in

Thaçi apo tjetri, do ta vërtetojnë se kush e urdhëroi vrasjen e Haki Imerit!

Shkruan: Idriz Morina

Dëshmia e Imer Imerit, e qartësoi se është e pamundur që njëri nga të katër të akuzuarit e Hagës, të mos dënohet!  Thaçi apo tjetri, do ta vërtetojnë se kush e urdhëroi vrasjen e Haki Imerit!

Baton Haxhiu, siç ka rrëfyer vetë në dhjetor 2022, kërkonte Republikë brenda Jugosllavisë, në vitin 1997, dhe sot po e udhëheq fushatën për lirimin e Hashim Thaçit dhe të tjerëve, duke baltosur të gjithë të tjerët. Dhe madje duke e vazhduar përbuzjen për Rugovën, se ai thjesht kishte retorikë për Pavarësi!

Kosova, jo me retorikë, por me referendum në vitin 1991 e shpalli Pavarësinë nga Jugosllavia dhe votuan rreth 99% e shqiptarëve. Në vitin 1992 u mbajtën zgjedhjet nacionale për Kuvend dhe ato presidenciale. Me ato zgjedhje u krijuan institucionet qendrore, Presidenca, Kuvendi dhe Qeveria, pavarësisht veprimtarisë së kufizuar të tyre, për shkak të rrethanave të okupimit!

Po ashtu Prokuroria në Hagë në aktakuzën për Thaçin dhe të tjerët e njeh atë periudhë, si organizim të shqiptarëve në një “shtet paralel”, që ka krijuar sistemin arsimor, shëndetësor dhe të financave, të pavarura nga Jugosllavia!

Por, Batua më 1997 nuk e njeh fare Republikën e Kosovës si shtet të pavarur dhe kërkon kthimin në Jugosllavi! Ndërsa, deri para pak muajsh bënte të pamundurën, që të ndahej Kosova, sepse sipas tij, “Serbia nuk mund të pajtohet pa asgjë, që Kosova t’i marrë të gjitha”! E paramendoni ky dhe grupi i tij po e mbrojnë Thaçin dhe të tjerët! A nuk është komprometuese për ata në aspektin kombëtar, që në flagrancë pranonte kthimin e shqiptarëve në Jugosllavi në kundërshtim me vullnetin e tyre dhe të institucioneve të Republikës?!A nuk është habitëse se pse ky po i sulmon të gjithë ata gazetarë që kanë botuar shkrime, edhe hulumtuese për vrasjet politike në Kosovë? Por, më keq akoma ky grup gazetarësh dhe mediash po sulmojnë pamëshirshëm edhe familjet e viktimave, dhe madje vetë dëshmitarët, siç ndodhi në dy studio televizive, me dëshmitarin e speciales Imerin Imerin, që dëshmoi edhe për raportimin që ia kishte bërë Hashim Thaçi si president i vendit asokohe.

Paramendojeni, presidenti i vendit, ka shkuar në shtëpinë e një viktime të vrasjes politike, ish arsimtarit të tij të gjuhës angleze, Haki Imerit, dhe familjarëve të tyre u ka rrëfyer për vrasjen e familjarit të tyre, se kush ishin vrasësit dhe porositësi, në fakt, se aktori kryesor ndodhet në Hagë!

Pra, meqë kjo ka ndodhur kështu, të paktën për një vrasje, të një mësuesi me dy fakultete dhe përkthyesi, i dyshuari kryesor ndodhet në Hagë!Derisa njëri nga katër të akuzuarit ndodhet në Hagë dhe është i dyshuari kryesor për vrasje, si ka mundësi, që pa pikë ndërgjegje kori i këtyre mediave, gazetarëve, dhe madje edhe i protestuesve thërret dhe trumbeton se që të katërtit janë të pafajshëm!

