𝐌𝐚𝐥𝐞𝐬𝐢𝐚 𝐞 𝐆𝐣𝐚𝐤𝐨𝐯𝐞𝐬 (𝐞 𝐞𝐦𝐞𝐫𝐭𝐮𝐚𝐫 𝐓𝐑𝐎𝐏𝐎𝐉𝐄 𝐧𝐞 𝐉𝐚𝐧𝐚𝐫 𝟏𝟗𝟒𝟔), 𝐞𝐬𝐡𝐭𝐞 ç𝐥𝐢𝐫𝐮𝐚𝐫 𝐦𝐞 𝐝𝐚𝐭𝐞 𝟏𝟗 𝐒𝐡𝐭𝐚𝐭𝐨𝐫 𝟏𝟗𝟒𝟒 𝐩𝐨𝐫 𝐞 𝐩𝐞𝐫𝐤𝐮𝐣𝐭𝐨𝐧 ç𝐥𝐢𝐫𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐦𝐞 𝟏𝟔 𝐓𝐞𝐭𝐨𝐫 𝐭𝐞 ç𝐝𝐨 𝐯𝐢𝐭𝐢, 𝐝𝐚𝐭𝐞 𝐞 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐨𝐬𝐮𝐫 𝐧𝐞 𝐬𝐡𝐞𝐧𝐣𝐞 𝐬𝐞𝐫𝐯𝐢𝐥𝐢𝐳𝐦𝐢 𝐧𝐝𝐚𝐣 𝐬𝐡𝐨𝐤𝐮𝐭 𝐄𝐧𝐯𝐞𝐫 𝐇𝐨𝐱𝐡𝐚 𝐧𝐠𝐚 𝐤𝐨𝐦𝐮𝐧𝐢𝐬𝐭𝐞𝐭 𝐞 𝐬𝐚𝐩𝐨 𝐚𝐫𝐝𝐡𝐮𝐫 𝐧𝐞 𝐩𝐮𝐬𝐡𝐭𝐞𝐭 𝐦𝐛𝐚𝐬 ç𝐥𝐢𝐫𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐭𝐞 𝐒𝐡𝐪𝐢𝐩𝐞𝐫𝐢𝐬𝐞.
(Pjese nga Libri “Malesoret dhe Liria”, fq. 210-211-212, Dode Progni. Te dhenat ne liber jane me referenca te kohes).
Në fillim të gushtit 1944, ata (Levizja Kryeziu), në bashkëpunim me majorin britanik Toni Simkoks hartuan edhe një plan tjetër të detajuar për fillimin e kryengritjes në Kosovë.
Të udhëhequr nga ky objektiv i rëndësishëm, në gusht-shtator 1944, forcat e Kryeziut arritën nivelin më të lartë të organizimit dhe të veprimit luftarak duke njxjerrë akoma më mirë në pah talentin dhe aftësitë drejtuese ushtarake të komandantit Gani Kryeziu, nivelin e lartë politik dhe organizativ të Saidit, mëndjen e ndritur dhe objektive të Fundos, trimëritë dhe aftësitë e Hasan Kryeziut, Ali Brahim Zherkës, Selim Malë Dulës, Mehmet Ali Bajraktarit, etj., që komanduan këto forca në fushëbetejat kundër nazi-fashistëve. Gjatë kësaj periudhe intensiteti i luftimeve erdhi duke u rritur nga dita në ditë. Duke ju referua dokumentave të asaj kohe del se, me 13 gusht 1944, në katundin Çorraj e Leniç të Bytyçit, çetat e Gani Kryeziut zhvilluan luftime të ashpra kundër një detashmenti të ushtrisë gjermane, i cili qe detyruar të tërhiqej në drejtim të zonës minerale pasi kish lënë disa ushtarë të vrarë e të plagosur. Një ditë më pas, me 14.08.1944, forcat e Kryeziut zhvilluan luftime edhe në katundin Zogaj, kundër një kompanie SS-e të ardhur nga Gjakova. Edhe këtu kishte disa persona të vrarë e të plagosur. Midis tyre dy gra të vrara dhe disa burra të fshatit të arrestuar nga gjermanët, në katundin Çorraj të Bytyçit. Përmasat dhe intensiteti i luftimeve midis forcave të Kryeziut dhe atyre gjermane, në gjysmën e dytë të gushtit 1944, pasqyrohen edhe më mire në një raport që Komanda e Gjindarmërise së Kukësit dërguar eprorëve në Shkodër, Tiranë e Kosovë, me 21.08.1944, ku midis tjerash thuhej:
“Në mbrëmjen e datës 19 gusht jan ba këto veprime:
1-Çeta e kryesueme nga Hasan Kryeziu e Mehmet Bajraktari të përbame prej 100 vetësh, ka sulmue “Minjerën e Zogajt”.
