Shkruan: Gani Mehmetaj
Haki Taha, nacionalist e kishte mbështetjen e simpatinë e kreut të priftërinjve katolik të Shkodrës. Pse heshtët ky fakt? Normalja e Elbasanit nxori edhe nacionalistë, pos komunistëve të thekur.
Pse askush nuk bisedoi me bashkëpunëtorët e Haki Tahës. Prenk Gruda pas 53 vjetesh në “Albania Gazette of Boston”, Florida, me 8 Janar 1998 jep dëshmi tronditëse: “Me 28 shkurt 1937, Hakiu formoi një celule te fshehtë, në formë organizate, vetë i pestë: Haki Taha, kryetar, Minush Lipoveci, Zeki Shehi (te tre gjakovarë), Murat Llabunishti nga Struga e Prenk Gruda prej Malësisë së Madhe të Shkodrës. Ne ishim te gjithë të betuem për çdo gjë me e mbajt sekretin, me qenë të gatshëm po të jetë nevoja, me e dhanë jetën për kauzën e shejtë të Kosovës.
Minush Lipoveci e Zeki Shehu kanë vdek ndër tortura në Goli Otok, ndërsa Murat Llabunishtin, Sigurimi i Shqipnisë e ka arrestue në Elbasan e dorëzue UDB-së jugosllave në Shkup, ku e kanë mbyt me tortura”.
Qazim Vula, gjakovari i katërt u inkuadrua më vonë, ndërsa numri u shtua. Thuhet se ishin 15 veta. Kush ishin të tjerët?
Mediet e historianët nuk kanë biseduar asnjë herë me dëshmitarët e familjes së vjetër prishtinase Staka. Dy nga burrat e kësaj familje (ati dhe djali ishin dëshmitarë kur Xh. Nimani me milicët e OZNA-s u nisën në kapjen e Haki Tahës pak kohë pasi Taha e vrau Miladinin. Dëshmitari tjetër, tregon se Haki Taha është futur i plagosur në pleme, afër selisë së Komitetit Krahinor, dmth milicët kanë gjuajtur në te dhe e kanë plagosur. Gjurmët e gjakut, sipas dëshmitarëve ishin aty.
Prishtinasit e kishin parë kufomën e Haki Tahës, që u ekspozua para barnatores së qytetit. Kolonistët serbë silleshin turpshëm me të vrarin, kurse shqiptarët dredhonin rrugën.
Haki Taha është gjakovari më i merituar në shtatë dhjetëvjetëshin e fundit. Haki Taha është ndër shqiptarët më trima në Dardani e në territoret etnike shqiptare pas Luftës së Dytë Botërore.
Një shtatore duhet ta ketë në qendër të qytetit të Gjakovës, por një shtatore duhet ta ketë edhe përballë Kuvendit të Prishtinës, aty ku e bëri veprën heroike.
Haki Tahën njërin ndër heronjtë e rrallë urban, edhe pas 70 vjetësh disa grupe enveristo -titistësh përpiqen ta nxjerrin të dyshimtë. Miladin Popoviqin, emri i të cilit rëndon aq shumë mbi kurrizin e shqiptarëve më vrasje e komplote, prapë grupe komunistësh pro jugosllavë duan ta nxjerrin të mirë që u ndihmoi shqiptarëve! Më asgjë nuk e mbështesin mirësinë e Miladinit, as komunistët e Kosovës, as Enver Hoxha që e vajtoi grarishte, ndërsa e kalojnë në heshtje trimërinë e burrit nga Gjakova. Miku im nga rrjeti social, Ben Oroshi e kishte një ide të qëlluar për ngritjen e shtatores së Haki Tahës në Gjakovë.
Ne nuk e njihnim, Haki Tahen, nuk e dinim as cilit përcaktim politik i takonte, nuk merrnin vesh nga përcaktimet politike: njerëzit i ndanim ne ata që flisnin gjuhën tonë dhe ata që flisnin gjuhën e pushtuesit. Në mes ishin ata që bartnin fjalë, ndërsa na thoshin t’u ruhemi si atyre që kofshin tretë. Nuk dinim shumëçka për kohën e situatën, por dale ngadalë nga bisedat e shkëputura mbrëmjeve të vona të dimrit të ftohtë na vinin në vesh fjalë mahnitje e lavdërimi për trimërinë e tij…
Nesër: Lasgush Poradeci për Haki Tahen