in

Zemra mal për “K’cimin e Tropojës”

Më është bërë zemra mal nga lajmi se “K’cimi i Tropojës”, e thirrur ndryshe si “Valle veni”, është njohur tani edhe nga UNESCO si një “monument” i kulturës botërore. Urime Tropojës, Malësisë së Gjakovës, për arritjen e madhe kulturore kombëtare me përfaqësim të lartë ndërkombëtar! Vallja e bukur dhe tradicionale u pranua edhe zyrtarisht këto ditë në “Listën Përfaqësuese të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit” të UNESCO-s, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë.

“K’cimi i Tropojës”, kjo pasuri e çmuar dhe e rrallë kulturore shqiptare, që dëshmon vlerat universale të traditave tona të hershme të Tropojës Alpine, Dardanisë e Kombit, që prej këtij fundviti 2024 po renditet edhe si një simbol kombëtar i identitetit kulturor shqiptar, duke na bërë krenarë të gjithë shqiptarëve në atdhe e në Amerikë e kudo tjetër në mërgata shqiptare në botë. Për këtë arritje të madhe të vendlindjes së të parëve të mi, dua të shpreh edhe vlerësimet e mirënjohjen time të veçantë: për të gjithë mbartësit dhe interpretuesit e “K’cimit të Tropojës” ndër brezat e derisotëm e të nesërm; për Shoqatën “K’cimi i Tropojës”; për institucionet lokale e qendrore të Shqipërisë, për mediat shqiptare, për të gjithë lobuesit e kontribuuesit, duke theksuar se kjo na e rrit përgjegjësinë lokale e kombëtare shqiptare për të pasur angazhime e arritje të tjera të mbrojtjes e vazhdimësisë së saj.

Tropoja ka edhe një tjetër arritje të madhe lokale e kombëtare, kur “Lumi i Gashit” u bë pjesë në Listën e Trashëgimisë Botërore të Njerëzimit (kulturë materiale) të UNESCO-s. Arritja e Tropojës me “K’cimi i Tropojës”, si një arritje kombëtare, me promovim ndërkombëtar e mbrojtje nga UNESCO, merr rëndësi të veçantë sepse deri më sot në Listën e Trashëgimisë Botërore (kulturë jomateriale) në UNESCO janë vetëm dy nga pasuritë kombëtare shqiptare: Iso Polifonia Labe (2005, 2008) dhe Xhubleta (2022). Është pa dyshim një vlerësim i merituar për Tropojën e mbarë Malësinë e Gjakovës, një krahinë, e cila shpesh është përmendur për patriotizëm dhe virtytet më të larta njerëzore, që ka luajtur rol në historinë e popullit shqiptar. Por që ka qenë gjithmonë edhe burim i një folklori të mrekullueshëm, me valle, këngë, muzikë, instrumente muzikore, veshje të bukura karakteristike etj..

Ky vlerësim duhet t’u japë zemër shqiptarëve që të punojnë për ta ruajtur folklorin e tyre, për ta pasuruar. Kjo bëhet duke mos e lënë të harrohet. Duke ia mësuar brezit të ri. Duke treguar krenari e dashuri për traditat tona. Kur fillon “Vallja e Venit”, me ritmin që jep tupani, me bukurinë e çiftelisë dhe fyelli, me valltarët e me shtatin e lartë dhe veshjet e bukura tradicionale ta mbushin zemrën me gëzim. Tani këtë “K’cim të Tropojës” e njeh dhe është e vendosur që ta mbrojë e gjithë bota. Urime!

Harry Bajraktari është themeluesi dhe ish-botues i gazetës “Illyria” (1991-1998). Ai është një veprimtar, biznesmen dhe filantropist shqiptaro-amerikan, i nderuar me shumë çmime, mes tyre edhe “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë, “Medalja Presidenciale e Kosovës për Merita” si dhe “Dekorata e Thirrjes Presidenciale për Shërbim” nga Shtëpia e Bardhë në SHBA.

Raporti i britanikëve/ “Kryezinjtë patriotë, mbajtën Enver Hoxhën me para në Paris”

Me ftesë të Makronit, Osmani sot merr pjesë në rihapjen e Katedrales Notre Dames