in

Triçiklet me tre gjermanë dhe partizanët e Ballkanit

Gani Mehmetaj

Triciklet historike gjermane me tre ushtarë të Hitlerit hyri triumfalisht me 7 prill 1941 në Mariborin e Sllovenisë. 

Vazhdoi pa u ndalur nëpër Kroaci. Dolën faqebardhë në Serbi, ku i pritën tri zeshkane serbe me lule dhe ca shërbime të tjera. Rrëshqitën rrotat e triçikletes hitleriane nëpër Dardani, ndërsa shqiptarët e hutuar shihnin të habitur, nga mbinë këta?

Nëpër tokat e Dardanisë, shkruajnë ata në ditar, takuan edhe një triçiklet ë tjetër me tre kolegë të tyre që u grahnin kolonës së pafundme të ushtarëve jugosllavë, të zënë rob. Habiteshin dardanët: si është e mundur që vetëm tre gjermanë u grahin mijëra ushtarëve jugosllavë si lopëve, kur barinjtë e tyre kishin vështirësi me numër më të vogël të kafshëve kur i nisnin në kullosa. “Po u grahin si lopëve”, thoshin të gëzuar dardanët, kur i shihnin ushtarët serbë me bisht ndër shalë.

 Kaluan gjermanët në Maqedoni, që ziente nga disa ushtri, dredhuan triçikletën në Shqipëri, që shkrepa e gërxhe ishte. Kund partizanë nuk panë as për foto- safari. Tre gjermanë të ushqyer mirë e të sertë, me triçiklet kaluan mijëra kilometra pa ther në këmbë, pa asnjë gomë të shpuar.

U vendosen  në Athinë me greke të thekura, me uzo e me sirtaki. Greku e donte ushtarin hitlerian. Protagonistët tanë, ndenjën sa ndenjën në Athinën e filozofëve antikë, një ditë  u thanë se duhej të ktheheshin në atdheun e tyre, sepse po e humbnin luftën. Aleatët: Ante Portas.

U nisën tre gjermanët me triçiklet mbrapshtë,  të përgatitur të shkrepnin të paktën nga një breshëri plumbash. Prapë partizanë nuk panë gjekundi. Druanin që do t’u ndryshkeshin pushkët automatike. Por ja që rrugës u doli një derr i egër, shkrepën në te dhe e vranë pa mëshirë. Për fundin e derrit në plëndësin e gjermanëve nuk u tha asnjë fjalë në kronikat e partizanëve të Ballkanit që gjatë tërë kohës shihnin prapa lisave e gërxheve.

   Po partizanët e Ballkanit ku ishin?Fshiheshin gëmushave e shkrepave, e shihnin motoçiletën gjermane se si kthehej prapa, por nuk ua mbante t’ia shkrepnin. Kaluan tre gjermanët nëpër Greqi, ndërsa partizanët grekë e nacionalistët grekë, u bënë rrafsh me tokën se mos i pikasnin. Por me të kaluar gjermanët, nisën të vrisnin armikun e klasës dhe të bënin plojë ndaj shqiptarëve të Çamërisë.  Kujt ia kishin hallin, ishin të pamëshirshëm. Vazhduan gjermanët me triçiklet nëpër Shqipëri, ku prapë askujt nuk ia mbajti t’u shkrepte, por me të ikur gjermani, partizanët bënë masakër kundër armikut të klasës e aristokracisë shqiptare.

Kaluan tre kufirin Shqipëri-Greqi-Jugosllavi, kur ç’të shihnin: qindra partizanë shqiptarë e serbë kishin dal në  prit. Gjermanët  u hodhën në hendek dhe u bënë gati të qëndronin ashtu si dinin të bënin qëndresë ata, mirëpo doli dikush nga partizanët dhe u tha: s’kemi punë me juve, presim ballistë që t’i vrasim, sepse forcat e tyre të mbetura planifikojnë të dalin në Selanik, ku do t’i presin aleatët britaniko-amerikanë. -Do t’i masakrojmë, u thanë ata me mllef.  

“Hëngshit kokën tuaj”, u thanë gjermanët dhe vazhduan tutje. Dhe ashtu bënë. Gjermanët hipën në triçiklet, gjithnjë me gishtin në këmbëzën e automatikut,  partizanët e pabesë, mund t’i vrisnin prapa shpinës.

  Por prapa shpine dëgjuan krisma kundër ballistëve e nacionalistëve. Nisën luftën civile partizanët shqiptarë, të ndihmuar nga partizanët serbë e sllavë të Maqedonisë kundër forcave  nacionaliste shqiptare. Tre kufiri Shqipëri, Greqi-Jugosllavi u skuq nga gjaku i shqiptarëve.    

Vazhduan gjermanët nëpër Maqedoni, ku këmbë ushtari nuk panë. Ca bullgarë me uniforma  të shqyera e pa pushkë, iknin nga sytë këmbët, shqiptarët e armatosur me qeleshe në kokë silleshin vërdallë pa busull e pa orientim.

    Druanin gjermanët kur kaluan nëpër Serbi, mirëpo në një stacion treni, gjermanët e tjerë në tërheqje, u thanë të ecnin kryelartë, se serbët ishin të zënë në përgatitjen t’u suleshin shqiptarëve në Dardani e në Maqedoni. Vazhduan gjermanët me troçiklet nëpër Bosnjë-Hercegovinë, por nuk panë asgjë interesante, pos koka serbësh e boshnjakësh prapa gërxheve se si bëheshin gati t’u suleshin kroatëve, italianëve e hungarezë për t’i masakruar.

Gjermanët e frustruar e të lodhur nga ky rrugëtim i gjatë si Uliksi nëpëër detin Mesdhe, pa e shkrepur asnjë plumb, vazhduan nëpër Dalmaci, ku panë lemëri: partizanët serbë po i mbysnin në det shqiptarë e italianë.  Vazhduar në Slloveni. Mezi dolën në Austri nga rrëmuja e ushtrive, ku i kapën forcat aleate, ua konfiskuan triçikletën dhe i futën në burg.

Ndenjen sa ndenjen gjermanët në burgun e aleatëve, një ditë i nxorën në rrugë.  Gati u ra pika kur lexuan se njëfarë Enver Hoxha, raportonte se gjermanët me triçiklet paskan vrarë 29000 shqiptarë. Habia ishte edhe më e madhe kur u thanë se Jugosllavia raportonte se i tre gjermanë me triçiklet paskan vrarë 16.00000 jugosllavë. I hodhën gazetat, druanin se do të shihnin shifra edhe më absurde nga Greqia e Bullgaria.

Lini një Përgjigje

Poetja Luljeta Lleshanaku nominohet për Çmimin letrar “Poeti Europian i Lirisë 2022”

Pence kundërshton shkarkimin e Trumpit përmes kabinetit të tij