2-Ali Brahimi me partizanët e Nikaj-Mërturit si dhe ata të Shalës të përbam prej 120 vetësh, kan sulmue “Minjerat” që ndodhen në katundin Kam.
3-Selim Bajraktari e Bajram Uka me çetën e tyne kan sulmue “Minjerën e Kepenekut”.
4-Gani Kryeziu me çetën e tij të përbame aproksimativisht prej 400 vetash u ndodhka në “Dobrej” i cili pranë vetit ka dhe një oficer anglez si dhe Llazar Fundon, gjithashtu edhe radio transmetuese…
Çetat janë të armatosura mirë, me armë automatike e mitraloza te rëndë … Asht urdhnue rrethi që me fuqinë që disponon, me vullnetarë e me fuqinë gjermanë që ndodhet në rrajonin e tij, të marrin çdo masë për shpartallimin e kapjen e atyne çetave.”
Përballë forcave të Kryeziut komanda gjemane dhe qeveritarët kuislingë qenë detyruar të veprojnë me disa detashmente gjindarmërie dhe njësi kolaboracioniste të ashtuquajtura “vullnetarë”, batalione SS-e dhe regjimente speciale të Korparmatës së XXI malore gjermane, të cilat ishin pajisur me armatim të lehtë e të rëndë, përfshirë autoblinda, artileri dhe aviacion luftarak.
Forcat nacionaliste të Kryeziut u shquan për trimëri e heroizëm në përpjekjet e armatosura kundër nazifashistëve. Në ndeshjet ballë për ballë me armikun dhanë jetën trimat: Rrustem Avdyl Mulosmani, Selim Bardhec Gjyriqi, Selim Ramë Mustafaj, Sokol Shpend Hoxhaj, Bajram Sylë Pepnikaj, Xhemal Sadri Abazi, Hazir Rrustem Osmani, Maxhun Zog Brahaj, Ibrahim Sylë Mustafaj, Mehmet Ali Mehmetaj, etj.
Këta me gjakun e jetën e tyre shkruan faqet më të ndritura të historiës së Lëvizjes Kryeziu. Këto luftime dhe gjaku i derdhur në përpjekjet me nazi-fashitët hedhin poshtë katërcipërisht, si të pa vërtetë, pohimin e Enver Hoxhës se, gjoja forcat e Kryeziut nuk paskan luftuar, por siç shprehet ai, “zbraznin ndonjë pushkë kodrave sa për të thënë se po luftojmë.” Në shtator 1944, zona minerale Bytyç-Gjakovë, vazhdoi të jetë arenë e luftimeve të ashpëra midis forcave të Kryeziut dhe atyre gjermane, të cilat ishin detyruar të tërhiqeshin në drejtim të Kosovës. Me 7 shtator 1944, forcat e Kryeziut sulmuan minierën e Babajt dhe çliruan 500 robër malazezë të cilët më pas ju bashkuan forcave antifashiste. Po këtë ditë Prefektura e Prizrenit njoftonte MPB ne Tiranë se, ”Gani Kryeziu ka qëllim të bashkohet me çetat e Hasit dhe të Lumës me i ra Kukësit e me pre komunikacionin Prizren-Shkodër”
Nga një raport i Komandës së Divizionit SS me qendër në Gjakovë del se, ”forcat e Kryeziut kishin nën kontroll lartësitë e Qafës së Prushit prej nga kërcënonin Gjakovën dhe kishin bllokuar lidhjet me minierat e Kromit.” Ndërsa, me 14.09.1944, po kjo komandë pohonte se, ”…forcat e Kryeziut kishin sulmuar qytetin e Gjakovës.” Edhe Komanda e Gjindarmërisë së Kukësit pohonte se, me 10 e 11 shtator, ”Gani Kryeziu ka sulmue minjerat e Zogajt dhe ka marr drejtimin për Gjakovë me qëllim sulmi…
Linja telefonike Krumë-Qafë Prushi asht këput nga forcat e tij, të cilat kanë djeg edhe lokalin e postëkomandës së Qafë Prushit, personeli i të cilës asht bashkue me forcat e Kryeziut.” Vrulli i forcave të Kryeziut, nga 19 gushti deri me 19 shtator 1944, me luftime të ashpra e të suksesshme kundër gjermanëve në Kam, Kepenek, Zogaj, Qafë Prushi, Babaj të Bokës, Vogovë, Devë e Qerret, si dhe goditjet e para kundër garnizoneve gjermane në Gjakovë, çuan në çlirimin e Bytyçit e krejt Tropojës, si dhe shënuan pragun e kryengritjes së përgjithshme në Kosovë.