in

Viruset që shërojnë sëmundjet njerëzore

E përktheu dhe e përgatiti: Dr. Enita Metaj, Tiranë  

(BBC) Dikur e përbuzur si pseudoshkencë sovjetike, terapia e fag-ëve po fiton terren si një zgjidhje e mundshme për rezistencën ndaj antibiotikëve, por sfidat rregullatore mund të jenë pengesa e saj më e madhe.

Tre vite më parë, Esteban Diaz u këshillua nga mjekët e tij të hynte në listën e transplantimit të mushkërive pas një beteje të gjatë me Fibrozën Cistike. Kjo sëmundje shkakton prodhim të shtuar të mukusit në mushkëri dhe pankreas, duke i lënë pacientët jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj infeksioneve bakteriale. Në rastin e një francezi 47-vjeçar, antibiotikët që atij i ishin përshkruar që nga fëmijëria nuk ishin më efektivë kundër infeksioneve të pandërprera të shkaktuara nga Pseudomonas aerugonisa, një bakter tashmë i klasifikuar si një superbakter.

Në vend të kësaj, Diaz (jo emri i tij i vërtetë) udhëtoi në Gjeorgji, një ish shtet sovjetik në Detin e Zi, për t’iu nënshtruar terapisë me fag, një trajtim mjekësor për të cilin ai tha se i pastroi infeksionet brenda disa ditësh dhe e lehtësoi atë nga lodhja e vazhdueshme, kolla e pareshtur dhe marrja e frymës që e mundonte atë prej dekadash.

Fagët ose bakterofagët janë viruse që natyrshëm sulmojnë bakteret duke infektuar dhe duke u replikuar brenda tyre derisa bakteret shpërthejnë, duke vrarë mikpritësin e tyre mikrobik. Ka miliarda fagë në Tokë dhe ato kanë bashkë-evoluar me bakteret që prej mijëra vjetësh, duke ndihmuar në mbajtjen nën kontroll të numrit të tyre.

Përdorimi i tyre terapeutik filloi për herë të parë në vitin 1919 nga Felix d’Herelle, një mikrobiolog francez-kanadez që përdori fagët për të kuruar një djalë që vuante nga dizenteria e rëndë. Sidoqoftë, zbulimi i penicilinës në vitin 1928 dhe prodhimi pasues komercial i tij nga vitet 1940 lëshoi epokën e antibiotikëve, duke zëvendësuar në mënyrë efektive terapinë me fagë.

Roli terapeutik i fagëve mund të ishte harruar, por jo për bashkëpunimin midis d’Herelle dhe George Eliava, një shkencëtar i ri gjeorgjian i cili kishte udhëtuar në Francë në 1923. Ai kishte arritur me qëllimin për të studiuar zhvillimin e vaksinave, por në vend të kësaj e ktheu vëmendjen te fagët pasi u takua me d’Herelle në Institutin Pasteur.

Eliava u kthye në Gjeorgji dhe ftoi d’Herelle për të ndihmuar ngritjen e institutit të parë kërkimor në botë dhe qendrës terapeutike kushtuar bakterofagëve, pikërisht kur vendi po përfshihej në Bashkimin Sovjetik.

Për fat të keq, si mijëra intelektualë të kohës, Eliava ra pre e regjimit të Josef Stalin dhe u ekzekutua në 1937. Por patronazhi Sovjetik i kërkimit dhe zhvillimit të fagëve terapeutike vazhdoi në institutin e themeluar nga Eliava, vite pasi bota perëndimore mënjanoi qasjen.

“Terapia e fagëve ishte pjesë e sistemit standard të kujdesit shëndetësor gjatë Bashkimit Sovjetik”, thotë Mzia Kutateladze, drejtoreshë e Institutit Eliava. “Në varësi të gjendjes shëndetësore të pacientit dhe llojit të infeksionit, mjekët do të merrnin një vendim nëse do të përdornin fagë, antibiotikë ose një kombinim të të dyve.”

Sidoqoftë, instituti u përball me vështirësi të mëdha në vitet pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik. Disa studiues u përpoqën të ruajnë kulturat e fagut në shtëpitë e tyre për t’i shpëtuar ato. Por shumë shpejt kjo terapi do të riprezantohej në sytë e gjithë botës.

