𝐁𝐨𝐠𝐝𝐚𝐧𝐢 𝐬𝐡𝐤𝐫𝐮𝐚𝐧 𝐬𝐞 𝐥𝐢𝐧𝐝𝐢 𝐧ë 𝐆𝐮𝐫ë 𝐭ë 𝐇𝐚𝐬𝐢𝐭.
𝐍ë 𝐤ë𝐭ë 𝐤𝐨𝐝ë𝐫 𝐪ë 𝐬𝐨𝐭 ë𝐬𝐡𝐭ë 𝐛𝐫𝐞𝐧𝐝𝐚 𝐭𝐞𝐫𝐫𝐢𝐭𝐨𝐫𝐢𝐭 𝐭ë 𝐙𝐲𝐦𝐢𝐭, ë𝐬𝐡𝐭ë 𝐊𝐢𝐬𝐡𝐚 𝐝𝐡𝐞 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐢 𝐤𝐮 𝐮 𝐩𝐚𝐠ë𝐳𝐮𝐚 𝐝𝐡𝐞 𝐮 𝐫𝐫𝐢𝐭 𝐏𝐣𝐞𝐭ë𝐫 𝐁𝐨𝐠𝐝𝐚𝐧𝐢 𝐝𝐡𝐞 𝐁𝐨𝐠𝐝𝐚𝐧ë𝐭 𝐭𝐣𝐞𝐫ë.
𝙁𝙧𝙧𝙤𝙠 𝙆𝙧𝙞𝙨𝙩𝙖𝙟 – 𝙋𝙖𝙩𝙚𝙧 𝙉𝙙𝙪𝙚 𝙆𝙖𝙟𝙩𝙖𝙯𝙞
𝐑𝐑𝐄𝐓𝐇 𝐕𝐄𝐍𝐃𝐁𝐀𝐍𝐈𝐌𝐈𝐓 𝐆𝐔𝐑𝐈 𝐈 𝐇𝐀𝐒𝐈𝐓
Vendbanimi Guri (ndë Hast, siç e shkruan Pjetër Bogdani), që është në afërsi të Zymit të sotëm të Hasit (tash të Kosovës së sotme), është histori e vjetër dhe mjaft intriguese, që lidhet me trashëgiminë e lashtë kulturo-historike të kësaj treve. Ky vendbanim (Guri) e ka pas Kishën e Shën Gjergjit, që ka qenë brenda Dioqezës së Prizrenit.
𝐃𝐲 𝐥𝐞𝐠𝐣𝐞𝐧𝐝𝐚 𝐩ë𝐫 𝐠𝐮𝐫ë𝐭 𝐞 𝐟𝐬𝐡𝐞𝐡𝐮𝐫
Sipas një legjende lokale, që mbijetoi deri në ditët e sotme, gjatë një periudhe të largët historike, një grua që bënte shërbime në vendbanimin e saj në Has, kishte menduar se në afërsi të malit, ku ajo banonte, mund të ishte i fshehur një thes ari. Në përpjekje për ta gjetur thesin me ar, gruaja kishte grumbulluar gurë, të cilët i kishe vendosur në një vend të caktuar në maje të kodrinës. Megjithatë, thesi me ari nuk u gjend kurrë, sikur që edhe gurët nuk u prekën asnjëherë…
Legjenda tjetër është si e para, por dallon: gruaja e bart thesin me gurë për t’i lënë te vendi ku do ta gjente arin, por pasi nuk arriti ta gjente thesin, vendosi që në maje të kodrinës ta fshehë thesin me gurë, që më vonë ata gurë të shërbejnë si një lari (grumbull) gurësh, vend ku kalimtarët për ta kujtuar personin e merituar (e vrarë në atë vend), përkatësisht për ta kujtuar ngjarjen e caktuar, ta hidhnin nga një gur për ta përtërirë shenjën apo kujtimin (Pal Shtufi: “Një gur për Gjeçovin”, Karashëngjergj (Has), 26 korrik 2022). Kështu që mbi atë grumbull gurësh, më vonë u ngrit vendbanimi Guri, që aty-këtu e hasim të shkruar edhe si Gur ndë Hast apo Guri i Hasit.
