in

Togeri kaloi edhe nëpër Prishtinë, ku e kërkoi varrin e imzot Bogdanit (8)

Historia e varrit më të famshëm e më të fshehtë në Gadishullin Ilirik

Roman në vazhdime (ribotim) 

– Viteve të fundit këtu u zhvilluan luftime të rrepta. Njerëzit u lodhën nga lufta. Ushtritë ndërroheshin shpesh. Futej një ushtri, bënte kërdinë, e pastaj tërhiqej. Vinte ushtria tjetër po aq e egër, mësynte armikun imagjinarë, që tashmë ia kishte mbathur, ndërsa digjte katundet e vriste popullatën civile, -ia sqaroja gjendjen në mënyrë telegrafike.

– Dikur se nga shkonin ushtarët, askush nuk e dinte, si t’i lëshonte toka. Kur s’kishte ushtarë të huaj, mbinin nga toka rreckamanë e bashibozukë vendës, që u binin në qafë katundarëve.  Pa dashje ia pranova se me ardhjen e austriakëve sikur u qetësua gjendja, me gjithë vjedhjet e hajdutëritë.Ato ditë i bëja shoqëri kur me dilte kohë. Uleshim skaj gropave të gërmuara, në cepin e ndonjë varri. Në fillim të njohjes, kur ia pata thënë emrin tim, ai më pa me habi.- E paske emrin e njëjtë me mbretin tuaj.

-Të parët e mi ishin ushtarë të Gjergj Kastriotit, prandaj më pagëzuan që ta përtërinin kujtimin për bëmat e tij, – ia thashë i qetë. –  Por unë iu kushtova Zotit.

-Ti zgjodhe paqen në vend të luftës, – më tha.  -Unë zgjodha misionin t’ua ndriçoja mendjen e shpirtin bashkëkombësve të mi.

– Sigurisht, sigurisht, ishte vendimi juaj. Kam lexuar që ju françeskanët e mbajtët gjallë emrin e heroit tuaj. Të gjitha kronikat më të vlefshme janë shkruar nga skota juaj.

-Emrin e kujtimin për të e mbajtën gjallë shqiptarët. Priftërinjtë  i shënuan bëmat e biografinë e tij, i plotësuan, duke iu kundërvënë atyre që synonin ta përvetësonin, ta përdhosnin me shpifje e përbaltje, -ia ktheva, më duket me patetikë e paksa i zemëruar, thuajse edhe ai ishte njëri nga përvetësuesit e kombësisë së mbretit tonë. Më pa me habi. Një buzëqeshje e lehtë iu përvijua në buzë. Unë me të njëjtin zë vazhdova:

– Ishte detyra jonë para Zotit e para popullit ta freskonim kujtimin për të është heroi ynë më i madh.  M’u duk sikur prapë e thashë me rrahagjoks. Flisnim gjermanisht. Ai me bënte lajka për shqiptim të mirë të gjuhës së tij. Nuk isha i sigurt e bënte nga mirësjellja, apo e kishte me gjithë mend. Shërbeva disa vjet në  tokat perandorake nga Dalmacia deri në Bosnjë. Predikoja herë në një dialekt sllav, herë në një tjetër. Gjermanishten e mësova në kolegjin e Propagandës Fide. Ndonjëherë i flisja për vendet ku shërbeva, për klimën e butë mesdhetare.Me tetarin kroat, Stipe, po ashtu bënin biseda në gjuhën e tij. Ai ishte besimtar më i devotshëm sesa togeri. Vinte shpesh në kishë. Meshën shqip nuk e kuptonte, por lutej në gjuhën e tij. Një herë më tha me entuziazëm:

– E dini padër, një fazë të veprimtarisë sonë patriotike e atdhetare e patëm quajtur Lëvizje Ilire. Patëm tendenca ta përvetësonim edhe heroin tuaj Gjergj Kastrioti.  -Për lëvizjen ilire diç kam dëgjuar, por për përpjekjet e përvetësimit nuk ishit të vetmit. E di se Frang Bardhi ynë i qe kundërvënë një prifti tuaj nga Bosnja. Ju më duket nuk këmbëngulët shumë në pronësinë mbi mbretin tonë.  Të tjerët u bënë shumë më agresivë. Vetëm se u digjte kur mësonin se Skënderbeu e ndëshkoi popullin që synonte ta përvetësonte, sepse bashkëpunuan me osmanët.Qeshëm. Unë bëra mirë që nuk u rrëmbeva të lavdëroja si vëllezërit e mi që përgënjeshtruan aq herë dhe aq shpesh përvetësuesit e heroit tonë.

