Fondi i Kursimeve Pensionale nëpërmjet një komunikate ka dhënë sqarimet se pas miratimit të Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike si mund të bëhet tërheqja e 10-përqindëshit të kursimeve.
Trusti ka bërë me dije se ky institucion është i obliguar që të presë dekretimin nga ana e u.d. së presidentes të këtij projektligji e më pas publikimi i tij në fletoren zyrtare. Dhe pastaj lejohet aplikimi në nëpërmjet uebfaqes, ku do të mund të aplikohet për 10-përqindëshin.
Po ashtu Trusti bën me dije që të gjithë kontribuuesit e interesuar për tërheqjen e këtyre mjeteve duhet të kenë parasysh këto specifika:
1) Aplikimi për tërheqjen e 10%-shit do të bëhet vetëm përmes internetit (do të jetë një uebfaqe e veçantë, që do ta bëjmë publike sapo të hyjë ligji në fuqi) dhe jo fizikisht në zyrën e Trustin.
2) Aplikimi për tërheqje mund të bëhet nga çdo kontribuues që ka mjete në Trust.
3) Aplikimi mund të bëhet vetëm me llogari bankare aktive personale në Kosovë (jo me llogari bankare të familjarit apo kujtdo tjetër).
4) Aplikimi me llogari bankare jashtë Kosovës nuk mund të bëhet.
5) Aplikimi me llogari bankare të biznesit nuk mund të bëhet.