𝐏ë𝐫 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐛𝐚𝐧𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐆𝐮𝐫𝐢 𝐤𝐚 𝐬𝐡𝐮𝐦ë 𝐥𝐞𝐠𝐣𝐞𝐧𝐝𝐚.
Në të vërtetë, vendbanimi Guri, përkatësisht Guri ndë Hast apo Guri i Hasit, tash në afërsi të Zymit të Hasit, është më shumë se një legjendë, që u mbijetoi kohërave me plot thyerje e trazime. Guri, por edhe gurët e vjetër të Hasit, paraqesin një vendbanim të kohës apo një vendndodhje të pazakontë në këtë pjesë të Hasit. Pra, mendojmë se vendbanimi Guri, por edhe gurët e Hasit, kanë qenë dhe kanë mbetur burim real për studime të ndryshme arkeologjike dhe antropologjike.
Sipas studimeve të deritashme, gurët në cilindo vendbanim të Hasit, përherë janë vlerësuar si dëshmi e rëndësishme arkeologjike, që flet, përkatësisht që datojnë që nga shekujt VI-IV para kohës së re. Madje, këta gurë janë dëshmi të rralla të kohërave të lashta, që mund të dëshmojnë edhe për vendbanime (vendbanimet në Pashtrik, Trumsh, Nagamir, Domnikoll, Gjinan, Mullini’Vakafit, etj.), objekte të vjetra (Kalaja e Fregnit, Tumat ilire në Ramajë (N. Gjuriq, J. Glishiq e J. Todoroviq: “Romaja parahistorike”, Vëllimi XVII, Enti për urbanizëm dhe mbrojtjen e përmendoreve kulturore dhe rraritjeve natyrore, Prizren, 1975), Tumet në Zym, kishat e vjetra, si në Milaj, Gjonaj, Lukini, Ramajë, Trumsh, Varri i Sh’ndërrimit e Varri i Sari Salltuk Babës (të dyja në Pashtrik) dhe objekte të tjera të kultit nëpër Has.
Ç𝐟𝐚𝐫ë 𝐭𝐡𝐨𝐧ë 𝐭ë 𝐝𝐡ë𝐧𝐚𝐭 𝐩ë𝐫 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐛𝐚𝐧𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐆𝐮𝐫𝐢?
Se ka ekzistuar vendbanimi Guri (ndë Hast) dëshmojnë shumë të dhëna, e ndër to janë edhe shënimet nga ishte Pjetër Bogdani. Kështu, studiuesi Shefqet Hoxha, në veprën e tij “Dy dyer të mëdha në Has: Bogdani e Mazrreku”, Tiranë, 2007, faqe 26, ndër të tjera thotë se patronimi “Bogdani” gjallon në katundin Gjinan të Gurit(!?) të Hasit.
Po ashtu, arqipeshkvi i Arqipeshkvisë së Tivarit, imzot Gjergj Bardhi, në vitin 1637, flet për dy famullitë e Hasit: Të Shën Gjergjit në Gur, që atëbotë kishte afro 550 besimtarë të krishterë, dhe tjetrën në Zgjeq, që mund të jetë përzier me vendbanimin Shgjeç, përkatësisht Karashëngjergj të sotëm të Prizrenit.
Në fakt, Kishën e Zymit, Shgjeçit e të Gurit i kishte bashkuar në një famulli Andrea Bogdani, që kur ishte famullitar në Gur (1641), përkatësisht njofton (imzot Gjergj Bardhi) se gjatë vizitës (1641) që ua bëri këtyre viseve, në vendin e quajtur Gur, ku shërbente famullitar don Andrea Bogdani, kishte takuar dy seminaristë, që ai mbante në konakun e Kishës së shën Gjergjit, e të cilët I mësonte vetë. Pra don Andrea Bogdanit shërbeu në Gur afër Zymit e jo te Helshani, kur asnjëherë nuk kishte bërë ndonjë visit imzot Gjergj Bardhi, arqipeshkv I Arqipeshkëvisë së Tivarit.
