezërit Bytyçi, por edhe për qindra shqiptarë të tjerë u kuptua vetëm pas hapjes së disa prej varrezave masive nga ish kryeministri serb, Zoran Xhinxhiç.

“Hapja e varrezave masive u bë pasi e urdhëron këtë Xhinxhiç, e hapin Batajnicën fillimisht dhe më pas Petrovo Selon dhe prej Petrovo Selos dalin trupat e vëllezërve të mi”, thotë zoti Bytyçi.

Trupat e Agronit, Yllit dhe Mehmetit tregojnë shenja torture. Ata janë ekzekutuar me armë zjarri pas shpine, ndërsa duart i kanë pasur të lidhura me tel. Gjetja e trupave të qindra shqiptarëve në varrezat masive në Serbi, të hapura deri tani, megjithatë dështoi të zbulojë të vërtetën e shumë prej këtyre krimeve. Për zotin Bytyçi, edhe vetë hapja e varrezave masive u bë për qëllime politike.

“Qëllimi ka qenë politik vetëm që Milloseviçi të dorëzohet në Tribunal të Hagës se nuk kanë pasur argument se si ta heqin atë njeri nga Serbia”, thotë Fatos Bytyçi.

Deri më sot vrasja e tre shqiptaro-amerikanëve ka mbetur pa autor, megjithëse përgjegjësia për këtë krim sipas zonjës Kandiç dhe zotit Bytyçi është e lehtë të kuptohet.

“Obrad Stevanoviç është njëri. Obrad Stevanoviçi i jep urdhër nga Beogradi Arsijeneviç Milenkos dhe policëve të tjerë, që kanë bërë masakra në Kosovë, të nisen drejtë Prokuples për të kidnapuar tre amerikanë. Goran Radosalvjeviç Guri, thirrë në telefon dhe i jep urdhër Sreten Popoviçit që me shku tre amerikanë me i kidnapu dhe t’i sjellin në Petrovo Selo”, thotë zoti Bytyçi.

Obrad Stevanoviç ishte gjeneral i policisë së Serbisë.

Goran Radosavljeviç i njohur me nofkën Guri ishte komandant i njësive speciale të policisë së Serbisë gjatë kohës së luftës në Kosovë.

Ky i fundit dyshohet se ka marrë pjesë në disa prej krimeve më të rënda, përfshirë edhe masakrën e Reçakut më 15 janar 1999 ku u vranë 44 shqiptarë. Guri gjithashtu dyshohet se udhëhoqi operacionin kundër familjes së Adem Jasharit në Prekaz të Drenicës ku u vranë mbi 100 njerëz.

Pas luftës, ai ishte udhëheqës i kampit të trajnimit të njësive speciale policore serbe në Petrovo Selo ku vëllezërit Bytyçi u vranë dhe më pas u varrosën me dhjetëra shqiptarë të tjerë.

Asgjë nuk mund të ndodhte në atë kamp pa dijeninë e tij. Obrad Stevanoviç ishte gjithashtu gjeneral. Ai ishte në krye të policisë speciale në Kosovë dhe Serbi dhe jam e sigurt që pa dijeninë e tij asgjë nuk mund të ndodhte. Sipas pozitës që kishte ai duhej të dinte gjithçka që ndodhte. Sipas dijenisë sime vendimi për vrasjen e vëllezërve Bytyçi erdhi nga Beogradi”, thotë zonja Kandiç.

Në vitin 2006 në Serbi është mbajtur një proces kundër dy oficerëve policor që dyshohet se ekzekutuan vendimet nga lart për kapjen dhe ekzekutimin e vëllezërve Bytyçi, Sreten Popoviç dhe Milosh Stojanoviç. Procesi përfundoi pa asnjë dënim. Goran Radosavljeviç u nderua në qershorin e viti 2021 me medalje nga xhandarmaria serbe duke u bërë e qartë se ai mbetët i paprekshëm.

Gjenerali serb në pension, një nga të dyshuarit se dha urdhër për rrëmbimin dhe vrasjen e vëllezërve Bytyçi, Obrad Stevanoviç, siç konfirmohet në një video të Ministrisë së Brendshme të Serbisë të postuar në rrjetin YouTube, vazhdon të jetë i ftuar në aktivitetet e qeverisë serbe. Në aktivitetin e vitit 2021 ai flet rregullisht për heroizmin e pjesëtarëve të forcave policore dhe ushtarake serbe që humbën jetën gjatë luftës së vitit 1999.

Lini një Përgjigje

VOA: Fushë Kruja, maja e ajsbergut

Kosova po lufton për mbijetesë, kurse opozita e akuzon qeverinë si populiste?!