Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në një takim kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, me të cilin biseduan që të vazhdojnë diskutimet për temat që kërkojnë konsensus të gjerë politik dhe shoqëror.
“Partitë opozitare kanë rol kyç në proceset e rëndësisë së veçantë për vendin. Prandaj, sot prita në takim kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun. E përgëzova atë për rolin konstruktiv që LDK luajti gjatë procesit të përmbylljes së formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Sigurova z. Abdixhiku që institucioni i Presidencës do të jetë çdoherë në shërbim të forcimit të bashkëpunimit dhe dialogut mes partive politike, me theks të veçantë për temat e interesit kombëtar. Në këtë drejtim, mirëpres kontributin e të gjitha partive politike opozitare për çështjet që lidhen me interesin shtetëror dhe mirëqenien e qytetarëve.
Me z. Abdixhiku u pajtuam që të vazhdojnë diskutimet për temat që kërkojnë konsensus të gjerë politik dhe shoqëror”, ka shkruar znj. Osmani.