Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, ka uruar nxënësit, prindërit dhe personalin arsimor për fillimin e gjysmëvjetorit të dytë, që fillon nesër, më 18 janar. Ai, në një postim në Facebook, fton të gjithë që me fillimin e procesit të mësimit të respektohen masat kundër koronavirusit.
“Të nderuar prindër, nxënës dhe personel arsimor,
Me rastin e fillimit të mësimit në gjysmë vjetorin e dytë, duke ju falënderuar për bashkëpunimin e vazhdueshëm, ju uroj sukses.
Çdo ditë, në çdo situatë ju ftoj që të keni kujdes dhe respektoni masat anti Covid, të vazhdojmë së bashku ta ruajmë shëndetin personal dhe shëndetin e të tjerëve.
Edhe ky gjysmë vjetor, ka vështirësitë e veta sepse virusi gjendet në mesin tonë, andaj të gjithë të angazhohemi, secili në detyrat dhe përgjegjësitë e veta, në respektimin e masave parandaluese ndaj virusit.
Paçim vit shkollor sa më të suksesshëm!”, ka shkruar Zemaj.