Kjo më së miri dëshmon se Guri ishte te Zymi e Shgjeçi (Karashëngjergji) e jo te Helshani, siç thuhet aty-këtu.
Në anën tjetër, Kishën e Shgjeçit (Karashëngjergjit të sotëm) e kishte vizituar edhe arqipeshkvi i Aqipeshkëvisë së Tivarit, imzot Gjergj Bardhi (1637). Atëbotë, në kishën e këtij vendbanimi (Karashëngjergjin e tashëm) kishte shërbyer don Andrea (Ndre) Bogadani, që do të thot se në Shgjeç kishte shërbyer para se të kalonte me shërbim në Gur (Fermendin: Izprave, faqe 177; ASCPV. SOCG, 482, fas. 288 v-269 v).
Gjithashtu, në vitin 1725, imzot Pjetër Karagiqi (e hasim edhe si Karaxhiqi), arqipeshkëv i arqipeshkvisë Shkup-Prizren, Arqipeshkvi kjo që ishte e strehuar në Zym gjatë viteve 1702-1752, kishte bërë të ditur se në Famullinë e Zymit e kishte emëruar famullitar don Pal Vaccagni, i cili kishte njoftuar se Zymi kishte 22 shtëpi me rreth 250 besimtarë katolikë, si dhe i kishte 17 kishëza (filiala) të tjera.
Këtë e vërteton edhe një raport i imzot Gjon Nikollë Kazazit, që ishte ipeshkëv i Ipeshkvisë Shkupit-Prizren, që ishte e strehuar në Zym, përkatësisht raporti i dërguar Kongregatës për Përhapjen e Fesë (në Romë), më 24 shkurt 1750. Në të thuhet se “Kryeipeshkvinjtë e mëhershëm Andrea e Pjetër Bogdani ishin të lindur në Has, në vendbanimin Guri, në afërsi të Zymit të Hasit të Dioqezës së Prizrenit” (Dokumenti ACPF, SOCG, vëllimi 741, faqe 319).
Po ashtu, e konsideroj me shumë interes edhe informacionin e vitit 1641, ku Gjergj Bardhi njofton se gjatë një vizite që i bëri territoreve (ku sot gjendet Kosova) të Arbërisë, në vendin e quajtur Gur, ku ishte famullitar don Andrea Bogdani, kishte takuar dy seminaristë që i mësonte vet, e të cilët ai i mbante në shtëpinë e tij të banimit.
Argumentet e përmendura më lartë dëshmojnë se ka ekzistuar vendbanimi Guri (te Bogdanët quhet Guri ndë Hast), por njihet edhe si Guri i Hasit),
Madje-madje, në afërsi të vendbanimit Guri (afër Zymit) gjenden edhe dy vendbanime që kanë të bëjnë me guri. Nj[ri gjendet në Katundin e tashëm Dedaj, që gjendet prapa vendbanimit Guri. Në fakt, katundi i tashëm Dedaj gjendet gadi në fund të kodrinës që bie nga vendbanimi Guri, Zymi, Karashëngjergj e që lidhet me rrugën që shpie në Lubizhdë, Kushnin, Rogovë e Ramajë. NDhe, lagja e poshtme e Dedajve shtrihet rrëzë vendit të quajtur Rrethi (rreth guri, (ishte) rreh i madh guri, por njihet edhe si Guri’Madh). (Nikollë Kërhanaj: “Fillet e arsimit në Zym”, shkrim i pabotuar, 3 shkur 2017). Po tani shtrohet pyetja ku ka qenë vendbanimi Guri?