“U desh shumë kohë para se njerëzit të bindeshin se fagët mund të përdoren terapeutikisht,” thotë Kutateladze. “Por rezistenca ndaj antibiotikëve mbështeste nevojën për të gjetur alternativa.” Instituti u përball me sfida të mëdha kur filloi të prezantonte punën e tij ndërkombëtarisht në fund të viteve 1990. Por në 2001, ajo mori pacientin e saj të parë të huaj menjëherë pas një konference në Montreal – një Kanadez që vuante nga një infeksion bakterial i kockave i quajtur osteomielit, që antibiotikët nuk kishin qenë në gjendje ta shërojnë. Trajtimi funksionoi dhe falë një stuhie artikujsh të lajmeve që pasuan, pacientët ndërkombëtarë filluan të dynden në Institutin Eliava.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka quajtur rezistencën antimikrobike (AMR) një krizë globale shëndetësore, me deri në 30 milion njerëz që pritet të preken deri në vitin 2050. Për pacientët me Fibrozë Cistike si Diaz, rezistenca ndaj antibiotikëve ishte pasojë e pashmangshme e recetave me barna pambarim, të përshkruara prej një jete.

“Nga koha kur isha shtatë vjeç deri sa arrita 17, çdo tre muaj, unë do të bombardohesha sistematikisht me dy lloje të ndryshme të antibiotikëve, ky ishte protokolli brenda ditës,” thotë Diaz. Rreth të 30-ave, ai kishte zhvilluar tinitus (zhurmë në vesh) kronik si një efekt anësor i përdorimit të vazhdueshëm të aminoglukozideve, familja më e zakonshme e antibiotikëve që përdoret për të trajtuar infeksione nga pseudomonas si në rastn e tij. Rreth të 40-tave, rezistenca ishte vendosur dhe transplantimi i dyfishtë i mushkërive ishte e vetmja mundësi që mjekët e tij në Francë mund të sugjeronin për t’i zgjatur jetën.

Pasi u ndesh me një dokumentar në lidhje me terapinë e fagëve të Institutit Eliava në një stacion televiziv Francez, ai rezervoi një udhëtim. “Ditën e katërt të trajtimit ishte sikur dikush ma kishte marrë sëmundjen. Kam fjetur gjatë gjithë natës për herë të parë në vite. Është e vështirë të përshkruhet… Unë gati mund të ndieja oksigjenin që po kalonte nëpër mushkëritë e mia. Ishte e pabesueshme ”, thotë ai.

Që nga vizita e tij e parë, Diaz kthehet rregullisht në Tbilisi për t’u furnizuar me doza orale të përgatitjeve të fagëve që kanë ndihmuar në kontrollin e infeksioneve të mëvonshme. Kjo ishte derisa ai i mbaroi fagët në mars të këtij viti, ashtu si Gjeorgjia mbylli kufijtë në përpjekjen e saj për të luftuar përhapjen e koronavirusit. Sapo u zbutën kufizimet e udhëtimit, Diaz u kthye për një seancë tjetër të trajtimit që ai tha se ia lehtësoi menjëherë kollën të vazhdueshme që i kishte filluar gjatë kësaj kohe.

Por trajtimi i tij nuk ka qenë pa komplikime. Diaz ka frikë se mund të humbasë përfitimet e tij nëse zbulohet se ka udhëtuar në Gjeorgji për trajtim, veçanërisht gjatë një pandemie. Ai shton se mjekët e tij personalë dhe një grup mbështetës i Fibrozës Cistike në Francë kanë paralajmëruar vazhdimisht pacientët si ai kundër përdorimit të fagëve për trajtim pasi nuk është aprovuar ende për përdorim në vendet perëndimore.

Por kjo nuk i ka ndaluar qindra pacientë të huaj që kërkojnë trajtime të tilla në Gjeorgji, me një mori agjensish turistike mjekësore që shërbejnë për ta. Francezi Alain Lavit dhe gruaja e tij gjeorgjiane Irma Jejeia kanë ndihmuar pacientët si Diaz përmes agjensisë së tyre Kaukaz Healing që nga viti 2016. Një shumicë e klientëve të tyre janë Francezë, dhe ndërsa disa kanë folur hapur me mediat për trajtimet e tyre të fag-ut, Lavit thotë se pacientët me sëmundje kronike si Fibroza Cistike preferojnë të mbajnë anonimitetin për shkak të marrëdhënieve komplekse gjatë gjithë jetës që ata zhvillojnë me mjekët e tyre në shtëpi.

