in

Tetë të vrarë, mijëra të plagosur nga shpërthimi i pajisjeve pager në Liban

Gjithandej Libanit kanë shpërthyer, në të njejtën kohë, pajisjet e komunikimit që njihen si pager (pejxherë). Në shënjestër ishin pjesëtarët e Hezbollahut. Deri tani 9 persona kanë vdekur ndërsa janë lënduar më shumë se 2800, 200 prej të cilëve janë në gjendje të rëndë.

Të paktën 8 persona kanë vdekur e më shumë se 2800 janë lënduar në Liban si pasojë e shpërthimit në të njëjtën kohë të pajisjeve të komunikimit, të njohura si pejxherë. Ministria libaneze e shëndetësisë ka thënë se 200 nga të lënduarit janë në gjendje të rëndë dhe në rrezik për jetën.

Pejxherët përdoreshin nga pjesëtarët e Hezbollahut, organizatë kjo që e ka fajësuar Izraelin për ngjarjen. Sulme në pajisjet hardverike janë shumë të rralla e sidomos kur bëhet fjalë në numër më të madh dhe përnjëherësh pasi kushdo që e ka bërë dhe nëse e ka bërë është dashur të ketë qasje drejtpërdrejt në paisje dhe atë gjatë procesit të prodhimit apo montimit.

Sipas Frank Gardnerit, gazetarit të BBC-s për siguri sabotimi i kaq numri të madh të pejxherëve në Liban ka kërkuar shumë kohë për inteligjencë por edhe aftësi teknike.

Një ish-ekspert për municioneve në ushtrinë britanike, në kushte anonimiteti ka thënë se ka të ngjarë që secili pejxher ishte mbushur me 10 deri 20 gram eksploziv të fuqishëm ushtarak të fshehur brenda një komponenti të rremë elektronik. Ndërsa aktivizimi është bërë përmes një sinjali diçka që njihet si mesazh në formë teksti alfanumerik.

Që nga fillimi i luftës në Gazë vitin e kaluar, hezbollahu i kishte paralajmëruar pjesëtarët e vet që të mos i përdorin telefonat mobil nga frika se mund të përgjoheshin nga agjentët izraelit të inteligjencës. Në vend të telefonave, Hezbollahu po i përdorte pejxherët për komunikim, me një sasi të tyre të furnizuar kohë më parë.

Në vitin 1996, agjencia inteligjente e Izraelit, e njohur si Shin Bet kishte vrarë një ndërtues bombash të Hezbollahut me vënien e eksplozivit në telefonin e tij.

Lührmann: Mezi presim thellimin e marrëdhënieve Kosovë – Gjermani

Kurti ngushëllon homologun portugez, i ofron mbështetjen e Kosovës