Shkretëtira e Sinajit
Gani Mehmetaj
Zhdukja e kushëririt Zeqo ishte e befasishme. Nuk e kuptoja si mund të zhduket një i rritur. E dija se ai para një viti kishte shkuar ushtar në Split të Dalmacisë. Pastaj e dërguan me ushtarët tjerë në mision paqeruajtës në Sinaj, në mes të Egjiptit dhe Izraelit. Letra nuk dërgonte, me telefon s’kishte ku të thërriste. Por kur plasi lufta izraelite-arabe, një luftë e egër, e furishme dhe me viktima, familja u shqetësuan. Ku të pyesnin s’kishin, kujt t’i drejtoheshin nuk e dinin. Një kohë nuk u dëgjua fare për te. Dikush tha se u vra në luftë. Të tjerët thoshin se e zunë rob arabët, kurse të tretët se e përpiu shkretëtira. Flitej se kur niste të frynte stuhia shkretinore, njerëz dhe deve, madje edhe batalione të tëra i përpinte rëra.
Lufta në mes të Izraelit e arabëve nisi me furi. Për asgjë tjetër nuk flitej. I lamë punët tjera, u bëmë si tifozët e sportit. Çdo ditë jepeshin lajme për bombardime e për sukseset e arabëve.
Deri në shpërthimin e luftës ushtarët paqeruajtës rrinin në zonën neutrale, shpjegonte dikush që i kuptonte këto gjëra, ndërsa të tjerët ia kishin gapërruar sytë. Por kur nisnin luftimet, shprishej zona neutrale, askush nuk i përfillte vijat kufitare, rrezik që forcat paqeruajtëse të vriteshin nga të dy palët ndërluftuese, tregonte ai që merrte vesh në punë të misioneve paqeruajtëse. Dhe kushërinjtë ishin mbledhur të dëgjonin sa më shumë detaje, ia hapnin veshët radios dhe nuk bëzanin. Lajmet dëgjoheshin shkurt. Debatet zgjasnin deri natën vonë. Mua me kote gjumi duke imagjinuar luftimet, shkretëtirën e Sinajit, stuhinë shkretinore që frynte dhe që i mbulonte ushtarët, një shtjellë e madhe që vinte pingul nga qielli, dredhonte dhe futej në rërë. Ushtarët ishin atje, luftonin me stuhinë, luftonin me arabët, sepse dikush tha se i nxorën në territorin arab, pastaj zbytheshin, duke iu shmangur plumbave e artilerisë. Aeroplanët ushtarakë izraelitë e egjiptianë thuhej se u fluturonin mbi kokë. Po t’u binte ndonjë bombë qorre?
Të nesërmen prapë vazhdonte biseda për luftën. Flitej për ushtarët shqiptarë atje, sepse dikush tha se dërguan shumë ushtarë shqiptarë. “Ishin pa dhimbtë”, hodhi romuze dikush.
-Shkoi nizam Zeqa, në Arabi- fliste gjyshja.
-Kuku, arabët të therin në gjumë, -ia priste Zoja e Lleshit.
-Kurrë s’ju ç’ kapë gazepi burrave tonë, -nisi të vajtonte gjyshja. -Herë nizamë të turkut, herë asqerë të Kralit, tash asqerë të Titës, -i numëronte ushtritë e huaja gjyshja.
– Pa dhimbtë i kanë djemtë tonë. – e mbështeste Zoja e Lleshit.
-Thuj mirë që nuk i vrasin mbas shpine, se shkau mbas shpine të vret, – e nxirrte mllefin ajo. Ende i kujtonte martirët e Bishtazhinit, që i vrau ushtria e Kralit, shtatë ditë pasi e bombardoi Gjermania Beogradin. Vranë ushtria jugosllave 72 shqiptarë katolik të katundit të Bishtazhinit dhe të katundeve të tjera të Gjakovës, që të nxirrnin inatin e Gjermanisë, që ua bombardoi kryeqytetin. Pritej që Italia të thyente kufirin dhe të futej nga Tropoja në Gjakovë. Shqiptarët e mirëprisnin hyrjen e ushtarëve italianë, prandaj ushtarët serbë nxituan të hakmerreshin.
– Vranë shqiptarë tri ditë rresht, t’Premten e Madhe të Pashkëve, t’shtunën e Madhe të Pashkëve dhe të Dillën e Pashkëve të Ngjalljes së Krishtit, – rrëfente Zoja e Lleshit.
Pastaj nisnin të numëronin vrasjet e tjera. E harruan Zeqën që ishte zhdukur në shkretëtirat e Sinajit, a në Rrafshnaltën e Golanit, sepse u fol se ushtarë nga Jugosllavia kishte edhe në këtë rrafshnaltë, për të cilën nuk kishin dëgjuar më parë.