Për vendbanimin Guri i Hasit kanë shkruar disa autorë, që do të thotë se përpjekje për ta hulumtuar, përkatësisht për ta gjetur vendbanimin Guri përherë ka pasur. Mendohet se vendndodhjen e Gurit, ku u lind Pjetër Bogdanit, e kishte pikëzuar Shtjefën Gjeçovi, i cili shkruan: “Tejet kam mbetë i kënaqun që mbërrina mbas sa hulumtimesh me i ra në fije këtij katundi të Hasit të Gurit…” Në anën tjetër, disa vjet më vonë (më 1943), në ribotimin e pjesës parë të “Çetës së profetëve”, M. Harapi shkruan: “…të gjitha gjasat janë me thanë se Guri, që përmendet këtu, âsht Zhuri, katund jo larg Prizrenit…”, e “harron” M. Harapi se katundi Zhur gjendet në krahinën e Lumës e jo të Hasit.
Hulumtime rreth kësaj kanë bërë edhe disa “studiues”, të cilët theksojnë se “Guri te Helshani i takon Dioqezës së Prizrenit(!?)” apo se “Vendlindja e Bogdanit i takon Dioqezës së Kukësit…”, po harrohet fakti se Kukësi kurrë nuk ka qenë dioqezë e të ngjashme.
Megjithatë, vendbanimi Guri ka qenë aty ku dikur ka ekzistuar Kisha e Shën Gjergjit, që njihej edhe si Kisha e Majës, sepse gjendej në maje të Kodrës së Malit në Zymin e tashëm, nga vendbanimi Guri shtrihej nga Kisha e dikurshme e Shën Gjergjit e shpatit teposhtë në drejtim te Liqenit të Zymit (njihet edhe si Likeni i Zojzit (Zoj’s) apo Likeni i Hasit (që Atë Shtjefën Gjeçovi e pati edhe pseudonim – Lkeni i Hasit). Në atë faqe kodre edhe tani, sidomos në pranverën e hershme, kur ende nuk bulon dushku, shihen rrënojat e vendbanimit. Në fakt, Guri e kishte një pozitë shumë të mirë, sepse pas përfundimit të vendbanimit të Gurit, ishte kroi, që është edhe në ditët e sotme, nga bëhet furnizimi me ujë. Në fakt, Likeni i Zoj’s, siç e quajnë edhe sot zymjanët, dhe burimi afër, që quhet qezmja e likenit, përherë e kanë zbutur mungesën e ujit (për pije dhe për pastrimin e rrobave) të banorëve të “Majes”, siç është quajtur Kodra e Kishës së Shën Gjergjit dhe të vendbanimit Guri, që ishte në njërën prej kodrave në anën juglindore të Liqenit. Në vazhdim shtriheshin arat, që tashmë janë livadhe dhe krejt në fund është Liqeni (i Zymit), ku edhe përfundon vendbanimi Guri.
Ndërkaq, në të djathtë të Liqenit të Zymit, është rruga e shkurtër që shpie te Gurra e katundit Lukini (në afërsi të së cilës Gurrë, dikur ishte Kisha e katundit Lukini, që i kushtohej Shën Lukës e njihet edhe si Kisha e Shën Markut, prej nga janë dy rrugë: njëra bie në Lukini e tjetra për shpati del në katundin e tashëm Bregdri (Gjinani i dikurshëm). Për këtë edhe herë-herë në disa dokumente del se Pjetër Bogdani ishte i Gjinanit, por jo – Pjetër Bogdani ishte i lindur në Guri (ndë Hast) – në Gur të Hasit. Madje edhe ishte pagëzuar në Kishën e Shën Gjergjit në Gur. Do përmendur se nga Kisha e Lukinit, në të hyrë të katundit të tashëm Bregdri, janë varrezat e Kllanëve (Kolendrave), të cilët në Natën e Kërshëndellave, derisa këndonin, ishin takuar me Kllanët (Kolendrat) e Bregdrinit dhe në shtyrje se kush duhet t’ia lirojë rrugën palës tjetër, ishin vrarë në mes veti…