“Nuk është e paligjshme të shkosh jashtë për trajtim, por shumë nga pacientët me Fibrozë Cistike me të cilët kemi punuar janë të shqetësuar për ofendimin e pneumologëve të tyre të cilët ata i kanë parë që nga fëmijëria. Shumica e mjekëve nuk dinë asgjë për terapinë e fagëve kështu që ata gjithmonë këshillojnë kundër tij, ” -thotë Lavit. Një klauzolë në sistemin francez të pensioneve të aftësisë së kufizuar, për shembull, përcakton që pacientët duhet të kërkojnë punësim sapo të shërohen nga sëmundja e tyre, duke e bërë atë një situatë të ndërlikuar për njerëzit me sëmundje kronike të raportojnë ndonjë përmirësim në simptomat e tyre. “Terapia me fagë nuk i kuron ata, por ndihmon gjendjen e tyre”, shton Lavit.

Miliona njerëz u trajtuan me fagë në ish-Bashkimin Sovjetik dhe Instituti Eliava vazhdon të marrë dhe trajtojë me sukses qindra pacientë ndërkombëtarë çdo vit. Por kanë kaluar vetëm pak më shumë se dy dekada që kur shkencëtarët perëndimorë rifilluan kërkimet për terapinë me fagë dhe kryen prova klinike të nevojshme për të rregulluar përdorimin e tyre si barna terapeutike.

Phagoburn ishte prova e parë klinike evropiane e drejtuar nga francezët për terapinë e fagëve në plagët e djegura të infektuara duke ndjekur udhëzime të rrepta mjekësore. Financuar pjesërisht me një grant prej 3.8 milion € (3.38 milion ose 4.6 milion dollarë) nga Komisioni Evropian, ai u zhvillua midis 2013 dhe 2017 por u përfundua herët për shkak të dështimit për të rekrutuar subjektet e duhura të provës dhe çështjeve të lidhura me stabilitetin e fagëve të përgatitur. Për më tepër, u deshën dy vite dhe një shumë e konsiderueshme e buxhetit të projektit për të prodhuar fagë në përputhje me Praktikat e Mira të Prodhimit (GMP) të përshkruara. Ndërsa prova demonstroi se fagët ndihmuan në uljen e barrës bakteriale në disa pacientë, ato e bënë këtë me një ritëm më të ngadaltë se sa trajtimi standart.

Ky ishte një zhgënjim për ithtarët e terapisë me fagë, përfshirë ata në Institutin Eliava. “Ky nuk është vetëm dështimi i një testi, ajo ndikon në të gjithë konceptin,” thotë Kutateladze, i cili beson se lloji i fagëve, dozat e përshkruara dhe mënyra e aplikimit në provë nuk ishin të përshtatshme për infeksionin në pacientët e testuar. “Është shumë e vështirë të ndjekësh mënyrën standarte klasike të miratimit. Nuk është një formulë kimike”.

Fagët duhet të përputhen me bakteret që pritet të infektojnë për të arritur rezultate sa më efektive, thotë ajo. Përgatitjet mjekësore gjithashtu duhet të përditësohen rregullisht, duke e bërë më të vështirë për ta që të përmbushin udhëzimet e vendosura perëndimore që janë krijuar për antimikrobikët konvencionalë.

“Ato përbëjnë biomjekësi dhe duhet të përfitojnë nga një status i veçantë, veçanërisht pasi ato janë natyrore”, thotë Alain Dublanchet, një nga avokatët kryesorë të terapisë së fagëve në Francë, i cili shpesh ka referuar pacientë në klinikën në Institutin Eliava në Gjeorgji. Për të, rezultati i Phagoburn e bëri edhe më të vështirë për pacientët si Diaz të flasin hapur se si fagët ndihmuan në shërimin e infeksioneve të tyre në Francë.

“Pengesa kryesore duket se qëndron në mundësinë e prodhimit të pezullive të bakterofagëve që kënaqin autoritetet shëndetësore [franceze]”, thotë ai. Ai shton se përqëndrimi i fagëve të përdorura në studimin Phagoburn gjithashtu u zvogëlua për të qenë në anën më të sigurt të udhëzimeve të prodhimit për ilaçet, një fakt i sjellë në disa raste studimore mbi mangësitë e provës.

