Sherif Ramabaja
Putini i Ballkanit Vuçiq, fjalinë: Kurti është kundër paqes e për luftë, e ka përsëritur me dhjetëra e qindra herë.
Këto gjëra për popullin serb janë të njohura: nëse gënjeshtra përsëritet njëqind herë, ajo në fund bëhet e vërtetë. Për fat të keq në këtë kurth me vetëdije apo pa vetëdije, bien edhe shqiptarët. Këtë më së miri e tregon rasti i kryeministrit… I kujt ?… I kryeministrit shqiptar, Rama : Kurti është maksimalist. Kurti jeton në një botë tjetër. Kurti me Veriun e Kosovës është treguar kokëfortë. Nëse vazhdon në këtë mënyrë, rrezikon që veriu të rrëshqas në një Donbas të vogël etj.
Por janë të njohura edhe tentativat e Ramës, me çdo kusht për ta mbrojtur Vuçiqin edhe kur ai kritikohej nga institucionet e EU, apo bashkësia ndërkombëtare. Pra ky është edhe një nga shkaqet që EU dhe SHBA i kanë ndërruar pozicionet, ku Kosova po sanksionohet dhe qortohet kurse, Serbia dhe Vuçiqi po lavdërohen për konstruktivitet.
Sapo Rama, në një intervistë të një gazete italiane e kishte kritikuar Albin Kurtin, menjëherë pas një dite u lajmërua miku i tij Vuçiq, i cili i përsëriti gënjeshtrat e tij tashmë të njohura, duke e quajtur Kurtin iracional, po i josh serbët, po i ndjek dhe po i burgos.
Dhe kush i përsërit këto akuza, Goebbels – i i Milosevicit, Putini i Ballkanit – Vuçiqi, bashkëfajtori i masakrës së Srebrenicës, bashkëfajtori i masakrave në Kosovë dhe bashkëfajtori në luftën e fundit i shpërnguljes biblike të shqiptarëve, ku më se një milion shqiptar me dhunë policore e ushtarake u shpërgulën drejt Shqipërisë e Maqedonisë.
Gënjeshtrat e tilla të Vuçiqit gjasojnë edhe me ata të Putinit kur thotë : NATO dhe perëndimi janë fajtor, për luftën në Ukrainë.
Edhe Putini i Ballkanit e ka një prapavijë identike: nëse e sulmon Kosovën të arsyetohet : unë që nga fillimi u kam thënë se Kurti është minues i paqes. Ai që nga fillimi e ka provokuar Serbinë dhe popullin serb, duke i fryrë zjarrit të luftës. Serbia është detyruar të mbrohet dhe ta mbroj popullin serb në Kosovë.
Pra Putini i Ballkanit dhe Serbia opinionin e brendshëm për luftëra ndaj Kosovës e masakra ndaj shqiptarëve, gjithmonë e kanë të përgatitur. Tash
u është dashur vetëm ta ngjallin urrejtjen e mbjellur në shpirtin e popullit serb kundër shqiptarëve, kurse po përpiqet që në bazë të rrethanave ta mashtroi edhe bashkësinë ndërkombëtare. Këtë e kanë bërë edhe gjatë shekujve, gjoja se Serbia po detyrohet të ndërhyj kundër Kosovës për t´u mbrojtur, përndryshe ajo është me perëndimin.
Të gjitha këto varen nga zhvillimet në luftën Ukrainë – Rusi, por Putini i Ballkanit, po përgaditet për të gjitha variantet.
Nëse Rusia e humb luftën, Putini i Ballkanit do të mundohet që të shpëtoi atë që mundet, duke u arsyetuar se ishte përkrah perëndimit, po kishte presion nga Rusia, ndërsa nëse rastësisht Rusia fiton, s´ka kush që do ta ndal Serbinë.
Kosova dhe shqiptarët patjetër duhet të përgatiten për të gjitha variantet që njëherë e përgjithmonë me Serbinë, ta ndajnë shapin prej sheqerit. Rrjedhën e historisë edhe ne njëherë duhet ta ndryshojmë. Shembull duhet ta marrim Ukrainën, e cila po e gjunjëzon Rusinë.