Është me interes të dihet edhe për Liqenin e Zymit, që ishte fundi i vendbanimit Guri. Nga ky vend është rruga që shpie në katundin e tashëm Ramajë. Ramaj’sit, siç e praktikojnë ta quajnë ata vetën, janë të rënë (zbritur) nga Maja (ku ishe Kisha e Shën Gjergjit në Guri. Ramaj’sit kur ishin të krishterë, kishën e vet (që i kushtohej Shën Prenes) e kishin përballë Përroit të Deshticës. Kisha ishte e vendosur në mes të shumë lisave të tabuizuar. Në oborrin e kishës ishin varrezat e ramaj’sve, të vendbanimit Mulliri i Vakëfit dhe të Dedajve, kurse tashmë aty s’ka kishë, por në ato varreza varrosen një pjesë e të kishterëve të Dedajve. Pak më poshtë në drejtim të Drinit të Bardhë gjenden 16 Tumat ilire (deri në vitin 1974 janë zbuluar), përkatësisht vendi ku gjenden këto tuma quhet “Sakrale” (N. Gjuriq, J. Glishiq e J. Todoroviq: “Romaja parahistorike”, Vëllimi XVII, Enti për urbanizëm dhe mbrojtjen e përmendoreve kulturore dhe rraritjeve natyrore, Prizren, 1975), kurse përtej Tumave Ilire është katundi Rogova e Hasit, si dhe nga Ramaja, nëse shikohet nga Liqeni i Zymit e katundin Mullini i Vakafit dhe Katundi Lukini, kurse në anën e majtë është katundi Dedaj e tutje Kushnini, përkatësisht Lubizhda.
𝐊𝐢𝐬𝐡𝐚 𝐞 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐛𝐚𝐧𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐆𝐮𝐫𝐢
Si çdo kishë edhe Kisha e Shën Gjergjit në katundin Guri, i ka varrezat e besimtarëve të vet, por meqenëse është e ngritur në terren guror, varrezat e kësaj Kishe quhen Tumat. Këto Tuma gjenden përballë Kishës së vendbanimit Guri, në fund të kodrinës së Lagjeve Dodaj e Cakaj të katundit Karashëngjergj, pra aty ku kodrina takohet me Livadhet e Lagjes Berishë të Zymit. Të themi edhe këtë se vetëm në këtë vend varrezat quhen Tumat, që do të thotë varreza, sikurse Tumat ilire që gjenden në katundin Ramajë.
Në anën tjetër, në lindje të Kishës së vendbanimit Guri, në një largësi ajrore prej 300-400 metrave gjendet vendi Gastila, që tregon se emërvendi Gastila rrjedhë nga fjala kastella, pra kalaja. Aty edhe ka gjurmë të një kalaje, gjë që dëshmon se edhe vendbanimi Guri e kishte kalanë e vet, sikurse që në jugperëndim, rrëzë Pashtrikut (rreth 8000-9000 metrave në vijë ajrore, gjendet Kalaja e Fregnit (quhet edhe Kalaja e Panit, e Dodës, e Karashëngjergjit, e Zymit, etj., për të cilën thuhet se ishte Kështjella e Kastriotëve, prej nga doli edhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu.
𝐓𝐞𝐫𝐫𝐨𝐫𝐢 𝐭𝐮𝐫𝐤𝐨-𝐨𝐬𝐦𝐚𝐧 𝐞 𝐳𝐡𝐝𝐮𝐤𝐮 𝐯𝐞𝐧𝐝𝐛𝐚𝐧𝐢𝐦𝐢𝐧 𝐆𝐮𝐫𝐢 𝐧ë 𝐇𝐚𝐬
Për Kishën në Gur të Hasit, arqipeshkvi i Arqipeshkëvisë së Shkodrës, imzot Pjetër Bogdani, më 9 maj të vitit 1661, përmend se tri orë larg Prizrenit është Famullia në Gur (lexo: të Hasit), e cila në kuadër të vet i ka edhe kishëzat (lexo: filiala) e katundeve Ramajë, Rogovë e Lukini, me famullitarin don Lukë Kabashin.