Shteti ia mbante anën Egjiptit e arabëve dhe e shante Izraelin. Në radio e në televizion, jepnin me eufori sukseset e ushtrisë egjiptiane. Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme dolën në demonstrata, në mbështetje të arabëve. Grupi i të rinjve serbë e malazezë, endeshin rrugëve me pankarta dhe në mbështetje të Naserit, kryetarit të Egjiptit. Tito e donte Naserin, e kishte aleat. Në mbështetje të tyre dolëm edhe ne nxënësit e shkollës sonë. Na thanë se duhej të përkrahnim luftën e drejtë të arabëve dhe të dënonim luftën pushtuese të Izraelit. Në mbrëmje Bardhi fliste me ironi:
-Një grusht izraelitësh munden miliona arabë. Janë atdhetarë hebrenjtë, vijnë nga anë e anës për të luftuar e mbrojtur atdheun. E shkrijnë pasurinë për atdhe.
Unë hutohesha. Ata flisnin ndryshe nga sa na tregonin në shkollë.
Qe përhapur një rrëfim, që me linte pa mend. Një ushtare izraelite, u fut në xhami, i zu duke u falur ushtarët arabë, që i kishin lënë armët të dera dhe i vrau, pa u dhënë mundësi të mbaronin namazin dhe as të kapnin armët. Dhe Bardhi e Mala, në vend të bashkëjetonin me fundin tragjik të ushtarëve arabë, që shteti ynë i kishte aleatë, i ironizonin: “falnu, ju, falnu, se Zoti ju ndihmon!”. Ata mrekulloheshin me ushtaren izraelitë. Mua me habiste kjo gjë, sepse mësuesit na thoshin ndryshe, ndërsa atyre ua mbushnin kokën instruktorët e partisë që vinin në shkollë dhe na tregonin për luftën e arabëve kundër shtetit të Izraelit.
Kushëriri ynë, ushtar i Titos, u harrua. Në lagje nuk fliste më njeri për te. S’dihej, është gjallë apo ka vdekur? Paqartësia vazhdoi për disa javë a muaj. E mbajë në mend se nëna e tij interesohej, pyeste e nuk merrte përgjigje. Askush nuk dinte ndonjë lajm. Kaluan javë, mbase edhe muaj derisa u qartësuan gjërat. “Ushtarët tonë ishin shëndosh e mirë”, -erdhi një lajm nga shkretëtira e Sinajit a nga Rrafshnalta e Golanit. Thanë se ushtria suedeze që ishte e pajisur me teknologji të lartë, lajmëroi për fatin e ushtarëve tonë. Kishin kaluar vijën e luftës, i kishin grumbulluar në limanin Jafa të izraelit dhe do t’i nisnin së shpejti në vend”, -tha dikush. Mbase erdhi një telegram me urgjencë.
Dikush tjetër lajmëroi se edhe kur të ktheheshin, do t’i mbanin në karantinë. Druanin se mos kanë sjell ndonjë sëmundje të tmerrshme. Atje nga vinin, kishte sëmundje që s’ t’i kapte mendja, ato bënin kërdi. Gjyshja thoshte se nizamët gjithnjë sillnin sëmundje, që mezi i hiqnin qafe. Ajo nuk i donte arabët. Shumë djem tanë, nizamë, nuk u kthyen nga Arabia, -tregonte ajo.
-Ua hangri kryet shkretina, që mos koftë, -mallkonte gjyshja.
Qartësimin më të mirë për gjendjen e dha Zeqo, kur u kthye me uniformë ushtari, një strajcë në krah, fytyrën e skuqur si të qe në det. Ai ishte biond, me flokë ngjyrë gruri, madje edhe vetullat i qenë zbërdhylur nga dielli. Por ajo që ra në sy, ndërsa nuk e kishte askush në lagje, ai mbante një radio transistor, të mbështjellë me lëkurë të zezë, e vrima, të gravuara, në vendet ku duhej të dilte zëri. Ishte aparat i pazakonshëm dhe ndryshe nga radioja jonë “Kosmaj”, ndryshe edhe nga ato radio që kisha parë në filma. Ai radio transistorin e mbante me vete kudo. E kishte blerë në Izrael, me duket në Jafa para se të niseshin me anije, e thoshte me mburrje, kur u dhanë rrogën e fundit të ushtarit paqëruejtes. I kishte treguara babës se rrogat tjera që i paguanin OKB-ja, i ndali ushtria jugosllave. Për luftën dhe mbetjen peng në mes të dy palëve ndërluftuese e sqaronte shpesh, mbrëmjeve të pas darkës.
-Tri javë nuk e dinim a po shpëtonim a po na e hidhnin në erë postbllokun dhe depon e municionit. Kishim edhe shumë naftë në rezervar. Një natë fryu stuhi në shkretëtirë sa thamë po zhdukeshim të tanë. Të zihej fryma, të digjnin sytë, goja të mbushej me ranë të imët, -tregonte i emocionuar dhe i stresuar.
-Secili përpiqej për vete, por duhej të ruanin edhe pajimet ushtarake, për të cilat përgjigjeshe, po t’i përpiu rëra. Të ftohtit e natës të shtangte. Duhej të mbuloheshe si dimrit të ne, – tregonte ai. Ne ndiqnim me vëmendje. Dhoma ishte plotë.
Ai pastaj fliste për vapën e ditës, që të digjte, frymë s’mund të merrje nga sikleti.
– Dikur u mësuam, por me netët e ftohta e të gjata të shkretëtirës nuk mësohej askush.
Nesër: Lufta me akrepat helmues, shkretëtirën dhe thikat arabe
Fragment nga romani në dorëshkrim