Presidenti amerikan, Donald Trump, i quajti të martën përgatitjet e Kongresit për të filluar procesin e shkarkimit ndaj tij, si “absolutisht qesharake” dhe tha se ato po shkaktojnë “një zemërim të jashtëzakonshëm”.
Pasi doli nga Shtëpia e Bardhë për t’u nisur në Teksas, Trampi e quajti përpjekjen për shkarkim nga Kongresi një “vazhdim i gjuetisë më të madhe të shtrigave në historinë e politikës”.
Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara prezantoi të hënën një rezolutë për fajsimin e presidentit Donald Trump, nën akuzat për “nxitje të kryengritjes”.
Demokratët që udhëheqin këtë dhomë të Kongresit amerikan, e fajësojnë Trumpin për nxitje të trazirave, javën e kaluar, në Kongres.
Pesë vetë kanë mbetur të vdekur, pasi mbështetësit e Trampit kanë sulmuar dhunshëm ndërtesën e Kongresit dhe janë përplasur me policinë.
Të martën duke komentuar këto zhvillime, Tramp tha se “ne nuk duam kurrfarë dhunë”.
Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara thotë se një president largohet nga detyra për “tradhti, ryshfet, shkelje të rëndë ose kundërvajtje të tjera”.
Kjo është hera e dytë që Kongresi nis këtë procedurë fajësimi që njihet në anglisht si “impeachment”. Herën e parë dështoi të votohej në Senat pas kundërshtimit të republikanëve.
Procedura për shkarkim zhvillohet në dy faza. Nis me seanca dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve dhe, nëse miratohet me shumicë të thjeshtë, procesi kalon në Senat, ku edhe mbahet gjykimi.
Në Senat, pastaj, duhen dy të tretat e votave për largimin e presidentit nga detyra dhe një gjë e tillë nuk është arritur kurrë në historinë e Shteteve të Bashkuara.