Pra, është më se e qartë se të paktën njëri nga të katërtit, nuk do të mund të shpëtojë pa u dënuar për vrasjen e Haki Imerit! Kjo e bën të qartë se ata, që po mbrohen edhe si VS, po mashtrojnë hapur, dhe për këtë mashtrim ata duhet të ndiqen penalisht, madje këtë mund ta bëjnë për përhapje shpifjesh dhe gënjeshtrash të qëllimshme, edhe prokuroria e Shtetit, por edhe familjarët! Dhe njëkohësisht edhe për përpjekje të pengimit të drejtësisë!

Prandaj, a nuk duken se janë sulme që vijnë të diktuara dhe të orientuara nga interesa strategjike të Beogradit, të ndokujt, dhe të të tjerëve për arsye materiale ose për arsye të çoroditura! Mosndriçimi i vrasjeve politike në radhë të parë është interes i Serbisë, sepse ajo e ka dizajnuar dhe krijuar atë strategji! Pra, nëse gazetarët që kemi shkruar për vrasjet politike, dhe ishim me dhjetëra nëse jo me qindra, duke filluar nga Mero Baze, nuk ishim të saktë apo nuk kishim burime të sakta (duke përjashtuar shkrime eventuale të ndokujt për qëllime përfitime apo edhe të motivuar për humbje gjurmësh apo mbështjellim të tyre), pse këta gazetarë dhe këto media nuk janë marrë dhe nuk po merren tash e 20 vjet me vrasjet dhe atentatet e Ali Ukës, Behajdin Hallaçit, Ilir Konushecin, Ahmet Krasniqin, Enver Malokut, Sabri Hamitit (i plagosur me tre plumba), Shaban R. Shalës, Agim Qelës, Sadri Ramqës, Mirush Dakajt, Xhemail Mustafës, Rashit Mustafës “Karadakut”, Haki Imerit, Ekrem Rexhës-Drinit, Shaban Manajt, Ramiz Hoxhës e Selman Binishit, Shefki Popovës, Smajl Hajdarajt, Ismet Rracit, Rexhë Osajt, Ramë Idrizajt-Peja, Bashkim Balajt, Sinan Musajt, Besim Dajakut e Bekim Kastratit, Hajdar Ahmetit, Sabahate Tolajt, Isuf Haklajt, Ilir Selimajt, Arben Sejdiut, Xhevat Jusufit, Skënder Gashit, Ukë Bytyçit, kolonel Tahir Zemajt, Enis dhe Hasan Zemajt, Kosovë e Albert Zeqirajt, Bardhyl Ajetit… e qindra vrasje të tjera politike.Urdhëroi shkruani, zbuloni të vërtetat e atyre vrasjeve, ne nuk u kemi vënë pikë asnjërit rast!

Por, ju nuk keni durim sepse e dini, se disa nga ata që janë në Hagë, dhe disa që mund të zbulohen, arrestohen dhe gjykohen për vrasje edhe të tjera politike, do të dënohen! Pra, juve nuk ju intereson e vërteta, por vetëm liria e atyre që janë arrestuar, ndërsa e drejta për jetë, të lirë dhe paqësore, të atyre që u vranë nuk ju intereson.

Po të kishit parime humane, etike dhe profesionale të njëmendta, ju do të mund të bënit thirrje dhe kërkesa për drejtësi, për kapjen e autorëve dhe porositësve të vrasjeve, pas vitit 2000, për të cilat formalisht specialja nuk ka mandat!Por, ju e dini pse nuk e bëni këtë, sepse thuajse që të gjitha çojnë tek grupi i njëjtë apo grupe të ngjashme! Prandaj, nuk ua kemi borxh as ne, dhe më së paku familjet e viktimave, që ju të na sulmoni!

Lini një Përgjigje

Prokurori i Hagës: Akuza është se keni vra shqiptarët etnikë-patriotë

Pas sanksioneve të SHBA-së, Hungaria largohet nga banka që kontrollohet nga Rusia