Nga përndjekjet që ua bënin otomanët meshtarëve e besimtarëve të Hasit, sikurse edhe të tjerëve në viset tjera arbërore, françeskanët e torturuar e të rraskapitur, e kanë braktisur famullinë. Në këtë situatë shumë banorë kanë kaluar në fenë islame, kurse gratë nuk kanë pranuar të konvertohen.
Më 13 maj 1743, don Pjetër Bytyçi, nga Prizreni, njofton se Zymin dhe kishën e tij e kanë plaçkitur turqit, të cilët po tentojnë që me dhunë ta shtyjnë popullatën ta braktisin fenë katolike e të kalojnë në islam. (ASCPF, S. C. SERVIA, vol. 1, faqe 356 rv.). Për këtë flet në mënyrë të tërthortë edhe Francesco Bolizza, Cavaliere, i cili e përmend Zymin (më 5 dhjetor 1649) dhe thotë se “…një grup të krishterësh jetojnë edhe në Has”. (ASCPF, SOCG, vol. 265, faqe 59-85rv.).
Presioni dhe egërsia otomane mbi arbërorët, përkatësisht shqiptarët e krishterë (lexo: katolikë) nuk kishte të ndalur. Gjurmët e asaj çmendurie i hasën edhe disa barinj të Zymit. Ata, rreth viteve 1948/1950, duke e larguar një rrasë të madhe guri, kanë has në dy skelete (eshtra) njerëzish me duar të lidhura me vargonj (zinxhir) dhe me nga një kryq të metaltë në parzëm, që do të thotë se do të kenë qenë priftërinj françeskanë, ndërsa në afërsi të kishës në vendbanimin Gur, përkatësish te Hurdha e Pekës, është identifikuar një varr i vjetër me shtatë skeleta priftërinjsh (pasi kishin kryqe të metaltë në parzme) të masakruar në vitin 1743 (ASCPF, SC, 1690, Servia, vëllimi I. faqe 116; Radoniq J. “Rimska Kurija…”, 421).
𝐒𝐮𝐦𝐛𝐢 𝐚 ë𝐬𝐡𝐭ë 𝐆𝐮𝐫𝐢 𝐚𝐩𝐨 𝐙𝐲𝐦𝐢 𝐢 𝐇𝐚𝐬𝐢𝐭
Zymi i Hasit, që njihej si Sumbi (Symni) i hershëm, në shekullin XVII, ishte pjesë e Sanxhakut të Gjakovës nën sundimin osman. Po në atë kohë ekzistonte edhe një vendbanim me emrin Sumbi Teahsi, që tash njihet vetëm me emrin Sumb, e që gjendet në rrethinën e Gjirokastrës.
Megjithatë, për historinë e vendbanimit të Gurit në Sumbi (apo anasjelltas) të Hasit, s’ka shumë të dhëna. Në fakt, në krahinën e Hasit ka pasur monumente të gurit, siç ishin tumat (varrezat), që tani ekziston vetëm si emërvend, që dëshmon ekzistencën e kulturës së lashtë në këto anë, e të cilat nuk janë më larg se tre kilometra në vijë ajrore me Tumat e Ramajes së Hasit (N. Gjuriq, J. Glishiq e J. Todoroviq: “Romaja parahistorike”, Vëllimi XVII, Enti për urbanizëm dhe mbrojtjen e përmendoreve kulturore dhe rraritjeve natyrore, Prizren, 1975). Tumat e Gurit (të Hasit), tash afër Zymit, ishin të njohura edhe si “Vendi i Gurit” për shkak të pranisë së gurëve të mëdhenj. Ka të ngjarë që ky lokalitet të ketë qenë vend strategjik për banorët e kësaj ane. Madje, pandehet se ky vend është përdorur për mbrojtje apo si vend nga janë kontrolluar rrugët kryesore.
