Një burrë është vrarë dje në lagjen “Dardania”. Sipas Policisë, i dyshuari dhe viktima kanë qenë brenda të njëjtës veturë dhe i dyshuari nga mbrapa ka shtënë me armë zjarri në viktimën, që vdiq.
Policia ka bastisur banesën e të dyshuarit por i njëjti nuk ishte gjetur aty. Rastin e kanë konfirmuar gjatë ditës nga Policia e Kosovës me anë të një njoftimi për media. “Nga këqyrja e vendit të ngjarjes është konstatuar se bëhet fjalë për vrasje dhe është ngritur dyshimi se i dyshuari dhe viktima kanë qenë brenda të njëjtës veturë. I dyshuari nga mbrapa ka shtënë me armë zjarri në viktimën”, thuhej mes tjerash në njoftimin e Policisë.
Policia e Kosovës e ka shpallur në kërkim shtetasin e Turqisë, Atila Yaldirim, 53 vjeçar, i cili dyshohet për vrasjen e një personi në lagjen “Dardania” në Prishtinë. Policia ka kërkuar nga qytetarët që kanë informacione lidhur me vendndodhjen e personit të kërkuar ta njoftojnë policinë në numrin 192
“Referuar rastit të vrasjes që ka ndodhur sot rreth orës 12:00 ne rrugën “Bekim Fehmiu” në Prishtinë. Drejtoria Rajonale e Policisë – Prishtinë, pas identifikimit të personit të dyshuar me autorizim të Prokurorisë së shtetit, shpallë në kërkim personin e dyshuar; ATILA YALDIRIM (1967), shtetas i Turqisë. Duke i falënderuar qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshëm, në veçanti për këtë rast, po ju përcjellim fotografinë e pesonit të dyshuar dhe kërkojmë nga të gjithë ata që kanë informacione lidhur me vendndodhjen e personit të kërkuar ta njoftojnë policinë në numrin 192″, thuhet në komunikatën e Policisë.
Rasti i dytë:
Rreth orës 12:00 të ditës së djeshme, policia ka njoftuar se një grua është gjetur pa shenja jete në Prishtinë. Sipas Policisë, bëhet fjalë për një 54 vjeçare e cila kishte jetuar e vetme. “Rreth orës 12:00 është marrë informata se në rrugën ” Hasan Prishtina ” në Prishtinë një person që jeton e vetme ka kohë që nuk është vërejtur të del nga shtëpia. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e marra nga dëshmitarët është ngritur dyshimi i arsyeshëm se viktima një femër 54 vjeç është pa shenja jete. Në vendin e ngjarjes janë ftuar njësitë ekzaminuese të policisë, prokurori i shteti, mjekësia ligjore si dhe ekipet e mjekësisë emergjente të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës”, tha Borovci.
Trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion, përderisa për rastin policia ka filluar një hetim për vdekje në rrethana të dyshimta.
Rasti i tretë:
Pak orë më vonë ndërkaq, policia ka njoftuar se një 23 vjeçar ka kryer vetëvrasje në Prishtinë. Policia ka njoftuar se ngjarja ka ndodhur në shtëpinë e viktimës në rrugën “Josip Rela” në Prishtinë.