Në bisedat, të cilat rrëshqisnin edhe në politikë, u tregoja për mizoritë e ushtrive serbe e malazeze.-Ata i përdhosën varret tona. Prishën e dëmtuan monumente të vjetra, punonin pa asnjë sistem gërmimesh. Në vend të daltave përdornin qysqitë, thuajse thyenin gurë për xhadenë, – i thashë tetarit Stipe, por më dëgjonte edhe togeri.Nuk i thashë se ekipi i austriakut këmbëngulës ishte ndryshe. Por, nëpër mendje më sillej sikur edhe ai qëllimin final e kishte të njëjtë. Përpiqesha ta fusja në ndonjërën  nga kategoritë e atyre që  rrëmuan nëpër këto varre.

Togeri aristokrat nuk ishte plaçkitës, nuk mund t’i thuhej as aventurist. Plaçkitësit e varreve kërkonin thesare, arkeologët ushtarakë kërkonin gjëra të rralla, donin të përfitonin nga madhështia e personaliteteve të huaja, duke ia shtuar kurorës së tyre edhe një margaritar, ashtu sikurse mbreti i fuqishëm kërkon gurët më të çmuar për kurorën e vet. Të dyja palët kërkonin me babëzi, njëra natën, tjetra ditën, pa u kujdesur se mos i dëmtonin shtresat e caktuara, të cilat nuk qenë në pikëvështrimin e tyre, ose se mos po ua rrëmbenin thesarin të pushtuarve.

Më dilte parasysh pamja kur ushtarët rreckamanë të Serbisë mbanin në dorë një hartë ushtarake, ndërkaq prifti i tyre seç u tregonte dhe, ata me kazma e qysqi, copëtonin varret si gurët për trase rrugësh. Nuk e fshihnin që  kërkonin varr të veçantë. Nuk e thoshin të kujt.Arkeologu ushtarak e shtrëngoi buzën me dhëmbë, ndërsa i tregoja mizorinë e dëmtimit të qytetit të vjetër.

Oficeri i ushtarëve rrjepacakë, një vit më parë, tregonin lezhjanët, u thoshte vendësve se ata punojnë sipas ca hartave të arkivave të  Petrogradit. Pse nxitonin askush nuk e merrte vesh. Zbulonin e mbulonin katakombe dhe nxirrnin në sipërfaqe çka do që u dilte para. Banorët betoheshin se morën shumë thesare kur ia mbathën. Ishim po ashtu të sigurt se nuk e gjetën atë që e kërkonin. Pastaj koha nuk u dha mundësi të prishnin varre edhe më. Ikën me kazma e me pushkë mbi supe, duke bartur në shpinë trasta të mëdha si të lypsarëve.

Morën me vete vjetërsirat që i nxorën nga katakombet, nga kishat apo plaçkat që ua merrnin vendësve, kur futeshin nëpër shtëpi.  I mësuar me vdekjen, prapë pikëllohesha kur i rrëfeja për vuajtjet e vendësve. Pastaj kohë të gjatë rrinim pa biseduar. Herë-herë i ktheheshim lashtësisë.  -Në shkollën tuaj nuk i keni mësuar këto gjëra apo jo?