Por, megjithë pengesat e Phagoburn, roli i tij në shpëtimin e jetës së shtetasit amerikan Tom Patterson dhe pacientes britanike të Fibrozës Cistike, Isabelle Carnell-Holdaway nga supermikrobet vdekjeprurëse u provua gjerësisht. Në të dy rastet, fagët u përgatitën dhe u administruan në përputhje me “përdorimin e mëshirshëm “, një klauzolë që lejon përdorimin e barnave eksperimentale si një mjet i fundit i shpëtimit të jetës.

Megjithëse disa vende të zhvilluara, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe SH.B.A.-në, tani lejojnë “përdorimin e mëshirshëm” të fagëve për raste të caktuara, Dublanchet argumenton se kjo pengon shumë njerëz nga marrja e trajtimit që ata kërkojnë dëshpërimisht. “Duket absurde të presësh derisa jeta e individëve të ketë arritur një fazë të pasigurt para se të jemi të autorizuar të trajtojmë sëmundjen e tyre,” thotë ai.

Belgjika po udhëheq rrugën si vendi i parë i zhvilluar që miraton përdorimin e fagëve si përgatitje magjistrale, ose medikamente të personalizuara që mund të përgatiten nga një farmacist i kualifikuar bazuar në recetën e mjekut. “Në Belgjikë, kemi kaluar shumë vite duke diskutuar me rregullatorët, por ky ishte një gabim,” thotë Jean-Paul Pirnay, drejtor kërkimesh në Spitalin Ushtarak Mbretëresha Astrid në Bruksel. “Rregullatorët e pëlqyen terapinë me fagë, por ata nuk kishin fuqinë dhe as mandatin për të ndryshuar ose përkulur rregulloret. Vetëm kur ministri i shëndetit publik zyrtarisht u kërkoi atyre që të na ndihmonin, topi filloi të rrotullohej. ”

Pirnay është autor i një dokumenti që përshkruan rekomandimet për Kornizën e Mjekësisë Magjistrale të Fagut të Belgjikës, duke përfshirë një sistem rregullator për të krijuar një bankë fare të fagëve të testuar dhe të çertifikuar të nevojshme për përgatitjet e personalizuara. Ai thotë se ka plane të vazhdueshme për të eksportuar këtë zgjidhje në Farmakopenë Evropiane ose një zgjidhje rregullatore pan-BE që rregullon përdorimin e fagëve, por Covid-19 ka ngadalësuar vrullin.

Me këto zhvillime, Pirnay beson se është vetëm çështje kohe para se terapia e personalizuar e fagut të pranohet si një opsion standart trajtimi në të gjithë botën. Ai e përshkroi këtë në artikullin gjysmë shkencor “Terapia e Fagut në Vitin 2035”, që portretizon një të ardhme të zymtë “karakterizuar nga mbipopullimi njerëzor, ndërprerjet e mëdha të ekosistemit, ngrohja globale dhe ksenofobia” ku AI ndihmon në luftimin e sëmundjeve duke përputhur fagët e duhur për secilin rast.

Por 2035 është shumë larg për njerëzit që janë të sëmurë tani. Rreth 700,000 njerëz vdesin çdo vit për shkak të infeksioneve me rezistencë antimikrobiale. Pirnay tregon se alegoria futuristike u fut në artikullin e tij për të nxjerrë në pah nevojën urgjente për një zgjidhje. Megjithëse OBSH-ja ka deklaruar në mënyrë të përsëritur nevojën për prioritizimin e alternativave ndaj antibiotikëve, ajo kurrë nuk ka përmendur zyrtarisht potencialin e terapisë me fagë. Ka gjithashtu kërkesa në rritje nga shkencëtarët e fagëve ndaj OBSH për të ndihmuar në kanalizimin e fondeve të kërkuara në më shumë kërkime klinike dhe provat e fagëve për përdorim terapeutik.

Përveç sfidave rregullatore, fagët nuk mund të patentohen sepse ato janë produkte biologjike. Kjo do të thotë që shumica e ndërmarrjeve farmaceutike janë larguar nga financimi i kërkimit për zhvillimin e tyre si produkte medicinale. Bakteret gjithashtu mund të zhvillojnë rezistencë ndaj fagëve me kalimin e kohës, një çështje që studiuesit e fagut dhe mjekët kanë arritur ta anashkalojnë deri më tani. Ata e bëjnë këtë duke izoluar fagët e rinj nga miliarda mostra të disponueshme në natyrë, ose duke trajnuar fagët në laboratorë për të krijuar mënyra të reja për të sulmuar bakteret.

