Nënë Zoje Prendi serbët ia vranë pesë djem, në atë që u konsiderua si masakra e Mejës.
Masakra e Mejës ishte vrasja masive e 372 civilëve shqiptarë të Kosovës (mes tyre djemtë e Zojes, Gjergji, Roberti, Marku, Sokoli dhe Viktori) nga policia serbe dhe forcat e Ushtrisë serbe, kryer më 27 Prill 1999 në fshatin Meja, afër qytetit të Gjakovës, gjatë Luftës së Kosovës.
Tani nënë Zoja e ka gjetur paqen e vet pas kaq shumë vitesh drejtësi të pritur dhe drejtësi të munguar. Ajo u bashkua me dritat e syve të saj, me fëmijët trima.
Në masakrën e Mejës burrat u nxorën nga kolonat e refugjatëve në një pikë kontrolli në Mejë dhe familjet e tyre u urdhëruan që të vazhdojnë udhën për në Shqipëri. Burrat dhe djemtë u ndanë nga kolona, pastaj u ekzekutuan pranë rrugës.
Masakra konsiderohet si më e madhja gjatë Luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. Vetëm një pjesë e kufomave janë gjetur, pjesa tjetër janë vënë në kamionë dhe janë transportuar në Serbi ku janë varrosur në varreza masive ose janë djegur për të zhdukur gjurmët.
Sipas dëshmive të Kryetarit të Departamentit të Sigurisë së Divizionit të Ushtrisë Jugosllave në Prishtinë, Momir Stojanović, masakra ishte planifikuar më herët dhe misioni i saj ishte ‘të neutralizonte elementet terroriste në zonë’.