-Leximi i kronikave të vjetra të mëson shumë gjëra. Më rrëmbente periudha e bëmat e mbretërve ilirë, apo princave të Arbërisë, – i thashë për t’ia plotësuar informacionin, sepse studentët e fakulteteve laike kishin paragjykime për studimet tona fetare. Ishin të sigurt se ne, pos librit të shenjtë, nuk studionim asgjë tjetër.  Kur i flisja për luftërat e Gjergj Kastriotit, ai nuk bëzante, vetëm më shikonte. Austriaku dinte  për këto beteja. Legjendat lokale e mrekullonin. Jo rrallë më thoshte se i mbante shënim të gjitha ato që i dëgjonte nga unë, apo nga ndonjë plak që ulej dhe i rrëfente me nge, duke e shikuar me dyshim: është yni apo i tyre! Togerit i interesonte mesjeta. Mendja ia thoshte se të gjitha fshehtësitë e kësaj periudhe ishin në arkivat e Vjenës a të Vatikanit.

Kryevarri nuk përmendej asnjëherë, as në fjalitë me dy kuptime. Kryevarri qëndronte në mes nesh gjatë gjithë kohës.Kur binte fjala për qytetin e Kuvendit të Arbrit, ai më thoshte se nuk i ngjasonte qytetit  të kohës së Skënderbeu, ashtu si e kishte imagjinuar. Me të shkelur nëpër kalldrëmet e vjetra, ushtaraku austriak më tha se ndjeu diçka të trishtë, sikur e patën harruar e braktisur këtë vend kohë të gjatë. Përnjëherësh mësyjnë nga të gjitha anët me kazma e lopata për t’ia nxjerrë rropullitë. Diçka e shtrëngoi në gjoks, ndryshe e mendoi e ndryshe i doli.

-Qindra vjet e gërryen nga të gjitha anët, qindra vjet e përdhosën qytetin e princave, ndërsa qyteti befas zgjohet nga përgjumja, banorët lëviznin ngathët, sikur të këndelleshin nga narkoza. E ke hetuar se njerëzit që bredhin rrugëve sikur nuk janë ata të dikurshmit, shtatgjatë e kryelartë, ashtu i imagjinoja gjithnjë, – më fliste, ndërsa në fakt sikur i fliste zëshëm vetes.

-Mbase i ke menduar si katallanë, – i thosha me shaka. Njerëzit janë ata që ishin qindra vjet më parë, ose janë nipërit e tyre, të ikur maleve që zbritën pas shumë vjetësh, kur ua mori mendja se kaloi mëria e pushtuesve. – Rrudhi supet jo shumë i bindur.

– Kushtet e këqija, luftërat  e vazhdueshme e varfëria, mbase kanë ndikuar në racën e pasardhësve të Arbërisë, – shtova, sepse m’u duk sikur nuk e binda..  –Nuk e di, por edhe qyteti është orinetalizuar. Muzika e kafeneve të natës është ndryshe.

Ndërhyrjet në godina duken të vrazhda. Mbi  katedrale u ndërtua xhamia, mbi themelet e kishave të tjera janë ndërtuar faltore myslimane: teqe dervishësh, varre pashallarësh. Në të gjitha qytetet shqiptare nga do që shkova këtë shpërfytyrim pashë. Kur kalova mes për mes qytetit të vjetër të Pejës, më thanë se kisha më e madhe katolike e Dukagjinit qe shndërruar në Xhami të  Çarshisë. Nuk i shtuan asgjë, pos që i hoqën kumbonaren e kryqin, duke ia rindërtuar minaren.

Fragmente të ikonave pashë në cepat ku kishin rënë ciflat e gëlqeres. Varreve të vjetra ua hoqën kryqet. Ishte një masakër ndaj kulturës suaj.Togeri kaloi edhe nëpër Prishtinë, ku e kërkoi varrin e imzot Bogdanit. Por banorët rrudhnin supet, nuk ditën t’i thonë shumë. Disa i treguan se turqit e tartarët, kur e pushtuan për herë të dytë qytetin, eshtrat e ipeshkvit të Arbërisë ua hodhën qenve. Kishën e dogjën.

-U rrëqetha kur e dëgjova këtë rrëfim, – më tha me pikëllim.Ai erdhi nga Beogradi. E bëri të njëjtin rrugëtim të gjeneralit austriak Pikolomini, para treqind vjetësh. Këto qytete i bënë përshtypje, ia kujtonin mesjetën.

 Fshehtësitë e kryevarrit

Lini një Përgjigje

Kemi nevojë për neoshqitarizëm

Pse Serbët i Urrejnë Shqiptarët?