in

Trump përzë Zelenskyn nga Shtëpia e Bardhë

Ka përfunduar pa marrëveshjen për mineralet takimi mes presidentit të SHBA-së dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë.

Madje mediat amerikane raportojnë se Trump e përzuri Zelenskyn, pas takimit të tensionuar.

Lajmi u konfirmua nga një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë, i cili nuk ka qenë i autorizuar të flasë publikisht, sipas agjencisë prestigjioze të lajmeve “Associated Press”.

Në një postim në rrjete sociale, Trump ka akuzuar Zelenskyn se nuk është i gatshëm për paqe “nëse është Amerika e përfshirë, sepse ai ndien se kjo përfshirje po i jep avantazh të madh në negociata”.“Nuk dua avantazh, dua paqe”, ka thënë ai.

“Ai nuk e ka respektuar SHBA-në në Zyrën e saj Ovale. Dhe ai mund të kthehet kur është i gatshëm për paqe”, ka thënë Trumpi.

Trump e qorton Zelenskyn: Je duke luajtur kumar me Luftën e Tretë Botërore

(E plotësuar, 19:05) Presidenti Donald Trump argumentoi se dalja e tij e fortë kundër presidentit rus Vladimir Putin do të ishte kundërproduktive për arritjen e një marrëveshjeje paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës, teksa e qortoi publikisht presidentin Zelensky pas takimit në Shtëpinë e Bardhë.

“Epo, nëse nuk do të rreshtohesha me të dy, nuk do të kishit kurrë një marrëveshje. Ju dëshironi që unë të them gjëra vërtet të tmerrshme për Putinin dhe më pas të them: ‘Përshëndetje, Vladimir. Si po ia dalim me marrëveshjen?’ Nuk funksionon në këtë mënyrë. Unë nuk jam në linjë me Putinin. Unë nuk jam në linjë me askënd. Unë jam në linjë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të mirën e botës, unë jam në linjë me botën dhe dua ta mbaroj këtë gjë”, tha Trump në konferencë për media ku ishte së bashku me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Zyrën Ovale.

Duke iu referuar Zelenskyt, Trump vazhdoi: “Ju e shihni urrejtjen që ai ka për Putinin – është shumë e vështirë për mua të bëj një marrëveshje me atë lloj urrejtjeje. Unë jam në linjë me botën. Jam në linjë me Evropën. Unë dua të shoh nëse do ta bëjmë këtë”, ka shtuar Trump, raporton CNN.

Trump tha se një marrëveshje paqeje nuk do të arrihet përmes ashpërsisë ndaj Putinit.

“Unë mund të jem kaq i ashpër, por ju kurrë nuk do të arrini një marrëveshje në këtë mënyrë”, tha ai.

“Ti nuk je vërtet në pozitë të mirë tani”, e qortoi Trump Zelenskyn, duke e ngritur zërin.

“Ju jeni duke luajtur kumar me Luftën e Tretë Botërore”, vazhdoi presidenti i SHBA-së.

Ndërkaq, zëvendëspresidenti Vance e quajti Zelenskyn “mosrespektues” për përpjekjen për të diskutuar konfliktin në publik.

Zelensky në Shtëpinë e Bardhë, kokë me kokë me Trumpin

Presidenti Donald Trump po pret presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë në një takim dypalësh, ku liderët pritet të diskutojnë përpjekjet e SHBA-së për t`i dhënë fund luftës dhe potencialisht të nënshkruajnë një marrëveshje për mineralet e rralla.

Trump nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve nëse të dy liderët do të nënshkruanin një marrëveshje sot, por teksa i shtrëngoi dorën Zelenskyt, Trump bëri shaka se lideri ukrainas është “i veshur bukur sot”.

Marrëveshja do t’i ofronte SHBA-së qasje të lehtë në pasuritë minerale të pashfrytëzuara të Kievit në këmbim të investimeve dhe atë që Ukraina shpreson se do të ishin garanci konkrete të sigurisë. Detajet e marrëveshjes mbeten të paqarta, por analistët thonë se kjo mund të çojë në negociata më të gjera paqeje, raporton CNN.

Vetëm disa ditë pasi e quajti presidentin e Ukrainës një diktator, Trump zbuti tonin e tij përpara takimit, duke u thënë gazetarëve të enjten: “Unë kam shumë respekt për të”.

Trump u takua me presidentin francez Emmanuel Macron të hënën dhe kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer të enjten, ndërsa liderët evropianë kërkuan të merrnin garanci sigurie për Ukrainën dhe u përpoqën të rirreshtoheshin me Trumpin, pasi mbetën të përjashtuar nga bisedimet SHBA-Rusi për përfundimin e luftës.

Paraprakisht presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se u takua me një delegacion dypartiak të Senatit të SHBA-së gjatë udhëtimit të tij në Uashington DC të premten, të cilin ai e përshkroi si “një vizitë të rëndësishme në Shtetet e Bashkuara”.

“Diskutimet tona u fokusuan në ndihmën e vazhdueshme ushtarake për Ukrainën, nismat përkatëse legjislative, takimin tim me Presidentin Trump, përpjekjet për të arritur një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, vizionin tonë për përfundimin e luftës dhe rëndësinë e garancive të forta të sigurisë”, tha Zelensky në një postim në X.

“Ne krenohemi që kemi partnerë strategjikë dhe miq si Shtetet e Bashkuara. Ne jemi mirënjohës për mbështetjen e palëkundur dypalëshe dhe dypartiake për Ukrainën gjatë të tre viteve të agresionit në shkallë të plotë të Rusisë”, shtoi ai.

Tetë protagonistet e romanit Vegimet

Zelensky falënderon popullin amerikan për mbështetjen e Ukrainës