Madje-madje, vendbanimi Guri i dikurshëm, përkatësisht Sumbi i dikurshëm, afër Zymit të sotëm në Has, është vend me plot peizazhe natyrore, që shihen nga të gjitha anët.
T’i kthehemi edhe një herë Sumbit. Thuhet se fjala Symbi (Sumbi) është latine dhe se në gjuhën shqipe do të thotë diçka e përhimtë, ngjyrë guri, ngjyrë thatësie. Sipas kësaj logjike del se vendbanimi Guri vetëm sa është përkthyer dhe paksa është përshtatur. Nëse vështrohet ana tjetër, në shumë dokumente del se Zymi i lashtë dikur është quajtur Symbi (Sumbi), që me ardhjen e turqve, Symbi u shndërrua në Yzymb, që do të thotë rrush (pasi që Zymi me rrethinë me të madhe e kultivonte hardhinë, përkatësish rrushin). Më vonë emërtimi Yzymb ka pësuar ndryshime, që do të thotë se me kohë ka rënë shkronja Y dhe ka mbetur Zymb. Kështu është quajtur deri në vitin 1947, kur serbët, duke mos e pas shkronjën Y, njëherë e theksuan I – Zimb, por ky variant nuk u shkoi gjatë dhe e shndërruan në j – Zjumb, por në shqip përherë mbeti Zymb e nga viti 1947 përfundimisht dhe zyrtarisht mbeti Zym.
𝐊𝐢𝐬𝐡𝐚 𝐞 𝐒𝐡ë𝐧 𝐆𝐣𝐞𝐫𝐠𝐣𝐢𝐭 𝐧ë 𝐆𝐮𝐫𝐢 – 𝐦ë 𝐞 𝐯𝐣𝐞𝐭𝐫𝐚
Si gjithmonë kishat i kushtohen një shenjti, përkatësisht pajtori. Në një kohë të largët, në trojet arbërore 572 kisha e kanë pasur për pajtore Shën Prenën e pas saj vinin kishat me pajtor Shën‘Kollin (Shën Nikollin), e vijonin me Shën Ndoun (Antonin) e kështu me radhë. Ndërkaq, kishat në rrethinën e tashme të Zymit përherë i kanë ruajtur emërtimet që i kanë edhe sot – Kisha në vendbanimin Guri, si Kisha më e vjetër në këto anë, i kushtohet Shën Gjergjit (kremtohet më 23 prill), pastaj Kisha në Karashëngjergj, i kushtohet Shën Prenes (kremtohet më 26 korrik) dhe Kisha në Zym i kushtohet Të Ngriturit të Zojës Marije në Qiell (kremtohet më 15 gusht), kishë kjo e cila nga viti 1985, njihet edhe si Kisha e Zojës së Hasit.
Do përmendur se deri në fillim të viteve të 90-ta të shekullit kaluar, nuk lejohej të mbaheshin meshë për Festën e Shën Gjergjit te rrënojat e Kishës së vjetër të këtij pajtori, përkatësisht gjatë viteve të 80-ta e më herët të shekullit kaluar besimtarët fshehtas shkonin te rrënojat e kishës së Shën Gjergjit për t’u lutur e për t’i kryer ritet fetare, kurse nga ajo kohë rregullisht mbahet meshë për çdo 23 prill, kur kremtohet Festa e Shën Gjergjit. Madje, në vitin 2015, kur famullitar ishte don Ndue Ballabani, në afërsi të rrënojave të Kishës së vjetër të Shën Gjergjit, besimtarët katolikë të Zymit, të Karashëngjergjit e të Bregdrinit e kanë ngritur objektin e ri të Kishës së këtij pajtori. Me këtë rast në murin e përparmë të kishës së re është punuar edhe mozaiku me portretin e imzot Pjetër Bogdanit, i cili së bashku edhe me prelatët e tjerë të Bogdanëve – Andrea, Gjoni, Luka e Zefi, janë pagëzuar pikërisht në Kishën e vjetër të Shën Gjergjit në Guri (ndër Hast).