Ky i fundit është një proçes i bashkë-evolucionit të të dy mikrobeve  për mijëvjeçarë. Studimi i ri ka identifikuar imunitetin mbrojtës të quajtur sistemi Crispr – Cas që bakteret zhvillojnë kundër fagëve, duke dhënë më shumë të dhëna se si të luftohet rezistenca e mundshme.

Laboratorët e hulumtimit në vende si SH.B.A. tani po fokusohen në fagët e ndryshuar gjenetikisht si dhe në nxjerrjen e lizinave, agjent aktiv në fagë që vrasin bakteret. Kjo është kthesa që ka ngjallur interesin e gjigandëve farmaceutikë pasi këto metoda mund të patentohen, ndryshe nga fagët natyrorë që përdoren aktualisht për përdorim terapeutik. Vitin e kaluar Johnson & Johnson nënshkroi një marrëveshje fillestare prej 20 milion $ me Locus Bioscience për të hulumtuar dhe zhvilluar fagë të avancuar të përpunuar Crispr – Cas3 që mund të shkatërronin mekanizmat mbrojtës që zhvillojnë bakteret.

Në mes të zhurmës aktuale të kërkimeve moderne të paprecedentë mbi fagët, puna e vazhduar dhe e palodhur e Institutit Eliava ngadalë po neglizhohet, por kontributi i tyre në diskutimin aktual global të fagëve nuk mund të mohohet, thotë Pirnay, i cili me shaka i referohet faktit që ekipi i tij përfshin dy mikrobiologë gjeorgjianë si “Eliava Bruksel”.

“Instituti Eliava duhet të marrë më shumë merita për atë që ka bërë, por edhe për atë që ende po bën,” thotë ai.

Me provat klinike për fagët në Perëndim kaq të pakëta dhe të largëta, Instituti Eliava ka filluar të ndajë me publikun raste të pacientëve të tyre në internet. Kutateladze shpreson se kjo mund t’i ndihmojë të tjerët të përqëndrojnë kërkimet e tyre në çështje më të rëndësishme. “Sipas mendimit tim duhet të ketë shumë më shumë bashkëpunim,” thotë ajo. “Shumë kohë dhe para janë shpenzuar për detaje që ne tashmë kemi hulumtuar dhe dokumentuar.”

Instituti aktualisht po bashkëpunon me grupin zviceran Ferring Farmaceutik dhe kompaninë me bazë në SHBA Intralytix, për të hulumtuar dhe zhvilluar fagët për trajtimin e problemeve të shëndetit riprodhues të femrave. Gjithashtu është pjesë e një konsorciumi të financuar nga BE për të studiuar përdorimin e mundshëm të fagëve në trajtimin e astmës në fëmijëri.

Ndërkohë, Instituti Eliava vazhdon të jetë një nga klinikat e vetme në botë ku pacientët mund të marrin trajtime me fagë. Klinika kohët e fundit ka filluar shërbimet e konsultimit online për të ndihmuar pacientët e dëshpëruar që nuk mund të udhëtonin në Gjeorgji për shkak të Covid-19. Instituti ka punuar gjithashtu në përmirësimin e strukturës së tij të prodhimit për të përmbushur standardet e GMP – një detyrë sfiduese kjo, për institutin që shpesh ka të ardhura të pakëta, por një punë që Kutateladze shpreson që përfundimisht të ndihmojë në lehtësimin e eksportimit të përgatitjeve të tyre të fagëve mjekësor në vendet e tjera.

Kjo do të ishte zgjidhja ideale për pacientë si Diaz. Ai preferon të udhëtojë personalisht në Tbilisi për të marrë furnizimin e tij të fagëve për të shmangur dëmtimin e tyre gjatë udhëtimit, siç ka ndodhur në të kaluarën kur ai ishte përpjekur t’i merrte ato me postë. “Kjo terapi me fagë që nuk është një trajtim i disponueshëm, është skandali më i madh i mjekësisë moderne,” thotë ai.

Lini një Përgjigje

Rreth tri mijë qytetarë të Prishtinës u rimbursuan për Covid-19

Diplomati iranian dënohet me 20 vjet burg për përgatitjen e sulmit terrorist!