Në një sqarim të gjatë, pas publikimit në disa medie se ajo ia ka shkëputur kontratën z. William Walker, shkruan se nuk është shkëputur kontrata, por ajo skadon këtë muaj. Nuk ka pasur kontratë personalisht me z. Walker, por me drejtorin e fondacionit Hasan Salihu, që mban emrin William Walker.
“E pabesueshme se deri në çfarë niveli të ulët shkojnë dezinformatat lidhur me ngjarje publike në vendin tonë. Për shembull, sot thuhet se unë kam “shkëputur kontratën me z. William Walker”. E vërteta është se kontrata nuk është shkëputur por skadon këtë muaj, sipas afateve të parapara në vetë këtë kontratë. Po ashtu nuk ka pasur asnjëherë kontratë me personalisht z. William Walker. Ka pasur një kontratë me fondacionin e udhëhequr nga drejtori ekzekutiv z. Hasan Salihu e cila mbanë emrin Fondacioni Walker. Presidenca është njoftuar nga fondacioni, në një takim zyrtar në presidencë më 17.11.2020, që asnjë cent nga kjo pagesë nuk i dërgohet personalisht z. William Walker”.
“Në njoftimin zyrtar, dërguar këtij fondacioni, me datë 1 dhjetor, Presidenca ka shprehur gatishmërinë që të mbetet në kontakt me z. Walker personalisht dhe citoj: “PËR TË PARË MUNDËSINË E BASHKËPUNIMIT EDHE MË KONKRET DHE MË TË AFËRT”. Z.Salihu, asnjëherë nuk është përgjigjur në këtë gatishmëri tonën. Po ashtu, me qëllim që të shohim mundësitë e bashkëpunimit të mëtejmë, ne kemi kërkuar raportet e punës për periudhën e deritanishme për të kuptuar natyrën e shërbimeve të ofruara. ASNJË RAPORT NUK ËSHTË DORËZUAR dhe asnjë dokument pune lidhur me këtë kontratë nuk është gjendur në Presidencë. Ne kemi kërkuar raporte pune në veçanti për muajt nëntor e dhjetor, ashtu siç parashihet në nenin 6 të kontratës por asgjë nuk është dërguar deri më tani”.
Osmani shkroi se do të ngre padi ndaj mediave për “publikimin e dezinformatave”.