in

Vuçiç thotë se do të ndërtojë fabrika për prodhim të vaksinave

Presidenti Vuçiç premton ndërtimin e fabrikave për prodhimin e vaksinave, si dikur në kohën e Jugosllavisë. Mediat njoftojnë se teknologjia e përshtatshme për prodhimin e vaksinave do të vijë nga Moska. Serbia dëshiron ta prodhojë vetë vaksinën ruse. Deri atëherë, Rusia ka në plan të dërgojë qindra mijëra ampula të vaksinës Sputnik 5 në Serbi.

Kina ka pasur një sukses të madh propagandues me shpërndarjen e vaksinës së saj, deklaron analisti politik Jaksa Shçekiq. Ndërsa shtetet perëndimore kanë mundur të sigurojnë vetëm disa mijëra ampula të vaksinës Pfizer dhe BioNTech, Pekini ka dërguar shumë. “Shokët e vërtetë e tregojnë veten e tyre në kohë të vështirë”. Kjo është mënyra se si shumë serbë do të interpretojnë ndihmën nga Pekini, thotë 67-vjeçari. Qeveritë në Kinë dhe Rusi po bëjnë politikë me shpërndarjen e vaksinave. Nga ana tjetër, qeveritë perëndimore duhet të koordinojnë gjërat brenda BE-së, për shembull, dhe të mendojnë edhe për ekonomitë e veta.

Konkurrenca e fuqive të mëdha

Edhe Danijel Pantiq mendon ngjashëm në një intervistë për DW. Analisti 50-vjeçar, i orientuar nga Perëndimi, flet për konkurrencën midis fuqive të mëdha kur bëhet fjalë për luftimin e virusit Corona. Në sytë e shumë serbëve, Kina është përpara. Besimi i serbëve në aftësinë vepruese të Bashkimit Evropian po zvogëlohet. “Është një krizë ekzistenciale për ne”, thotë ai. “Tani kemi nevojë për ndihmë si rrallë më parë, e ndihma nuk po vjen nga Perëndimi, por nga Kina dhe Rusia.” Serbia, si një vend i vogël, varet nga ndihma e shteteve të tjera. Në Ballkanin Perëndimor, vetëm Serbia dhe Shqipëria kanë filluar të vaksinojnë popullatat e tyre deri më tani. Bosnja, Kosova, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut janë ende në pritje të dorëzimit të sasive të mëdha të vaksinave nga jashtë.

Kërkimi i partnerëve në Lindje

Kina po përpiqet të përfitojë politikisht nga situata. Ajo tregon se është një partnere e aftë për veprim të shpejtë dhe nuk ka nevojë të presë si në vendet e tjera. Daniel Pantiq kujton përfshirjen e Pekinit në projektet ndërshtetërore të infrastrukturës në Evropën Juglindore. Paraqitja me një vetëbesim të theksuar ka lënë efektet e veta, thotë ai. Gjithnjë e më shumë të rinj serbë mësojnë gjuhën e tyre. Besimi se Serbia mund të bëhet anëtare e BE në një të ardhme të parashikueshme po zvogëlohet. Pantiq thotë se Serbia nuk ka pasur asnjë vështirësi për t’u bërë pjesë e Bashkimit Ekonomik Euroaziatik.

Ngjashëm me Serbinë, edhe disa shtete të tjera të Evropës Qendrore e Lindore dhe Juglindore po riorientohen drejt Lindjes. Edhe Hungaria si anëtare e BE-së, apo Turqia, shpresojnë mbështetjen nga Kina dhe Rusia në luftimin e pandemisë, thotë Pantiq.

Ndërkohë, varianti i ri i virusit Corona, i paraqitur për herë të parë në Britaninë e Madhe është shfaqur edhe në Serbi. Një grua e adhur nga Londra e ka sjellë me vete në Beograd. Megjithatë qeveria serbe nuk po planifikon një bllokim të ri. Restorantet, kafenetë dhe qendrat tregtare janë të hapura.

Lini një Përgjigje

Serbia shteti i parë evropian që merr vaksina nga Kina

Serbia thotë se ka filluar vaksinimin në Mitrovicën e Veriut